HistoriIslamologjiMësime IslamePolitik

Vdekja e të Dërguarit të Zotit (1)

Qëllimet e Muhammedit si i Dërguari i Fundit i Zotit në Tokë ishin:

  • Shkatërrimi i idhujtarisë dhe politeizmit
  • Shpallja e Njëshmërisë absolute të Krijuesit
  • Përpilimi përfundimtar i sistemit fetar dhe ligjor
  • Pastrimi i shpirtrave të burrave e grave
  • Shkatërrimi i padrejtësisë, pabarazisë dhe injorancës
  • Themelimi i një sistemi paqeje dhe drejtësie
  • Krijimi i një sistemi në formën e një shteti politik që do t’i realizonte të mësipërmet dhe që do ta ruante intensitetin e veprës së tij.

Brenda njëzet e tre vjetëve të misionit të tij si i Dërguar i Zotit, Muhammedi i arriti të gjithë këto qëllime dhe pas kësaj, filloi të bëhej e qartë se njësoj si të gjithë të vdekshmit, edhe ai do të ndahej nga kjo botë. Këtë lajm ai e mori së pari në kapitullin Nasr (Ndihma), i cili është kapitulli i 110-të i Kur’anit. Muhammedi e kishte kaluar gjithë jetën në devotshmëri ndaj Zotit dhe në adhurimin e Tij. Por pas shpalljes së këtij kapitulli, angazhimi i tij në adhurim dhe në përgatitje për t’u takuar me Të, u bë më i madh se kurdoherë më parë. Së paku në dy raste, i Dërguari la të kuptohej se vdekja e tij nuk ishte shumë larg.

Në fjalimin e tij gjatë Haxhit të Lamtumirës në Arafat, në ditën e nëntë të muajit Dhil-hixhxhe të vitit të dhjetë pas Hixhrit, ai tha:

Mbase ky është haxhi im i fundit”. Me të përfunduar fjalimin e tij, ai u parashtroi një pyetje pelegrinëve:

Kur të pyeteni nga Zoti juaj për punën time, ç’përgjigje do të jepni?

Pelegrinët u përgjigjën njëzëri:

Ti na përcolle porosinë e Zotit dhe e bëre detyrën tënde”.

Kur e dëgjoi këtë përgjigje, ai e ngriti vështrimin drejt qiellit dhe tha:

Zoti im! Ti dëshmo se e kam kryer detyrën time”.

Gjatë “kurorëzimit” të Ali ibn Ebu Talibit në Gadir Khumm, më 18 Dhil-hixhxhe të vitit të dhjetë pas Hixhrit, ai përsëri foli për mundësinë e vdekjes së tij dhe tha:

Edhe unë jam një i vdekshëm dhe së shpejti mund të thirrem në prani të Zotit tim”.

Dhjetëra mijëra myslimanë i dëgjuan këto fjalë të të Dërguarit dhe të gjithë e dinin se ai nuk do të qëndronte edhe shumë gjatë me ta. Ai vetë e dinte se e kishte përfunduar me sukses detyrën që Zoti i tij ia kishte besuar dhe për këtë arsye, mezi priste që të takohej me Të. I Dërguari i kalonte netët me gratë e tija, duke qëndruar me radhë tek secila. Më 19 Sefer të vitit 11 pas Hixhrit, e kishte radhën të flinte tek Aisheja. Natën, ai shkoi për t’i vizituar varrezat el-Baki, i shoqëruar nga shërbëtori i tij Ebu Muvajhibe, i cili përcjell këtë rrëfim:

I Dërguari qëndroi ndërmjet varreve dhe foli me këto fjalë: “Paqja qoftë mbi ata që janë në këto varre! Ju jeni të bekuar në gjendjen tuaj, në të cilën kaluat nga gjendja e njerëzve të kësaj bote. Sulme shkatërrimtare po vijnë njëra pas tjetrës nga çdo anë si valë errësire, secila më e ligë se tjetra”.

Muhammed Husejn Hajkal thotë se sëmundja e të Dërguarit filloi në mëngjesin e kësaj nate, domethënë më 20 të muajit Sefer. Më tej, ai thotë: “Pikërisht atëherë njerëzit filluan të merakoseshin dhe ushtria e Usames nuk lëvizi. Por fjalët e përcjella nga Ebu Muvajhibe vihen në dyshim nga shumë historianë, të cilët besojnë se sëmundja e Muhammedit nuk mund të ishte arsyeja e vetme që e ndalte ushtrinë dhe se një tjetër shkak ishte dëshpërimi i shumë personave, duke përfshirë disa nga paria e muhaxhirëve dhe ensarëve, në lidhje me udhëheqësinë e ushtrisë”. (“Jeta e Muhammedit”, Kairo, 1935).

Me sa shihet, ngjarja vijuese duhet të ketë ndodhur në mëngjesin e ditës së njëzetë të muajit Sefer. Sir William Muir thotë: “Një natë, i Dërguari eci deri drejt varrezave në dalje të qytetit. Atje, ai qëndroi duke medituar dhe duke u lutur për të vdekurit. Në mëngjes, duke kaluar pranë derës së Aishes, e cila vuante nga kokëdhimbja, ai e dëgjoi zërin e saj: Oh koka ime! Muhammedi hyri brenda dhe tha: Jo Aishe, unë jam ai që duhet të qajë për kokën e tij”. Pastaj vazhdoi me një zë të butë: Por a s’do të doje të vdisje derisa unë jam gjallë akoma, që të mund të lutem për ty dhe pastaj, pasi të të mbështjellin me qefin, të të zbresin në varr?”. “I ndodhtë dikujt tjetër kjo gjë!, u përgjigj Aisheja. Jo mua! Pastaj shtoi: Por kjo është ajo që ti dëshiron. Mund ta paramendoj se si, pasi ta kesh bërë gjithë atë dhe të më kesh varrosur, do të vije menjëherë në shtëpinë time dhe do ta kaloje natën duke u argëtuar me njërën nga gratë e tjera tuajat”. I Dërguari qeshi me thumbimet e Aishes por sëmundja i ishte rënduar aq shumë sa nuk mundi t’i përgjigjej me një ton të ngjashëm”. (“Jeta e Muhammedit”, Londër, 1877).

Vazhdon

Marrë nga libri “Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve”, autor: Sejjid Ali Asghar Razvi, përktheu: Numan Mustafa, shtëpia botuese: “Dielli”, Prishtinë, qershor 2013, fq. 390-392.

Të ngjashme

Back to top button