
PIKËPAMJET ISLAME PËR LËVIZJEN FEMINISTE
Autore: Mimoza SINANI
“Pozita e gruas në Islamin e hershëm ka qenë me të vërtetë një pozitë shembullore, pozitë që duhet të studiohet dhe të njihet prej çdo gruaje, si edhe prej çdo liberacionisti në shekullin XXI”.
Disa tipare të kauzës feministe shkaktojnë zhgënjimin dhe madje kundërshtimin e grave muslimane mbasi mendimet apo reformat e kësaj lëvizjeje janë në kundërshtim të plotë me traditat e kulturës dhe të trashëgimisë fetare islame. Duke qenë se historia dhe trashëgimia e popujve muslimanë ka qenë radikalisht e ndryshme prej asaj të Evropës Perëndimore dhe Amerikës, feminizmi i cili do t’u apelonte grave muslimane dhe shoqërisë në përgjithësi, duhet të jetë përkatësisht i ndryshëm. Këto të drejta ligjore, të cilat gratë perëndimore i kërkuan në reformimin e Ligjit të Përgjithshëm Anglez, kanë qenë tashmë të pohuara për gratë muslimane në shekullin e 7-të. Me fjalë të tjera, që lëvizja feministe të ketë sukses në një ambient islam, ajo duhet të jetë një formë vendase e feminizmit, më mirë sesa një formë e konceptuar dhe e kultivuar në një ambient të huaj, me problem të ndryshme, me zgjidhje dhe synime të ndryshme.
Ndërsa në Perëndim, rrjedha kryesore e lëvizjes së grave, e ka shikuar fenë si një prej armiqve kryesorë të progresit dhe të mirëqenies së saj, gratë muslimane i vlerësojnë mësimet e Islamit si përkrahësin dhe mbrojtësin e tyre më të mirë. Porositë që gjenden në Kuran dhe në shembullin e Pejgamberit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), vlerësohen si ideal drejt së cilit gratë bashkëkohore dëshirojnë të kthehen.
Të drejtat dhe privilegjet të cilat kanë arritur femrat evropianë pas presioneve në shoqëritë ku jetojnë dhe që i kanë arritur vetëm tani së fundi, Islami i ka rregulluar juridikisht për të gjitha gratë shumë shekuj më parë, pa qenë nevoja që ato të rebelohen për shpalljen e normave të tilla ligjore. Të drejtat e gruas në kohët moderne nuk u dhanë vullnetarisht apo vetëm si rezultat i përzemërsisë ndaj gjinisë femërore. Gruaja moderne arriti në pozitën e saj të tashme me anën e forcës.
Me qëllim që të arrinte deri në pozitën e sotme, gruaja luftoi me dekada dhe shekuj. Me qëllim që të fitonte të drejtën e mësimit dhe lirinë e punës dhe fitimit, asaj iu desh të ofronte sakrifica të dhembshme dhe të heqë dorë nga shumë të drejta të saj natyrore. Ajo pagoi shumë shtrenjtë që ta vendoste statusin e saj si një qenie njerëzore që posedon shpirt. Edhe pas të gjithë këtyre sakrificave të shtrenjta dhe luftërave të dhembshme, ajo ende nuk ka arritur atë që feja islame ka vendosur me dekretin hyjnor për gruan muslimane.
Kurani nuk i denigron gratë
Në mesin e errësirës që e kishte gllabëruar botën, zbulimi hyjnor kumboi në shkretëtirën e Arabisë me freski dhe madhështi si mesazh universal për njerëzimin: “O ju njerëz, kini frikë Zotin tuaj, që ju ka krijuar prej një vete, dhe nga ajo krijoi palën e saj dhe prej atyre të dyve u shtuan shumë burra e gra” (Kurani, surja en-Nisa, ajeti 1). Një studiues duke analizuar këto vargje thotë: “Është e besueshme se nuk ka tekst tjetër, të vjetër apo të ri, që ta trajtojë me kaq humanizëm gruan në të gjitha aspektet, kaq shkurt, kaq thellë, me kaq elokuencë dhe me kaq origjinalitet se sa ky dekret hyjnor”.
