FakteIslamologjiKëshille e PytjeMësime IslamePër jetë

UNITETI DHE VETËDIJESIMI

Autore: Ikballe Berisha Huduti

O bijtë e Ademit (kriminelë), po a nuk ua dërgova porosinë që të mos e dëgjoni djallin, se me të vërtetë ai është armiku juaj i hapët!?” (Surja Ja-sin, ajeti 60)

Para se të flasim për unitetin e myslimanëve në botë, do të dëshiroja që me pika të shkurta të elaboroja çështjen e armiqësisë në mes njerëzve, nga vjen ajo dhe si duhet ta menaxhojmë e ta largojmë në vete dhe në mesin ku jetojmë.

Që nga zanafilla e njerëzimit e deri në ditën të kiametit njerëzit janë armiq të njëri-tjetrit sepse ata e bënë mëkatin e parë në Xhenet dhe kjo fuqi iu dha Iblisit i cili i përçau bijtë e Ademit. Të kesh urrejtje dhe armiqësi në mesin e njerëzimit është një ndër dukuritë normale në shoqëri, gjersa nuk punojmë për të larguar. Për fat të mirë këtë armiqësi nuk mund ta gjejmë tek njerëzit që janë të devotshëm. Kjo argumentohet nga fjalët e Allahut të Lartësuar: “Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç atyre që ishin të sinqertë në miqësi” (Surja ez-Zuhruf, ajeti 67).

Siç e shohim devotshmëria është bazamenti i njeriut që dëshiron të jetojë i qetë në unitet me të gjithë njerëzit, që dëshiron ta përqafojnë rrugën e paqes e jo rrugën e shejtanit, sepse shejtani është armiku i hapët i njeriut. Nga kjo shihet se esenca e gjithë kësaj armiqësie është shejtani i cili e ka përdorur metodën shumë efektive tek njerëzit duke bërë krahasimin dhe duke i reflektuar dallimet në mes njerëzve me mendimin se unë jam më i mirë se ti, andaj shejtani nuk i bëri sexhde Ademit vetëm e vetëm se e kishte mendjemadhësinë dhe mburrjen duke menduar se është më i mirë se Ademi në krijim (Surja el-A’raf, ajeti 12).

Dallimet dhe llojllojshmëritë në shoqëri janë begati dhe mjeshtri e Krijuesit, ndërsa industria dhe fabrikat e ndryshme krijon gjëra të njëjta për të mirën e njerëzve të llojllojshëm. Diversiteti apo llojllojshmëria është bërë që të mund të njihemi mes vete e jo të urrehemi e të jemi të ndarë.

O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete” (Surja el-Huxhurat, ajeti 13).

Nga e gjithë kjo kuptojmë se dallimet dhe llojllojshmëritë ekzistojnë që të njihemi ndërmjet vete, e jo t’i keqpërdorim dallueshmëritë qoftë në ideologji, në veprim, në dukje, në nivel të shkollimit, kodit shoqëror, apo statusit shoqëror. Në jetën e përditshme duhet ta respektojmë njëri-tjetrin e kurrsesi ta urrejmë apo paragjykojmë pse ai mendon apo vepron ndryshe.

Diktatorët dhe regjimet diktatoriale dëshirojnë që të gjithë njerëzit të jenë të njëjtë dhe kjo punë diktatorizmi në mesin e myslimanëve është një element i ngjashëm me dogmatizmit. Njeriu i përpiktë në dogma religjioze apo diktatorizma politike, nuk i lejon të tjerët ta njohin llojllojshmëritë dhe të mirat e jetës, nuk i lejojnë të tjerët të mendojnë lirshëm dhe ndryshe, nuk e lejojnë që njeriu ta njohë talentin e tij ta njohë veten, por në njëfarë mënyre për shkak të traditës, rrethit ku jeton, mentalitetit, apo ligjeve dhe konventave të vetkurdisura, ata bëhen viktima të këtyre rrethanave edhe pse nuk janë në kundërshti me Zotin dhe kështu pra nuk arrin ta njohin veten, për të cilën njohje Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) i ka kushtuar shumë rëndësi dhe ka thënë:

Arabisht:

 من عرف نفسه فقد عرف ربه

Transliterimi:

Men arefe nefsehu fekad arefe rabbehu

Përkthimi:

Kush e njeh veten e tij, atëherë e njeh Zotin e tij”.

Derisa myslimanët në botë nuk i largohen shablloneve diktatoriale dhe nuk i kthehen vlerave të tyre njerëzore autentike, ata do të kenë mospajtime në mes vete, do të jenë të përçarë. Për këtë pjesë të shoqërisë i vetmi shërim është të jenë të devotshëm, muttekīn, e cila devotshmëri me qindra herë është përmendur në Kuran, për të cilën devotshmëri kanë folur pejgamberët dhe imamët e Ehli Bejti (paqja qoftë mbi ta). Imamët e shenjtë (paqja e Allahut qoftë mbi ta) na ka këshilluar se ne nuk mund ta gjykojmë një njeri tjetër sipas mendimit tonë gjersa nuk e njohim atë për së drejti në të folur e në veprim prandaj thuhet se shumica e paragjykimeve është mëkat (surja el-Huxhurat, ajeti 12).

(Revista “Vlera”, nr. 9, nëntor/dhjetor  2013, fq. 3)

Të ngjashme

Back to top button