
Autor: Mexhid YVEJSI
Gjakovë, gusht 2009
Ende pa përfunduar fushata e sëmurë për “identitentin e ri të kosovarëve”, çohet Ismail Kadare e rifillon fushatën për identitetin evropian të shqiptarëve! Çka dëshmojnë këto fushata për identitet? Këto fushata dëshmojnë se kemi të meta, sepse ende nuk po e kuptojmë se kush jemi, se cila është e vërteta! E Vërteta, ashtu si Dielli, mund të mjegullohet, të errësohet, mund të pengohet, por jo të agjësohet. Që në kohët e lashta njerëzit e ditur këshillonin si terapi shëruese: Njohjen e vetvetes. Njohja e vetvetes është çelësi për ta njohur Krijuesin, Zotin.
Zoti, sipas Blaise Pascal-it, është i qartë vetëm në paqartësinë e botës. Ai është një sferë e pafund, qendra e të Cilit është gjithkund dhe perimetri asgjëkundi. I pranishëm gjithkund je, por asgjëkundi nuk je, z. Ismail Kadare! Ju bre, Kadare, që nuk e dini ende se kush jemi ne! Ne jemi ata që jemi! Ju që shkruani për identitet, dëshmon se keni një siklet! Kjo po dëshmon se identiteti iu mungon! Ju mungon e ju mundon! Kjo vërehet kur fyen, kur akuzon pse shumica e shqiptarëve janë myslimanë…!
Kombi shqiptar, edhe pse vonë i zgjuar, është komb i formuar. Shqiptarët kur me shumicë u islamizuan – atëherë shpëtuan. Shpëtuan sepse nuk u asimiluan. Nuk u asimiluan, sepse, në fjalën e Tij, Zoti e ka dhënë dijen e nevojshme për shpëtim. Zgjohuni të përgjumur! Zgjohu bre, Kadare, kudo që je!
Duke shkruar për identitet, ju po dëshmoni se prej dhunës ideologjike aq banale, keni kaluar te injoranca profesionale. Zoti i ka dhënë dijetarëve, atdhetarëve, mjaft dritë që të mund t’i zbulojnë kurthet kundër shqiptarëve. Dituria dhe burrnija e akademik Rexhep Qoses, rreth identitetit, ia çeli sytë krejt botës. Kur e pyetën Fishtën diplomatët evropianë rreth fesë, ai tha: “Jemi popull me dy fe, por s’jemi popull me Shën Bartolome”.
Shqiptarët, pra, nuk janë popull, komb, me Shën Bartolome falë tolerancës së fesë islame, që i përkasin shumica e shqiptarëve. Të mos e njohësh këtë tolerancë, të mos e njohësh fenë islame, kur nuk ke patur mundësi, nuk është turp. Por, turp është të ngulësh këmbë me kryeneqësi në injorancën tënde, edhe pasi e ke patur mundësinë të mësosh. E keni patur mundësinë të mësoni se Konica tha: “Të mos ishte feja islame, populli shqiptar do të ishte shumë më tepër në numër, por jo shqiptar”.
Kur e pyetën diplomatët e huaj në Washington Faik Konicën, që ishte ambasador i Mbretërisë Shqiptare (1926-1939) se cila është feja e shqiptarëve, ai tha: “Të dielën shkojnë në kishë, të premten në xhami…”
E keni patur mundësinë të mësoni se Stavro Skendi në “Historinë e Rilindjes Kombëtare” shkruan: “Shqiptarët myslimanë e përbënin shumicën dhe pa ata nuk mund të kishte Shqipëri”.
E keni pasur mundësinë të mësoni se: Koncili i Dytë i Vatikanit, më 25 tetor 1965, ka përcaktuar qëndrimin e Kishës Katolike ndaj myslimanëve, ku thuhet: “Myslimanët adhurojnë, si ne, një Zot të vetëm, të Mëshirshëm, që do të gjykojë njerëzimin në ditën e fundit”.
E keni patur mundësinë të mësoni se në librin “Të kapërcehet pragu i shpresës”, Papa Gjon Pali i Dytë thotë: “Fetaria e myslimanëve meriton nderim”.
Meritojnë nderim fetaria e myslimanëve shqiptarë si Myderriz Ymer Prizreni, Myderriz Haxhi Zeka, që ishin fetarë dhe atdhetarë të devotshëm dhe udhëheqës të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe Lidhjes së Pejës “Besa-Besë” (1899), Myderriz Vehbi Dibra, nënkryetar i Qeverisë së Vlorës, (1912), Hoxha Kadri Prishtina, i Kongresit të Lushnjës, (1920) ku iu vuan themelet Shqipërisë, si edhe qindra e mijëra fetarë dhe atdhetarë të tjerë, deri te Shaban Jashari me familjen e tij, që u flijuan për Kosovë, për Shqipni…
Shqiptarët e pranuan dhe e trashëguan Krishterimin, sikur që e pranuan dhe e trashëguan Islamin, që të dyja janë nga Lindja. Por, nuk mjafton që të trashëgosh Krishterimin apo Islamin, por është e domosdoshme që me meritë të fitosh. “Duhet të meritosh trashëgimin tënde – thoshte Gëte, që të posedosh”.
