OpinionePolitikShkence

Vetëdija kuantike

Njeriu dijen nuk e krijon. Njeriu dijen vetëm e njeh. Njeriu dijen vetëm e zbulon duke u përleshur me problemet e jetës, ose duke bërë hulumtime e gjurmime. Sepse dija vetvetiu është. Dija vetvetiu ekziston. Dija është e pranueshme përgjithmonë në gjithësinë tonë. Bie fjala, njeriu nuk e shpiku, por vetëm e zbuloi elektricitetin që tashmë ishte që është dhe do të jetë përgjithmonë në gjithësinë tonë. Njeriu nuk e shpiku, por vetëm e zbuloi magnetizmin që ishte, është dhe do të jetë prore në gjithësinë tonë.

Këngët, meloditë, ose kompozimet magjepsëse që ne dëgjojmë me kënaqësi përditë, nuk janë trilluar e as nuk janë shpikur nga askush. Ato këngë, melodi e kompozime vetëm janë zbuluar, ose vetëm zbulohen nga muziktarët dhe kompozitorët e talentuar. Ata me talentin e tyre të falur nga natyra kanë qenë ose janë njerëz të privilegjuar. Ata duke përqendruar vëmendjen e tyre dëgjojnë e përjetojnë ato këngë, melodi e kompozime. Ata me anën e zërit ose të instrumentit përkatës i përcjellin ato këngë, melodi e kompozime deri te veshi ynë. Edhe ne, nga ana jonë marrim nga ato këngë, melodi a kompozime aq sa kemi kapacitet për të marrë. E njëjta gjë vlen edhe për poetët, për poezinë e tyre dhe për ne si lexues e përjetues. E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë shkencëtarët, për shkencat dhe për ne si konsumatorë të shkencave përkatëse. E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë artistët, për të gjithë artet dhe për ne si përjetues të tyre. Pra, ne vetëm zbulojmë, njohim e përjetojmë urtinë, dijen, inteligjencën ose mençurinë e pafund të gjithësisë sonë.

Mirëpo, sado që të përpiqemi dhe sado që të përparojmë, ne kurrë nuk do të mund të zbulojmë e njohim krejt urtinë, dijen, inteligjencën ose mençurinë e gjithësisë sonë. Ne do ta zbulojmë e do ta njohim vetëm një pjesë të saj. Sepse ne jemi vetëm një pjesë e parëndësishme e gjithësisë sonë të pafund, sepse ne jemi vetëm një embrion i Zotit. Vetëm Zoti ose Absoluti i di të gjitha. Dhe t’i dish të gjitha do të thotë të dish çfarë ka ndodhur, çfarë po ndodhë dhe çfarë do të ndodhë. Në rrugën e përparimit të vet të gjatë e të mundimshëm drejt vetëdijes shpirtërore ose kuantike, njeriu ka ngjitur shumë shkallë të vetëdijes. Varësisht nga ajo se çfarë sasie të dijes ka akumuluar dhe ka përvetësuar, atë shkallë të vetëdijes edhe ka arritur.

Nga të gjitha qeniet e njohura të gjithësisë sonë, vetëm njeriu është i dashuri i Zotit, vetëm njeriu është më i privilegjuari i Absolutit. Njeriu është mrekullia e gjithësisë, sepse vetëm ky është i vetëdijshëm për kualitetet, ose cilësitë e veta gjeniale. Njeriu është i pajisur me një sistem të përsosur nervor që ia bën të mundur të funksionojë si njësi e organizuar në vete dhe njëkohësisht si pjesë e pandashme e universit të organizuar. Ky privilegj ia bëri të mundur njeriut që të merret me njohjen, hulumtimin, gjurmimin dhe zbulimin e vetvetes dhe të gjithësisë njëkohësisht. Historia e filozofisë njerëzore është përplot me filozofë e me vepra që janë marrë e që merren më njohjen, hulumtimin, gjurmimin e zbulimin e njeriut e të universit.

Autor: Adem Demaçi

Marrë nga librushka “Filozofia e jetës

(Revista “Vlera”, nr. 26, maj/qershor 2018, fq. 8)

Të ngjashme

Back to top button