
Testamenti i pashkruar i të Dërguarit të Zotit (2)
Fjalët e panevojshme dhe të paarsyeshme të Umerit shkaktuan një diskutim ndërmjet të pranishmëve në dhomën e të Dërguarit. Disa prej tyre thoshin se duhej t’i bindeshin Mësuesit të tyre e të sillnin letër, bojë dhe një penë. Të tjerët, që ishin shumicë, e përkrahën Umerin dhe nuk lejuan që të silleshin gjërat e nevojshme për shkrim. Diskutimi u bë aq i pakëndshëm dhe i zhurmshëm, sa i Dërguari u kërkoi që të dilnin jashtë e ta linin të qetë. Në “Sahihun” e tij, Buhariu shkruan:
“Kur sëmundja e të Dërguarit u përkeqësua, ai tha: “Më sillni letër që të mund të shkruaj për ju një testament, i cili s’do t’ju lërë të devijoni pas vdekjes sime”. Umer ibn el-Khattabi tha: “Jo. Këto janë fjalë të pakuptimta. Neve na mjafton Libri i Zotit”. Një tjetër njeri tha: “Duhet të sjellim letër”. Pastaj filloi një zënkë dhe i Dërguari tha: “Dilni jashtë!”.
Mosbindja e Umerit ndaj të Dërguarit të Zotit i kishte polarizuar ndjekësit e këtij të fundit në dy grupe. Pikërisht në këtë çast filloi ndarja në shoqërinë myslimane. Me shumë gjasa, kjo ishte hera e fundit që i Dërguari i Zotit po shprehte një dëshirë para ndjekësve të tij. Por ata nuk ia plotësuan. Ai ishte i shqetësuar nga ky kundërshtim i hapur por mbase jo ‘dhe aq i befasuar. Kjo nuk ishte hera e parë që ata shfaqnin mosbindje. Ekspedita e Usames i kishte demaskuar tashmë të tillët.
Sir William Muir shkruan: “Atë çast, duke e njohur Umerin dhe disa prej ndjekësve të tij më në zë që ndodheshin në dhomë, ai (Muhammedi) tha: “Më sillni bojë dhe letër, që të mund të shkruaj për ju një gjë që s’do t’ju lërë të devijoni asnjëherë”. Umeri tha: “S’është i vetëdijshëm se ç’thotë. A s’na mjafton neve Kur’ani?” (“Jeta e Muhammedit”, Londër, 1877).
Muhammed Husejn Hajkal thotë: “Ndërsa ishte i kapluar nga ethet dhe i rrethuar nga vizitorë të shumtë, Muhammedi kërkoi një penë, bojë dhe letër. Ai tha se do të diktonte diçka për të mirën e ndjekësve të tij, duke i siguruar se sikur t’i ndiqnin këto këshilla, kurrë nuk do të devijonin. Disa prej tyre mendonin se ngase Profeti (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të) ishte i sëmurë rëndë dhe ngase ata e kishin Kur’anin tashmë, nuk kishte nevojë për shkrime të mëtejme. Përcillet se ky ishte mendimi i Umerit. Të pranishmit s’u morën vesh dot ndërmjet veti në lidhje me këtë çështje. Disa thoshin se duhej të silleshin materialet për shkrim dhe të shkruhej ajo që do të diktonte Profeti. Të tjerë thoshin se shkrime të tjera përveç Librit të Zotit do të ishin të tepërta dhe të panevojshme. Muhammedi u kërkoi të dilnin, duke thënë: “Juve s’ju ngjan të ziheni në praninë time”. Ibn Abbasi kishte drojë se myslimanët do të humbnin diçka me rëndësi po të mos silleshin materialet e shkrimit por Umeri ishte i palëkundur në vendimin e tij, i cili mbështetej në fjalët e Zotit: “Dhe asgjë s’kemi lënë mënjanë në këtë Libër” (“Jeta e Muhammedit”, Kairo, 1935).
Në një artikull të titulluar “Ikbali dhe politika islame” dhe të botuar në numrin e muajit prill të vitit 1946 në revistën “Muslim news international” në Karaçi të Pakistanit, autori Xhemilud’din Ahmed, shkruan: “Pyetja me të cilën përballen vendet myslimane është: “A është i aftë Ligji Islam për të evoluar?” Një pyetje kjo, e cila do të kërkojë një përpjekje të madhe intelektuale dhe që pa dyshim do të gjejë një përgjigje pozitive, sikur bota islame të merret me këtë pyetje në stilin e Umerit, i cili është mendja e parë e pavarur dhe kritike e Islamit dhe që në çastet e fundit të jetës së Profetit, e pati guximin moral për të thënë: “Libri i Zotit na mjafton”.
S’ka dyshim se autori i përcjellë më sipër është tejet krenar për “guximin moral” të Umerit. Muhammedi, i Dërguari i Zotit, ishte në shtratin e vdekjes dhe mbase i kishin mbetur vetëm disa orë jetë. Pikërisht ky ishte çasti kur Umeri kishte vendosur ta tregonte “guximin e tij moral”. Në Hudejbije, kur i Dërguari i urdhëroi t’i dërgonte një porosi Kurejshve në Mekke, ai kishte refuzuar duke thënë se nuk kishte askënd në qytet që do të mund ta merrte nën mbrojtje dhe se po të shkonte i pambrojtur, do ta vrisnin.
Përveç kësaj, kur u nënshkrua marrëveshja e Hudejbijes, Umeri i prirë nga “dashuria” e tij për Islamin, e kundërshtoi hapur të Dërguarin e Zotit. Dhe tani, kur i Dërguari ishte në shtratin e vdekjes, kjo “dashuri” e njëjtë u shfaq sërish dhe e bëri atë që ta pengonte të Dërguarin e Zotit nga të shkruarit e një gjëje që sipas tij, do ta “rrezikonte autoritetin e Librit të Zotit”.
Marrë nga libri “Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve”, autor: Sejjid Ali Asghar Razvi, përktheu: Numan Mustafa, shtëpia botuese: “Dielli”, Prishtinë, qershor 2013, fq. 375-378.