HistoriIslamologjiMësime IslameQerbelaja

Njohje me figurën e zonjës Zejneb (2)

Njohje me figurën e zonjës Zejneb (2)

Vazhdim

Në fushën e Qerbelasë, zonja e madhe Zejneb (paqja qoftë mbi të) ishte gjithmonë në lëvizje. Ajo nuk u ul për asnjë çast. Herë shkonte te fëmijët e Ehli-Bejtit (paqja qoftë mbi ta), i ledhatonte, i përkëdhelte, i përqafonte dhe ua mbyllte veshët që të mos dëgjonin hingëllimat e kuajve dhe të kërciturat e shpatave që prisni e masakronin trupat e pastër të dëshmorëve. Herë tjetër shkonte te gratë dhe vajzat e tjera që ishin në Qerbela, të cilat vajtonin humbjen e të dashurve të tyre të zemrës, baballarët, bashkëshortët e vëllezërit. Herë tjetër ndihmonte burrat që përgatiteshin për të dalë në fushën e betejës. E herë shkonte pranë trupave të mbuluar me rërë e me gjak. Ajo mbante në duar trupin e imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) dhe i lutej Allahut me zemër të thyer e të mbushur me dhimbje: O Zot! Pranoje prej nesh këtë kurban”.

Ajo ishte mbrojtësja e imam Zejnul-Abidinit (paqja qoftë mbi të) duke qëndruar mes tij dhe të padrejtëve. Ajo ishte e gatshme të sakrifikonte veten e saj, pa patur frikë nga asgjë dhe nga askush, në mbrotje të imam Zejnul-Abidinit, i cili ishte dega e vazhdimësisë së pemës së Ehli-Bejtit (paqja qoftë mbi ta) dhe argumenti i Allahut në Tokë. Kur Shimr ibn Dhil-Xheushen hyri në çadrën ku qëndronte imam Zejnul-Abidini (paqja qoftë mbi të), i cili qëndronte i shtrirë për shkak të sëmundjes, Shimri tha: “Vriteni atë!”. Një burrë prej shoqëruesve të tij i tha: “I Lartësuar është Allahu (Subhanallah)! A do të vrasësh një djalë të ri të sëmurë që nuk ka luftuar?”. Atëherë doli zonja e madhe Zejneb dhe tha: “Betohem në Allahun! Ai nuk vritet pa u vrarë unë më parë! Lëre atë!”

Pasi Shimri dështoi në vrasjen e imam Zejnul-Abidinit (paqja qoftë mbi të), ushtarët filluan t’i nxirrnin gratë nga çadrat. Ato dolën këmbëzbathura e duke qarë. Pastaj ushtarët i vunë flakën çadrave. Aty doli zonja e madhe Zejneb dhe me zë pikëllues tha: “O Muhamed! Sunduesi i qiellit të bekon ty. Ky është Husejni i zhveshur e i braktisur! I mbuluar me gjak! Me gjymtyrë të prera! Oh, ç’fatkeqësi e rëndë! Vajzat tuaja robëresha! Tek Allahu ankohem, te Muhamed Mustafaja, tek Ali Murtezaja, te Fatime Zehraja dhe te Hamzaja, zotëria e dëshmorëve…”.

Çfarë lloj besimi mbante zonja e madhe Zejneb në zemër e çfarë durimi kishte ajo në shpirt, ndërkohë që pa fëmijën qumështor e të pafajshëm, Abdullahun e vogël, djalin e imam Husejnit, që e shpoi shigjeta nga njëra anë e fytit në anën tjetër dhe i dhanë për të pirë gjak në vend të ujit? Vetëm ky krim mjafton për copëtimin e zemrës. Sa i shëmtuar, sa çnjerëzor e sa i egër ky krim!

Çfarë lloj besimi mbante zonja e madhe Zejneb në zemër e çfarë durimi kishte në shpirt kjo femër madhështore, ndërkohë që shihte me sytë e saj vdekjen e Kasemit, djalit të imam Hasanit, i cili ishte djalosh…; vdekjen e Aliut të madh (Ali Ekber) që i ngjante Profetit nga pamja dhe nga morali; masakrimin Ebul-Fadl Abasit (Abas Aliu), të sakatuar e të gjymtuar të mbuluar me rërë dhe me gjak? Çfarë lloj besimi mbante zonja e madhe Zejneb në zemër e çfarë durimi kishte ajo në shpirt, ndërkohë që shihte dëshmorët e Qerbelasë të masakruar e kokëprerë?

Ajo kope injorantësh e barbarësh nuk u mjaftuan vetëm me kaq. Ata vodhën e plaçkitën gjithçka që gjetën në çadrat e pjesëtarëve të familjes së Profetit dhe të martirëve të Qerbelasë. Pasi vodhën dhe plaçkitën, ata i shkatërruan çadrat dhe i dogjën ato. E më pas zonjën e madhe Zejneb, së bashku me gratë dhe vajzat e familjes së Profetit dhe të dëshmorëve, i morën robëresha duke i lidhur me zinxhirë dhe nuk e ruajtën shenjtërinë e Profetit te gratë e familjes së tij.

Betohem në Allahun se ky është një krim që nuk mund të përshkruhet! Në emër të fesë dhe në emër të atij që e solli fenë, profetit Muhamed, masakrohen fëmijët e tij dhe robërohen gratë e familjes së tij. Kjo është një fatkeqësi e madhe. Vallë, përse neglizhojnë shumica e muslimanëve në përmendjen e kësaj fatkeqësie? Përse heshtin ligjëruesit ndaj kësaj fatkeqësie dhe ndaj kësaj masakre? Përse gumëzhijnë minberet para Ashures për agjërimin e kësaj dite dhe për mirësitë e këtij agjërimi? E përse nuk ua sqarojnë njerëzve të vërtetën e ditës së Ashures? A jemi ummeti i profetit Muhamed apo i ndonjë profeti tjetër? Përse motrat e nderuara muslimane nuk hulumtojnë dhe nuk e lexojnë historinë e kësaj heroine të madhe dhe ta marrin shembull në jetën e tyre?

