
Toleranca në Kuranin Fisnik
Kurani Fisnik në mënyrë përfundimtare e ndalon dhunën, detyrimin, shtrëngimin dhe fanatizmin në fe, bindje dhe mendim, dhe si zgjidhje nxit tolerancën fetare, lirinë e besimit dhe mirëkuptimin me njerëzit. Muslimanët i zbatojnë urdhrat e Zotit dhe nuk e detyrojnë askënd që ta ndërrojë fenë. Kështu, ne vërejmë tolerancë të madhe të Kuranit dymbëdhjetë shekuj para se parimet e lirisë së ndërgjegjes të shpalleshin nga ana e Revolucionit Francez.[1] Në rreth pesëdhjetë versete kuranore[2] bëhet thirrje për tolerancë dhe liri të ndërgjegjes, dhe ndër më kryesorit është:
لَا إِكْرَاهَ فِي الدِّينِ ۖ قَد تَّبَيَّنَ الرُّشْدُ مِنَ الْغَيِّ
“S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra”.[3]
Versetet tjera kuranore janë si plotësuese dhe sqaruese për këtë parim, si:
وَلَوْ شَاءَ رَبُّكَ لَآمَنَ مَن فِي الْأَرْضِ كُلُّهُمْ جَمِيعًا ۚ أَفَأَنتَ تُكْرِهُ النَّاسَ حَتَّىٰ يَكُونُوا مُؤْمِنِينَ
“Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!”[4]
Zgjedhja e besimit dhe e mendimit është çështje personale e njeriut:
وَقُلِ الْحَقُّ مِن رَّبِّكُمْ ۖ فَمَن شَاءَ فَلْيُؤْمِن وَمَن شَاءَ فَلْيَكْفُرْ
“Dhe thuaj: E vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë”.[5]
Koncepti i tolerancës ndaj besimeve të tjera vjen nga parimi kuranor që duhet ta di çdo besimtar musliman:
لَكُمْ دِينُكُمْ وَلِيَ دِينِ
“Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time”.[6]
Mënyra se si një besimtar musliman duhet të jetë tolerant, zemërgjerë, i mëshirshëm dhe komunikues me pjesëtarët e feve ose bindjeve të ndryshme, është porosia:
ادْعُ إِلَىٰ سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ ۖ وَجَادِلْهُم بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ
“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë”.[7]
Duke e përmbledhur atë që u tha më lart, theksojmë se Kurani Fisnik me shprehjet më të shkëlqyera të mundshme, i bëri liritë fetare pjesë fundamentale të besimit islam.
Autor: Besmir Yvejsi
(Revista “Vlera”, nr. 27, tetor-nëntor 2018, fq. 14)
Vazhdon
______________________________
[1] Dr. Ahmed Mohammad el-Hofy, “La tolérance de l’Islam (Toleranca islame)”, përktheu në shqip: Mehmet Zhinipotoku, shtypi “NGB Interpress”, Prishtinë 1993, fq. 13.
[2] Për të gjitha këto ajete kuranore, shiko artikullin e autorit Osman Nuri Haxhiq, “Toleranca dhe fanatizmi fetar”, përktheu në shqip: Naxhi Ibrahimi, revista “Ditura Islame”, nr. 25, Prishtinë, maj 1991, fq. 45-46.
[3] Kaptina el-Bekare, citati 256. Të gjitha ajetet kuranore janë të nxjerrura nga përkthimi i kuptimeve të Kuranit të Madhërishëm të bëra nga: Prof. Hasan I. Nahi, “Kurani i Madhërishëm”, boton: “Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam”, botimi i katërt, shtypi “Mileniumi i Ri”, Tiranë 2006.
[4] Kaptina Junus, citati 99.
[5] Kaptina el-Kehf, citati 29.
[6] Kaptina el-Kafirun, citati 6.
[7] Kaptina en-Nahl, citati 125.