Shumica e shqiptarëve myslimanë e meritojnë këtë dhe janë të kënaqur me besimin që trashëgojnë, që posedojnë. Po ju çka trashëgoni, çka posedoni z. Kadare? Trashëgoni atë që e mohoni! Veprat që i posedoni pse po i ritushoni? Ndoshta ato iu mallkojnë, iu akuzojnë, sikur në poemën “Përse mendohen këto male” kur akuzoni dhe dënoni Kryqin e Krishtin, gjysmëhënën e Islamit, turqishten e Kuranit, fyeni, dënoni e poshtëroni logjiken latine e arabe, mallkoni priftërinjtë e hoxhallarët, minaretë e kambanat.
Në poezinë me titull “Në Kishë” shkruar me 1958, shkruani: “Vërtet s’jam i krishter…”, dhe tallesh me Ungjillin, Librin Hyjnor. Në poezitë “Perëndimi” dhe “Interpejshazhi” tallesh, fyen, e akuzon Perëndimin, Evropën, që sot e lavdon: “Romat, Samarkandët, Vashingtonët, Moskët, fituan shpesh toka, flamurë, vota. Por, shekujt kurrë s’i fituan ata”.
Evropën e mallkon, kurse sot e dashuron, dje u talle me kulturën, zhvillimin e saj, i përqeshe qytetet me kulla, me kambanare, me kryqa, me kapitalistë plot dhjamë dhe mbi “Shën Mërinë e Parisit” u krenove që vure qeleshe, edhe këtu gjete vend dhe u përqeshe. A keni harruar çka keni shkruar? Keni shkruar, që jeni krenuar, se në gjoks mbani “Në metal të distinktivit, fytyrën e dashur të Leninit!” “Qindra vite kaluan duke i ndjekur krimet e vegjël, por bota nuk e zbuloi dot krimin e madh, po në botë ja u ngrit, me mjekër të gjatë gjer në retë, parathënësi më i madh me emrin Marks”, nga poezia “Te Kështjella e Hamletit në Danimarkë”.
A jeni penduar për gjithë ato çka keni shkruar? A jeni penduar që keni fyer, akuzuar, poshtëruar, dënuar librat hyjnorë, Ungjill e Kuran, keni sharë priftërinj e hoxhallarë, minare e kambanare, keni dashuruar komunizmin, keni urrejtur kapitalizmin, Evropën, Perëndimin, Romën e Bonin, Parisin e Washingtonin! A jeni penduar që keni dashuruar dhe jeni krenuar me fytyrën e dashur të Leninit, me mjekrrën e Marksit, të cilin e quani “profeti më i madh i njerëzimit dhe zbulues i rrugës së krimit”.
Nëse jeni penduar, për ato që keni shkruar, atëherë, unë s’kam pse me vazhduar. Prej sotit je dorë të Zotit. Por, jetën politike, fetare dhe kombëtare nuk duhet shikuar përmes imagjinatës, iluzioneve dhe fantazisë. Vështrimin tonë duhet ta kthejmë kah vetja jonë, drejt jetës, drejt së vërtetës. E vërteta është se sistemi i vlerave që e ka ndërtuar strukturën tradicionale të Perëndimit buron nga filozofia antike greke, kultura romake, trashëgimia pagane e popujve barbarë, feja e krishterë, të cilën Evropa e ka interpretuar në një mënyrë specifike të veten, e ndikuar pjesërisht nga Hebraizmi dhe Islamizmi. Por, Evropa e sotme vjen nga Iluminizmi. Iluminizmi në vend se të ndriçojë ndodh shpesh që ai errësojë.
Sot, tipari më i veçantë i qytetërimit perëndimor është sekularizmi. Kuptimi i termit sekularizëm në rrafshin praktik është nxerrja e fesë jashtë jetës. Kristianizmi, sot, në Evropë, nuk ka funksion politik, ekonomik, kulturor dhe shoqëror. Ka mbetur një lidhshmëri sipërfaqësore emocionale dhe një dekor me ngjyrë sociale. Në projekt-kushtetutën e Bashkësisë Evropiane nuk hyri trashëgimia kristiane. U mundua Papa, u mundua Vatikani, por nuk iu shkonte zani. Në këtë projekt-kushtetutë, edhe sot, mungon fjala Zot. Identiteti evropian i shqiptarëve është një përshtatje e re. Çdo përshtatje e re, thoshte, Erich Hoferi, është krizë e vetëvlerësimit. Ne kemi kriza të tjera, si të mirëbesimit, mirëkuptimit, por jo të vetëvlerësimit.
Zgjohu bre, Kadare, kudo që je!
Huazuar nga ky sajt.