Vërtet, ndodhia e Qerbelasë është masakra më e hidhur, më pikëlluese dhe më diskriminuese për profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij). Ishte krimi më barbar që iu bë pasardhësve të pastër të Profetit Muhamed në emër të tij dhe në emër të fesë së tij. Në vend që ta nderonin e ta respektonin gjenezën e Profetit, ata derdhën gjakun e tyre pa iu dridhur qerpiku. Imam Rizai (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Në kohën e xhahilijetit (para Islamit) njerëzit e ndalonin luftën në muajin e Muharremit, mirëpo në këtë muaj u lejua gjakderdhja jonë. Në këtë muaj u përbalt shenjtëria jonë! Në këtë muaj u morën robëresha gratë tona dhe gjeneza jonë. U dogjën çadrat tona dhe u grabit çdo gjë me vlerë e jona! (Menakibu Ali Ebi Talib, vëllimi  II, faqe 206).

Edhe pse situata ishte e tillë, zonja e madhe Zejneb qëndroi e fortë, e çeliktë, e palëkundur dhe e vendosur. Ajo ishte e bindur se çdo gjë që po ndodhte ishte nën mbikëqyrjen e Allahut. Me këtë shpirt të bindur e të mbushur me besim tek Allahu, zonja e madhe Zejneb i përballoi të gjitha dhimbjet dhe vuajtjet. Ajo kurrë nuk u gjunjëzua përballë kopesë injorante të emevitëve, barbarë e gjakatarë. Ajo ua mbylli atyre gojët, siç veproi me Ubejdullah ibn Zijadin kur e pyeti: “Si e pe veprën e Allahut ndaj familjes tënde?” Hazret Zejnebja (paqja qoftë mbi të!) iu përgjigj: “Unë nuk pashë asgjë tjetër, përveç bukurisë”.

Në këtë thënie të Ubejdullah ibn Zijadit duket dinakëria dhe tinëzaria e emevitëve. Krimin e tyre ia mveshën Allahut të Lartësuar (Allahu na ruajtë!) dhe ua paraqitën njerëzve sikur ishte kader i Allahut.

Kurse Umer ibn Sa’ad-it, zonja e madhe Zejneb (paqja qoftë mbi të) i tha: “O i biri i Sa’adit! Allahu gjykoftë mes teje dhe nesh! Ta ndaloftë Allahu shefaatin e gjyshit tonë dhe mos të dhëntë nga uji i Keutherit, siç veprove me ne dhe urdhërove vrasjen e nipit të të Dërguarit të Allahut dhe nuk i mëshirove fëmijët e tij dhe as nuk të erdhi keq për gratë e tij!” Zonja e madhe Zejneb, motra e imam Husejnit (paqja qoftë mbi të), i ka thënë Jezidit:

Betohem në Allahun, o Jezid, se çdo gjë që bëre do të të kthehet ty, sepse ti nuk preve asgje tjetër veç lëkurës tënde dhe veç mishin tënd copëtove!

O Jezid! A e di se në ç′gjendje do të jesh atë ditë kur Zoti do t′i paraqesë trupat e pastër të martirëve tanë që të kërkojnë të drejtën e tyre prej atij që u bëri padrejtësi? Si do të jetë gjendja jote kur të dalësh para të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij), ndërkohë që ti e derdhe lumë gjakun e të dashurve të tij dhe shkele në dinjitetin e trashëgimtarëve të tij?

O Jezid! Mos u zhyt në gëzim nga kjo fitore e jashtme për atë që i bëre të dashurve tanë në Qerbela duke i vrarë e duke i larë me gjak! Mos kujto se ata janë të vdekur, se Zoti thotë: “Kurrsesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga mirësitë e Tij…”. (Surja Ali Imran, ajetet 169-170)

O Jezid! Për ty mjafton që atë ditë gjykatësi është Zoti dhe armiku yt është i Dërguari i Zotit, miqtë e Ehli-Bejtit dhe Xhebraili. Së shpejti personi që të frymëzoi që ta bësh këtë punë dhe që të vendosi ty mbi kokat e muslimanëve (Muaviu), do ta dijë se çfarë zëvendësi të keq ka zgjedhur. Në Ditën e Llogaridhënies do ta mësosh se cili do të ketë vendin më të keq dhe nga ana e kujt do jenë fatkeqësia e pafuqia…”.

Kjo ishte zonja e madhe Zejneb, e cila, falë cilësive dhe virtyteve të saj të larta, është shembull për femrat muslimane, ashtu si nëna e saj, Fatime Zehraja (paqja qoftë mbi të).

Allahu i Madhëruar thotë: Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët.” (Surja el-Ankebut, ajeti 69). E gjithë jeta e zonjës së madhe Zejneb (paqja qoftë mbi të) ishte për hir të Allahut dhe për fenë e Tij të pastër islame. Ajo është dëshmi e qartë e këtij ajeti, sepse ajo luftoi dhe sakrifikoi për hir të çështjes së Allahut Fuqiplotë.

Paqja qoftë mbi heroinën e Qerbelasë, të bijën e Aliut dhe të Fatime Zehrasë!

Autor: Shejh Vullnet Merja

Burimi: Media e lirë

Të ngjashme

Back to top button