HistoriIslamologjiMësime IslameQerbelaja

QERBELAJA – Pjesë nga kënga XVI (6)

(Vazhdim)

Kënga XVI

Ajy Imam’ i vërtetë,
burri trim pa gjë të metë,
ishte veshurë si pylli,
edhe ndrinte posi ylli.

Armëtë i vetëtinin,
armikëvet frik’ u shtinin,
mburonjën’ e Hamzajt mori
dhe kordhën’ e t’et përdori,
qëndroj kundrejt ushtërisë
s’armikut të Perëndisë.

Andej ish Jezitërija
këtej vetë Perëndija,
qëndroj kundrejt ushtërisë
nder’ i gjithë njerëzisë.

Pa u tha: O ju të parë,
dhe ju gjithë ushtëtarë,
që më shkruat’ e më prutë,
pasdaj luftënë më zutë.

Gjithë punët ju i prishtë,
këtu mua ju më grishtë,
tani më rat’ e më vratë,
njeri gjall nukë më latë!

U thashë, që të më lini,
më qafë të mos më bini,
pa të dal e të mar dhenë,
edhe ju të kini mbrenë!

Të ikënj nga Arabija,
nga vëndi e nga shtëpija
dhe këtë nukë ma dhatë,
po më pshuallt’ e s’më latë.

Ç’faj u paç e ç’u kam bërë
q’u bët’ armikë të tërë!
S’kini turp të turpërohi?
Edhe tani po s’pendohi?

S’më dinj’ i kujt bir jam unë?
Ç’është kjo pun’ e përdhunë?
E harruatë Alinë?
E latë pas Perëndinë?

Më s’e doni Muhamenë?
Të bijënë Fatimenë?
Nuk’ ësht ajo mëma ime?
Pse s’pattë turp as thërrime
gjyshi im vall’ u vu besë?
A i at’ i Mavijesë?

Turpëruatë dhe fenë,
dhe kombin’ e mëmëdhenë,
edhe besënë e latë,
n’arrati të madhe ratë.

Latë edhe Perëndinë,
edhe Muhamet Alinë,
bëtë besë djallëzitë,
edhe gjithë ligësitë.

U ndatë nga njerëzija,
e nga gjithë mirësija!
Harruatë Perëndinë!
bëtë zot Jezitërinë!

Lat’ Alin’ e Muhamenë,
edhe zutë Mavijenë,
dhe t’an e tija Syfjanë,
edhe Jezitn’ e Mervanë,
mos s’na shat’ e mos s’na vratë,
gjë pa bërë nukë latë.

(Vazhdon)

Naim Frashëri, “Qerbelaja”, botues: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë 2011, fq. 210-212.

Të ngjashme

Back to top button