
Vetëdija demokratike është dija e përvetësuar e cila përkrah ose i nënshtrohet vullnetit të shumicës së qytetarëve për të ushtruar pushtetin politik, ose për të marrë vendime lidhur me interesin kolektiv. Përndryshe fjala demokraci vjen nga fjalët greke “demos” që domethënë popull dhe “kation” ose “kraci” që do të thotë pushtet.
Mënyra më efikase dhe më e përhapur për shprehjen e vullnetit të lirë të qytetarëve janë zgjedhjet e lira. Si shembull për vetëdijen e lartë demokratike, ka mbetur e shkruar dhe përmendet shpesh sjellja me vetëdije të plotë demokratike të një burrështeti të shtetit të lashtë të Athinës. Ky burrë ishte duke shkuar rrugës së qytetit, papritmas i afrohet një qytetar me rrasën e votimit në dorë dhe e lutë që t’ia plotësojë rrasën e votimit sepse ai kishte pas qenë analfabet. Kur e pyet bujari se për kë përcaktohet qytetari i lirë, pa ditur se me kë kishte punë, qytetari i lirë i thotë që të shënojë emrin e atij i cili pikërisht, ishte kundërshtari i bujarit që plotësonte rrasën. Ai, buzëqeshi dhe ia plotësoi rrasën sipas dëshirës së qytetarit analfabet.
Është e ditur nga të gjithë se historia e njerëzimit është plot periudha gjatë të cilave, me anën e dhunës, pushtetin e tyre, shumicës së popullit, ua kanë imponuar klasa, shtresa, grupe dhe individë të ndryshëm. Kjo ka qenë dhe është e mundur për shkak të kapacitetit të vogël të dijes dhe për shkak të shkallës së ulët të vetëdijes së qytetarëve. Mungesa e dijes dhe vetëdijes së duhur ka si rrjedhim paaftësinë organizuese të qytetarëve për të mbrojtur, ose për të imponuar vullnetin e tyre politik.
Autor: Adem Demaçi
Marrë nga librushka “Filozofia e jetës”
(Revista “Vlera”, nr. 26, maj/qershor 2018, fq. 6)