
Poezi
ZGJOJE DASHURINË E FJETUR
Zoti kur krijoj dashurinë, e vari pranë arshit si stoli
Do ta vë në gjoksin e robit tim, me krijimin tënd o njeri
Dhe zgjuar ta mbash si dritë të ndezur deri në përjetësi
Mos të të mashtrojë ziliqari, as kotja mos të rrëmbejë ty
Zgjoje dashurinë e fjetur para se dielli të ketë perënduar
Do ndriçojë si kandil në netët e errëta me acar të tërbuar
Zemra kupë hyjnore, në të Zoti zbrazi fshehtësinë
E gjetën ata që vrerin larguan dhe zgjuan dashurinë
Pastruan çdo kënd të saj dhe djallin e dëbuan
Botës dashuri i shpërndanë, edhe pse u injoruan
Pjesë e asaj dashurie ende valëvitej në qiell si patkua
Fati bëri të lëshohej vrik, në zemër më goditi mua
I dehur nga vera hyjnore gjithë natën vallëzova e këndova
Të zgjuarit s’mund të flinin, të fjeturit nga gjumi i zgjova
Miqtë më pyesnin: ç’ke që sillesh në sema, o Ali
Sakiu, vere shpërndarësi thashë, më magjepsi me verën e tij.
UDHËRRËFYESIT SHPIRTËRORË
Pa ty jeta e mërzitshme m’është bërë
Rrjedhin ditët, ngadalë kalojnë
Zemra boshllëk ka, dhe ankth përherë
Sytë e pikëlluar gjithkah të kërkojnë
Zëri yt ende vibron nëpër hapësirë
E veshi im dëgjues, e përcjellë
Fjalë dhe Esencë kërkon për t’i përpirë
Bartur nga ti, rreth nesh mbetur përherë
Më mësove se në jetë pa dashuri
Si i vdekur je, edhe pse jeton
Shpirti robërohet nga epshi me ndyrësi
Gjërat e kota zemra adhuron
Rrugën më tregove drejtë së vërtetës
E udhërrëfyes m’u bëre n’këtë udhëtim
Në dashurinë hyjnore më the gjeje vetëvetën
Do bësh shtatë tavafe e do gjeshë shpëtim
Kah drita më the kthehu, ik nga terr i zi
Me gjuhë e zemër Krijuesin, përkujto gjithnjë
Jetën do jetosh kur zemra t’ketë gjallëri
Lumturi gjenë shpirti dhe kënaqësi pa kufi
Jetën ma ndryshove, rilinda përsëri
Feniks legjende u bëra, ngritur nga pluhuri
Si flutur drejt zjarrit fluturova kah ti
Nën dy harqet tua nuk të pashë prej nurit
GJUHË E ALIUT
Sikur Haruni për Musajin
u bëre ti për Muhamedin
të përkushtuarit gjetën mevlain
që pandërpre ta shijojnë xhenetin
Ti je Haruni, veç jo Profeti
zëdhënes i ndjenjave madhore
çka pa dhe ndjeu Muhamedi
me gjuhën tënde e dëshmove
Nga zemra e tij në gjuhën tënde
rrodhën esrare hiç pa ja nda
kjo është esenca kur e përmende
që gjuha pas zemre të rri pa pra
Kur zemra flet dhe gjuha e shprehë
nga aty gjithmonë buron urtësia
tek Muhamedi, kërko ti strehë
njat derë të shenjtë ta hap Alia
Zemrën përpara e gjuhën pas
Ali ta mbashë ti përgjithmonë
veç fjalë të bukura ajo të flas
urdhëroj Zoti dhe Profeti jonë
HAPËRIM DREJT PËRJETËSISË
Hapërova katër hapa
Se sa zgjati nuk e di
Ishte ditë më zuri nata
Dhe u gdhie përsësri
Dhe përsëri nata erdhi
Pataj drita si gjithnjë
Derisa përfundoj terri
Dritë deri në përjetësi
PAQE mbi ju o të drejtë
Sheriatin që zbatoni
Paqi një gjykim të lehtë
Për çdo vepër që veproni
PAQE mbi ju o udhëtar
Që t’vërtetën e kërkoni
Zoti u dhëntë ndihmëtar
Rrugën shpejtë që ta kaloni
PAQE mbi ju o të bindur
Që n’hakikat keni mbërri
Haku ju bëri të ndritur
Dhe ju mbushi dituri