
Të drejtat e femrës në Islam
Autor: Mexhid YVEJSI
Islami është jo vetëm fe apo religjion, por është edhe një sistem shoqëror, ekonomik, kulturor, politik, juridik, ku përfshihen të gjitha dimensionet e jetës që çojnë drejt së Vërtetës. Femra në Islam është vlerësuar, çmuar që në fillim të shpalljeve të Muhammedit a.s. (paqja qoftë mbi të) duke e bërë atë të ndershme, me vlerë dhe me përgjegjësi në shoqëri. Islami, si një sistem jete i përsosur, ligjet e veta rreth femrës i ka sistematizuar në të gjitha fazat e jetës, në të gjitha format, qysh si fëmijë, jetime apo me prindër, vajzë e re, e martuar, e shkurorëzuar, motër apo nënë, nuse apo plakë, ajo ka vlerën, rëndësinë, autoritetin, kufizimet dhe përgjegjësinë. Dallimi gjinor në mes burrit dhe gruas është dallim njerëzor, por jo hyjnor. Ky dallim, tek krijesat ekziston, por tek Krijuesi kjo dallueshmëri ka kuptimin barazi. Zoti i dallon krijesat vetëm sipas diturisë, besimit, veprimit, devotshmërisë, jo kurrsesi sipas gjinisë.
Islam ka garantuar të drejtat e barabarta të mashkullit dhe të femrës, gjithashtu, i konsideron të barabartë në të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë njerëzore. Ajetet kuranore e vërtetojnë këtë qëndrim: “O njerëz, Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju ndamë në popuj e fise që të njiheni. Më i devotshëm tek Allahu është ai i cili Atij i frikësohet më së shumti”. (Surja el-Huxhurat, ajeti 13)
“Asnjërit prej jush që mundohet, mundin e tij nuk do t’ia mohojmë, as mashkullit as femrës, ju jeni njëri prej tjetrit”. (Surja Ali Imran, ajeti 195)
“Kurse besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin: kërkojnë të kryejnë vepra të mira, kurse largohen nga të pahijshmet, e falin namazin dhe e japin zekatin, dhe respektojnë Allahun e Pejgamberin e Tij. Ata janë prej atyre për të cilët Allahu do të ketë mëshirë”. (Surja et-Teube, ajeti 71)
“Nuk ka dyshim se për myslimanët e myslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh”. (Surja el-Ahzab, ajeti 35)
“O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke nënçmuar njëra-tjetrën) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape”. (Surja el-Huxhurat, ajeti 11)
“Meshkujve u takon hise një pjesë nga ajo që e lënë prindërit dhe të afërmit, por edhe femrave një pjesë që e lënë prindërit dhe të afërmit”. (Surja en-Nisa, ajeti 7)
“Meshkujve u përket shpërblimi për atë që e bëjnë ata, kurse femrave u përket shpërblimi për atë që e bëjnë ato”. (Surja en-Nisa, ajeti 32)
Allahu e ka urdhëruar femrën që të vishet: “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre (pjesët e trupit), përveç atyre që janë të dukshme”. (Surja en-Nur, ajeti 31)
Ky urdhër, si edhe të tjera, nuk janë mohim, pengim apo cenim i të drejtave të saj, por është udhëzim, që çon në shpëtim, që mos të bie në greminë të degjenerimit, përbuzjes apo përçmimit…
(Revista “Vlera”, nr. 7, nëntor 2011, fq. 18-19)