
VDEKJA E HAZRETI FATIMES r. a.
Fatimja ka qenë bija e dashur e të Dërguarit. Pas vdekjes së të Dërguarit, asaj ia grabitën kullosat në Fedek dhe ia sulmuan shtëpinë. Atë e lënduan dhe, në muajin e gjashtë të shtatzënësisë, ajo humbi një djalë, Muhsinin. Prej atëherë, ajo i kalonte ditët vetëm me fëmijët, të cilët i merrte për dore dhe dilnin jashtë qytetit, në vendin e quajtur “Shtëpia e vajtimit”. Atje kishte zakon të ulej dhe të vajtonte.
Pas vdekjes së babait, kur ato ditë të vështira u rikthyen, ajo e filloi përpjekjen edhe një herë. Përgjatë krizave (kur të gjithë shokët e Pejgamberit dhe luftëtarët e Bedrit, Huneinit dhe Uhudit heshtën ne Medinë) kjo nënë e vetmuar nuk pushoi së rezistuari. Ajo e vazhdoi fuqishëm qëndresën. Edhe natën ajo vizitonte shokët e Pejgamberit dhe personalitete ndikuese politike. Ajo foli me miqtë e mëdhenj të Pejgamberit dhe persona të rëndësishëm. Ajo u solli ndërgjegjësim të gjithëve. Ajo i kritikoi të gjithë; ajo shqyrtoi dhe parashikoi fatkeqësinë. Ky ishte roli i saj shoqëror që nga ajo kohë e deri sa ndërroi jetë. Me vdekjen e saj ajo krijoi një ngjarje politike.
Ajo kërkoi të varrosej natën. Pas vdekjes së saj, kujtimet, veprat dhe përpjekjet e saj krijuan një ringjallje në historinë islame. Ajo u bë manifestimi i kërkimit për drejtësinë dhe të vërtetën. Dëshirën e fundit e kishte që ta varrosnin natën, ashtu që ata të cilët ia mendonin të keqen, të mos mund t’ia gjenin as vendin se ku ishte varrosur.
Ajo vdiq në vetmi dhe në qetësi. Ajo i kërkoi Aliut ta varroste në fshehtësi, natën. Ja, kjo ishte një grua që e përdori edhe vdekjen e saj si mjet për të mbajtur gjallë luftën në rrugën e së vërtetës. Ja se ç’do të thotë të jesh grua muslimane sot!
Kjo është përmbledhja e tërë asaj që ka mbetur për këtë grua të madhe në kujtimet e njerëzve tanë. Mirëpo, përkundër njohurive të pakta që kanë për të, njerëzit tanë e pranojnë me gjithë zemër madhështinë dhe fuqinë e saj. Ata ia falin zemrën asaj me tërë fuqinë shpirtërore, me tërë besimin dhe vullnetin të cilin mund ta ketë apo mund ta krijojë bashkësia njerëzore.