
Njohje me figurën e zonjës Zejneb (1)
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit
Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!
Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!
(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)
Çdo njeri në këtë jetë ka shqetësime, probleme, lodhje, mundime, hidhërime e dhimbje. Kjo gjendje i përfshin të gjithë njerëzit, qofshin të thjeshtë apo me pozitë, të varfër e të pasur. Askush në këtë jetë nuk i shpëton sprovave e fatkeqësive. Ose sprovohet me veten e tij, nga ndonjë sëmundje, ose sprovohet me humbjen e një të dashuri të zemrës, ose me humbjen e pasurisë etj. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave. Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: ‘Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi’. Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë”. (Surja el-Bekare, ajetet 155-157) Askush në këtë jetë nuk i realizon dëshirat e tij dhe lakmitë e tij.
Ka njerëz që sprovohen me fatkeqësi e hidhërime që në vegjëli. E tillë ishte zonja e madhe Zejneb, e bija e imam Aliut (paqja qoftë mbi të). Zonja e madhe Zejneb ka lindur më pesë të muajit Xhumadel-Ula, në vitin e pestë të hixhrit. Emrin Zejneb asaj ia vuri vetë profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij), që do të thotë hijeshia e babait.
Shpeshherë dëgjojmë njerëzit të flasin për heroizma e heronj, qofshin meshkuj apo femra. Flasin për trimërinë dhe për trimat sypatrembur në betejat përballë armiqve. Flasin për trimërinë e femrave që qëndruan në krah të burrave.
S’ka dyshim se Ehli-Bejti qëndron në majë të heroizmit e të trimërisë. Ata janë shembulli më i mirë në këtë drejtim. Zonja e madhe Zejneb, e bija e Fatime Zehrasë dhe e Ali Murtezasë, pas gjyshit të saj, babait të saj, nënës së saj dhe vëllezërve të saj, qëndron në majë të heroizmit e të trimërisë. Këtë e dëshmon historia islame. Ajo përjetoi fatkeqësi të ndryshme në jetën e saj, që nga fëmijëria e deri në fund sa mbylli sytë dhe u nda nga kjo jetë. Ajo ka parë vdekjen e gjyshit të saj, Profetit Muhamed, vdekjen e nënës së saj, hazreti Fatimes, martirizimin e babait të saj, imam Aliut, martirizimin e vëllait të saj, imam Hasanit dhe masakrën e vëllait të saj, imam Husejnit, së bashku me fëmijët e tij dhe me shokët e tij besnikë.
Hazreti Zejneb, e bija e imam Aliut dhe e Fatime Zehras (paqja qoftë mbi ta) është frut i pemës së Familjes më të pastër dhe më të dëlirë në rruzullin tokësor. Ajo është Familja e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij).
Hazreti Zejneb (paqja qoftë mbi të) mbart në personalitetin e saj dritën e profetit Muhamed, pastërtinë dhe dëlirësinë e Fatimes, trimërinë e imam Aliut, fisnikërinë e imam Hasanit dhe sakrificën e imam Husejnit. Të gjitha këto bënë që të formohet një personalitet i rrallë e i lartë që quhet Zejneb. Ajo është quajtur edhe “Ummul-mesaibu”, nëna e fatkeqësive, për shkak të fatkeqësive të mëdha e të shumta që përjetoi në jetën e saj.
Ajo është model i femrës së përsosur muslimane për çdo kohë dhe për çdo vend. Ajo është pishtar ndriçues, drita e së cilës është prej dritës së dritave, hazreti Muhamed Mustafasë (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij). Ajo është heroina, e cila trashëgoi trimërinë, guximin, kurajon dhe palëkundshmërinë e trimit të arabëve, prijësit të besimtarëve, imam Aliut (paqja qoftë mbi të!).
Ajo është ndjenja e humanizmit, e cila përcjell dashuri, dhembshuri e dashmirësi. Këtë ndjenjë e trashëgoi nga nëna e saj, Fatime Zehraja (paqja qoftë mbi të). Me kënaqësinë e saj (Fatimes), kënaqet Allahu dhe me zemërimin e saj, zemërohet Allahut.
Ajo është mesazhi islam, i cili përban palëkundshmëri, falje, sinqeritet, dije, argument, besim e devotshmëri. Të gjitha këto u shfaqën në qëndrimin e zonjës Zejneb në Qerbela dhe u binjakëzuan me imam Husejnin në revolucionin e tij, duke u bërë pjesë e pandarë e kryengritjes së tij pas ndodhisë së Qerbelasë.
Ajo është model në sakrificë, në xhihad, në durim, në hidhërim, në përballjen e humbjes së të dashurve të zemrës, në robërim e në shpërngulje nga një vend në një vend tjetër. Të gjitha këto ajo i përballoi me durim dhe sinqeritet të plotë për hir të Allahut dhe në rrugën e Tij dhe të fesë së Tij.
Autor: Shejh Vullnet Merja
Burimi: Media e lirë