Mësime Islame

PSE DUHET TË LUTEMI

E Punoi: H.Ikballe Berisha Huduti

Falënderimi dhe lavdërimi janë vetëm për Allahun, Krijuesin dhe Rregulluesin e botëve, Atij i lutemi të dhurojë paqe e nderim për Pejgamberin s.a.v.s. për familjen e tij të pastër, për shokët e tij besnikë dhe për gjithë muslimanët e muslimanet.

Lutjen Zoti e ka bërë një nga shkaqet që ndikon efektivisht në punët e njeriut. Kjo do të thotë që njeriu duhet të jetë i vëmendshëm, e me zemër të hapur ndaj Zotit, e të kërkoj ndihmën e tij nëpërmjet lutjeve vërtetë serioze. Është një gjë fare e sigurt se Allahu i Lartësuar njeh gjithçka, Ai e di se çfarë dëshiron njëri e tjetri dhe i di sekretet e brendshme të gjithkujt.
Nëse jeni në ndonjë fatkeqësi apo, Zoti na ruajt, ju ka pllakosur ndonjë fatkeqësi, mos e humbni shpresën dhe kurajën, mos u dorëzoni në përpjekjet tuaja për ta larguar këtë gjendje. Lutuni Zotit sinqerisht, sepse ju nuk mund të parashikoni nëse keni apo nuk keni rrugë shpëtimi nga situata e vështirë në të cilën ndodheni. Nga gjithë kjo do të mundohemi të jemi më bindëse, për ju të dashura lexuese, me një thënie në Kuran, ku Allahu i Lartësuar thotë se: “Çdo çast ai bie në ekzistencë një shfaqje të re me pushtet të vet,…” , andaj ne nga kjo thënie e vetë Zotit përfitojmë një besim dhe bindje të fortë, se për Të, i qofshim falë Atij, aspak nuk është vështirë brenda një sekonde të na bëjë fytyrën tonë të gëzuar, një hidhërim të na zëvendësojë me një gëzim.
O zemër, mos ta shohim Zotin si kriminel e të mllefosemi me Të. Jo, ai është i Mëshirshëm, Falës, ai na do neve më shumë se nëna fëmijët. Ai na lë neve të lirë, ndërsa në punët tona sjell fat, lumturi e hidhërim. Ndërsa për besimtarin nuk ka hidhërim, kur atij i ndodhë një gjë e lig, ai vetëm shikon si të bisedojë me veten e tij, e të gjejë shkakun pse kam ardhur tek ky problem, të arsyetohet me personalitetin e tij në mënyrë që të gjejë zgjidhjen. Për besimtarin edhe gjëja më e ithët, që mund ta vërejnë njerëzit me sytë e vërtetë, është e mirëseardhur dhe e kalon me durim, sepse e di që pas durimit është shpëtimi nga e keqja. Nëse nuk ka durim, atëherë hidhërimi ynë bëhet i ithët dhe na i helmon shumë ëmbëlsi që do i kishim pasur pas asaj fatkeqësie apo hidhërimi, po sikur të kishim besuar në forcën e mëshirën e Zotit.
Nga e gjithë kjo që u tha më lart, neve nuk na mbetet të dëshpërohemi e të shqetësohemi, nëse besojmë te Zoti i Madh. Kur Zoti çdo çast e moment bie në ekzistencë një gjendje të re, e mbasi Ai ka këtë fuqi, atëherë çka na mbetet neve? Neve na mbetet të jemi të durueshëm, të kërkojmë, së pari falje për ndonjë gabim tonin, e pastaj lutje e kërkesë për të na ndryshuar gjendjen.
Vetëm i Gjithëmëshirshmi i di hallet dhe nevojat e njerëzve, prandaj ne i drejtohemi vetëm Atij, mu siç urdhëron Zoti i Lartësuar në Librin e tij Famëlartë ku thotë: ( ve kale rab-bukumud’uni estexhib lekum). -“Dhe Zoti juaj tha: Më thirrni mua, Unë ju përgjigjem juve……”( Surja Gafir ajeti 60).
Allahu i Lartësuar i udhëzon krijesat e Tij, se në fillim të çdo pune së pari duhet filluar me emrin e tij, e pastaj duhet falënderuar Atë, e pastaj u tregon atyre se si të luten dhe çfarë të kërkojnë prej Tij. Në suren Fatiha, pas falënderimit të Allahut, muslimanët disi bëjnë pohimin solemn me fjalët (Ij-jake na’budu ve ij-jake nestein) që do të thotë; “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej teje ndihmë kërkojmë.””

Çka është lutja – duaja?

Nga pikëpamja gjuhësore dua do të thotë: Dëshirë e madhe për tek Allahu i lartësuar. Në gjuhën arabe fjala dua vjen herë në kuptimin e kërkimit të ndihmës, herë në kuptimin e adhurimit, dhe herë në kuptimin e lutjes. Andaj, dijetarët e mëdhenj islam na mësojnë se Allahut nuk i bëhet lutje vetëm për të kërkuar plotësimin e interesave, por përmes lutjeve ne e shprehim njëherë falënderimin tonë e pastaj edhe bindjen që kemi për Të, se përndryshe mos të kishim besuar në Zot ne nuk iu kishim drejtuar Atij.
Lutja, përndryshe, është dëshira e madhe për të qenë pranë Allahut të Lartësuar. Lutja herë bëhet (më së shpeshti) për të madhëruar Allahun, e herë për të kërkuar diç prej Tij.
Fjala dua- lutje në Kuranin Famëlartë përmendet 215 herë, andaj muslimani besimtar është i ndërgjegjshëm për rëndësinë e duasë(lutjes), por ne duhet ta dimë se duaja nuk është e pranueshme pa kushtet paraprake që do t’i përmendim disa prej tyre:
Besim të patundur në ekzistimin e Zotit dhe vetëm Zotit.
Nënshtrim dhe përgjërim të plotë ( se vetëm Allahu e dëgjon dhe i përgjigjet lutjes së tij ) .
Të jetë korrekt me kryerjen e detyrimeve që ia ngarkon feja,
Të ketë cilësinë e mirësisë,
Të ketë mirësjellje ndaj prindërve .
Lutja është gjithashtu e lavdëruar edhe në fjalët e të Dërguarit të Allahut, i cili ka thënë lidhur me lutjen “ Lutja është truri i adhurimit” dhe “ Lutja është adhurim”.

Të ngjashme

Back to top button