
Respekti për mikun sipas Imam Xhevadit (a.s.)
Imam Xhevadi (paqja qoftë mbi të) e përcolli idenë e respektit për mikun në fjalimet dhe në mësimet e tij. Ai thotë: “Është respekt kur mikun e këshillon fshehurazi dhe fyerje kur e këshillon në sy të të tjerëve”.
Në këtë thënie të çmueshme, Imami tregon fillimisht se të këshilluarit e vëllait tend besimtar mund të jetë një gjë e detyrueshme në raste të caktuara, sepse përbën urdhërim të të mirës dhe pengim të të ligës. Në këtë thënie, ai e përcjell mënyrën e civilizuar të të këshilluarit, pa e ofenduar fare pranuesin e këshillës. Ky është një virtyt tejet pozitiv, të cilin duhet ta ketë çdo besimtar. Të këshilluarit e ndërsjellë do të ishte një metodë shumë efektive nëse praktikohej në mënyrën e duhur. Imam Xhevadi vendos një themel për këtë sjellje etike dhe shoqërore, sipas të cilit nëse dikush dëshiron ta këshillojë të vëllain, ai duhet ta zgjedhë vendin dhe kohën e duhur për këtë gjë, sepse në të kundërt, rezultati mund të jetë më shumë negativ sesa pozitiv.
Një shkak shumë i rëndësishëm i rezultatit negativ të një këshille është pikërisht kryerja e saj në sy të të tjerëve. Në këtë rast, personi ose do ta mohojë veprimin e vet të ligë, duke bërë që këshilla të shkojë dëm, ose do të nevrikoset, do ta kundërshtojë këshilluesin dhe madje do të fillojë ta sulmojë atë, duke folur para të tjerëve për aspektet negative të tij. Në këtë rast, këshilla do të kthehet në një gjë të ligë dhe përplot urrejtje, që nuk bën tjetër veçse shkakton fyerje të tjetrit.
Imam Xhevadi (paqja qoftë mbi të) thotë: “Këshilla duhet të bëhet në fshehtësi, sepse kështu do të ketë një ndikim të madh tek personi, i cili mbase ka për ta pranuar me shumë zell. Në rast të fshehtësisë, personi i këshilluar do të ndjejë se pas këshillës fshihet dashuria dhe merakosja për besimin e tij dhe për mirëqenien e tij në këtë botë dhe në tjetrën, e jo dëshira për ta fyer e poshtërsuar”.
Në anën tjetër, në rastin e këshillimit ekzistojnë edhe disa aspekte që kanë të bëjnë me vetë këshilluesin. Ai duhet të jetë i kujdesshëm karshi motivimeve të brendshme vetjake, si për shembull dëshira për të fituar nam në mesin e njerëzve, që është ndër sëmundjet më serioze morale, të cilat mund ta “infektojnë” njeriun në mënyrë krejt të pavetëdijshme. Ai që përpiqet të këshillojë në publik duhet të dijë se qëllimi i tij mund të jetë shenjë e një shpirti që dëshiron të ligën, më shumë sesa një motivim që buron nga besimi.
Ky rregull moral, i shpjeguar nga Imam Xhevadi (paqja qoftë mbi të), është ndër parimet më të rëndësishme të mirësjelljes, që mund të ketë shumë dobi dhe të krijojë një shoqëri me mekanizma vetëkontrolli përballë gabimeve dhe mëkateve.
(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 12, tetor 2014, fq. 44)