
PROFETI MUHAMED (s.a.a.) DHE KËRKIMI I DITURISË (tregim urtësie)
Profeti i nderuar Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) një ditë prej ditësh hyri në xhaminë e tij në Medine dhe sytë i zunë dy grupe të ndryshme njerëzish të mbledhur në formë rrethi, ku secili po kryente nga një punë. Njëri grup po falej, lutej dhe bënte dhikër (përmendje të Zotit); grupi tjetër po debatonte çështje të ndryshme, lexonte dhe mësonte. Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i pa me vëmendje të dyja grupet dhe u kënaq prej tyre. U kthye nga njerëzit të cilët e shoqëronin dhe u tha:
“Të dyja këto grupe po bëjnë punë të mirë dhe të pëlqyeshme dhe janë të lumturuar”. Pastaj shtoi: “Por edhe unë jam dërguar për të mësuar dhe udhëzuar”. Dhe, kështu ai shkoi drejt atij grupi i cili po merrej me mësime dhe diskutime dhe u ul në mesin e tyre.
Redaksia e revistës “Vlera”.