Këshille e PytjePër jetëPsikologjiSociologji

Shpresa

Shpresa është mëshirë

I Dërguari i Allahut, Muhammedi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) thotë: “Shpresa është mëshirë për ummetin tim. Po të mos ishte shpresa, kurrë nëna nuk do t’i jepte gji fëmijës së saj, e as pemëtari nuk do të mbillte fidanin”.

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Shpresa është miku i ngushtë”.

Shpresat nuk kanë mbarim

I Dërguari i Allahut, Muhammedi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) thotë: “Kush shpreson të jetë nesër, në të vërtetë shpreson të jetojë përgjithmonë”.

Imam Aliu (a.s.) ka thënë: “Shpresa nuk e ka mbarimin e vet”. Gjithashtu ka thënë: “Shpresat nuk mbarojnë”.

Paralajmërimi për shpresat e kota

Kurani i Madhëruar thotë: “Lëri ata që të hanë e të kënaqen dhe le t’i mashtrojë shpresa; ata do ta marrin vesh!” (Surja el-Hixhr, ajeti 3)

Disa thënie të imam Aliut (a.s.) në lidhje me shpresat e kota janë:

* “Ruajuni nga shpresat e kota; sa ka pasur prej atyre që kanë shpresuar për të nesërmen, kurse nuk e kanë pritur, dhe ata të cilët në fillim të natës kanë qenë të gëzuar, e në fund të saj të përlotur”.

* “Dëshira është si iluzioni, mashtron atë që e sheh dhe e tradhton atë që shpreson”.

* “Shpresat i verbojnë sytë e brendshëm”.

* “Shpresa është prijës i shejtanit në nënshtrimin e zemrës së të shkujdesurve”.

* “Pasojë e shpresës është shkatërrimi i veprave”.

* “Vërtet, shpresa e bën zemrën të humbur, jep premtime të rrejshme, shton pakujdesinë dhe sjell hidhërim”.

* “Vërtet, shpresa rrëmben mendjen, jep premtime të rrejshme, nxit në pakujdesi, sjell hidhërim. Prandaj, shpresën konsiderojeni të rrejshme, sepse ajo të mashtron, kurse ai që posedon mashtrimin është edhe mëkatar”.

Ndërsa imam Xhafer Sadiku (a.s.) ka thënë: “Shumë janë të mirat e Zotit që i janë dhënë robit, për të cilat ai nuk ka shpresuar. Shumë ka të tillë që kanë shpresuar, kurse u është dhënë tjetër gjë”.

(“Peshorja e urtësisë (përmbledhje e haditheve)”, përmbledhjen e përzgjodhi: Muhamedi Rej Shehri, përktheu: Besa Bytyqi, botues: “Zehra” Prizren 2010, fq. 31-32)

Të ngjashme

Back to top button