
NJË VËLLAU TË RRUGËS, ASHIKUT TË ZHURITUR (poezi)
Sa yje që shuhen njerëzit thonë u shua një jetë
sa herë vet kanë vdekur e nuk kanë pasur dert
zgjohu o njeri shih jetën në vdekjen tënde sterrë
nisu sa më parë dil nga ajo skëterrë.
Bregut të detit një Shemsi Tebriz të pret
nga deti i tokës në oqeanin e qiellit të thërret
ngjitu pas asaj vale që drejt bregut të hedhë
dhe si shkumë e pavlerë në dorë Tebrizi të mbledhë.
Dil nga ç’je bërë dhe bëhu baltë përsëri
bëhu tani për Zot jo më për mëri
Nga zjarri i skëterrës ik si ashik i ri
Ndiz zjarrin e ashkut ik nga kjo pleqëri.
Çdo fije e thinjur në shpresë të të shpjerë
çdo fjalë e dhikrit nga balta të të nxjerrë
kur të bëhesh njeri, i tretur në Nur
s’ke për t’u zvarritur me këmbë e me du’r.
(Revista “Vlera”, nr. 9, nëntor/dhjetor 2013, fq. 47)