HistoriIslamologjiMësime IslameQerbelaja

QERBELAJA – Pjesë nga kënga VII (3)

(Vazhdim)

Kënga VII

Mavijeja ish një kërmë,
q’u dha botës kaqë dërmë!
Vdiq e vate në skëterrë,
e kallë në dhet si derrë;
vate në djall shpirt’ i ndyrë
po mbet një tjatrë myxyrë.

Çdo njeri po do të vdesë!
jet’ e shkret’ është si vesë!
Po lum kush është i mirë!
Mjer ajy, q’ësht’ egërsirë!
Mavijeja tej çe nxorri?
Nëmënë me vehte mori.

Të paudhëtë u ngritnë,
e vunë në front Jezitnë.
Jeziti s’ish si i ati,
ish më shum’ i lik lugati,
fat’ i zi o fat’ i shkretë,
Jezitnë bën mbret në jetë!

Mënjan’ ishte mirësija,
m’anët tjatrë djallëzija,
mënjan’ ishin urtësitë,
m’anët tjatrë marrëzitë.

Mënjan’ ishte e vërteta,
mënjan’ e rremja e shkreta,
mënjan’ ish Imam – Hyseni
m’anët tjatrë Jezit – qeni.

(Vazhdon)

Naim Frashëri, “Qerbelaja”, botues: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë 2011, fq. 92-93.

Të ngjashme

Back to top button