Islami i sheh si mashkullin edhe femrën me të drejtat dhe detyrat e veta, pasi secili janë degë të një trungu, që e kanë zanafillën nga një baba, Ademi dhe nga një nënë Hava. Në pajtim me Kuranin, të dy gjinitë ndajnë besimin e përbashkët, të dy janë subjekte në kushte të njëjta ekzistenciale, me mundësi të njëjta dhe qëllim të njëjtë për ekzistim. Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) thoshte: “Gratë janë gjysma tjetër e burrave”. Njësia themelore e njerëzimit nuk është as burri, as gruaja. Është burri dhe gruaja, të bashkuar përmes martesës që i bën ata familje. Statusi i gruas në fenë islame është diçka unike, diçka që nuk ka kurrfarë ngjashmërie në cilindo sistem tjetër.
Pozita e gruas në Islam
Pozita e gruas në Islamin e hershëm ka qenë me të vërtetë një pozitë shembullore, pozitë që duhet të studiohet dhe të njihet prej çdo gruaje, si edhe prej çdo liberacionisti në shekullin XXI. Zëri i parë që është ngritur për të vërtetuar pejgamberinë e Muhamedit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka qenë zëri i femrës, e ai zë ka qenë zëri i Hadixhes (Zoti qoftë i kënaqur me të). Po ashtu, dëshmorja e parë në Islam ka qenë femër, e ajo është Sumejja, nëna e Amarit. Pejgamberi ka thënë: “Nga bota juaj më janë të dashura gratë dhe aroma, kurse gëzimi im më i madh është në namaz”.
Siç shihet nga fjalët e tij, gratë janë përmendur së bashku me aromën dhe namazin. Edhe fjalimin e tij të fundit lamtumirës drejtuar as’habëve e përfundoi me porosinë që të jenë të sjellshëm ndaj bashkëshorteve të tyre. Allahu i gjithëfuqishëm, ia besoi mashkullit ndërtimin, ngritjen dhe rregullim e jetës, por femrës ia dhuroi rolin më të madh, më të rëndësishëm dhe më të ndershëm: i besoi edukimin e vetë njeriut. Duke i dhënë rëndësi të madhe nënës e cila lind dhe edukon shoqërinë, duke lavdëruar amësinë, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Xheneti është nën këmbët e nënës”.
Roli i gruas në Islam
Allahu i Gjithëdijshëm i ka dhuruar gruas fuqi të jashtëzakonshme. Përparimi dhe lumturia, si edhe shkatërrimi i familjes janë në duart e saj. Gruaja mund të shndërrojë shtëpinë në xhennet ose në xhehenem të këndellur. Ajo ka mundësi që ta çojë burrin e vet gjer në piedestalin më të lartë të suksesit ose në fund të humnerës dhe mjerimit.
Gratë luanin një rol të rëndësishëm në shekujt e hershëm të Islamit, madje duke arrirë pushtet në çështjet shoqërore. Kurani insistoi mbi barazinë e gjinive dhe vrulli i hershëm islam për arsimim solli shumë dobi për gratë në shekujt e hershëm. Gratë u bënë poete, shkrimtare dhe udhëheqëse në fusha të ndryshme. Sukejna (vdiq 735 e.s.), bija e Husejn ibn ‘Aliut (paqja qoftë mbi ta), ishte drejtuese e salloneve letrare, mbrëmjet intelektuale të së cilës ishin të njohura në tërë botën muslimane të asaj kohe. Rabi’ah el ‘Adevijja, në shekullin e dytë të Islamit, ishte një nga poeteshat më të famshme sufiste. Pas vdekjes së Pejgamberit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) e deri në shekullin tonë, gjendet një histori e mbushur plot me zonja të famshme muslimane, mësuese, edukatore, luftëtare, infermiere, poete, autore, hafëze, të ndershme e dinjitoze, që merren si shembull në shoqëri.
(Revista “Vlera”, nr. 7, nëntor 2011, fq. 12-13)