Uncategorized

NDIKIMET E REVOLUCIONIT TË IMAM HYSENIT

NDIKIMET E REVOLUCIONIT TË IMAM HYSENIT (Paqja qoftë mbi të!)

 

Revolucioni i Imam Hysenit (Paqja qoftë mbi të!) është një nga ngjarjet më frymëzuese, më shpresëdhënëse, më rrënqethëse, më pikëlluese dhe më ndikuese në historinë njerëzore. Kjo tragjedi përkujtohet çdo vit nga besimtarët myslimanë dhe veçanërisht nga dashamirësit dhe pasuesit e Ehli Bejtit të Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të e mbi familjen e tij!).

Ky përkujtim quhet matem. Matem është fjalë perse, që në gjuhën shqipe do të thotë zimbajtje, e cila mbahet në përkujtim të betejës së Kerbelasë, që u zhvillua ndërmjet ushtrisë së Jezidit, i biri i Muavias, nën komandën e Ubejdullah ibn Zijadit dhe ndërmjet Imam Hysenit ( pqqmt) , së bashku me familjen dhe shokët e tij.

Në këtë betejë të përgjakshme ra dëshmor Hyseni, i biri i Aliut, nipi i Profetit Muhamed (Pqmtft)  së bashku me 72 dëshmorë të tjerë prej familjes dhe shokëve të tij, mes tyre edhe foshnja gjashtëmuajshe, djali i Imam Hysenit, Abdullahu.

Kerbelaja ndodhet në jug të Bagdadit, kryeqyteti i Irakut. Largësia mes Bagdadit dhe qytetit të Kerbelasë është afërsisht 105 kilometra. Kerbelaja hyn në kategorinë e vendeve të shenjta për besimtarët myslimanë, pas Mekës, Medinës, Jerusalemit (Kudsit) dhe Nexhefit.

Beteja e Kerbelasë dhe revolucioni i Imam Hysenit ( pqmt) pati dhe vazhdon të ketë ndikim të madh, jo vetëm te myslimanët, por edhe te popujt e tjerë, me besime të ndryshme. Gjithashtu, edhe te personalitetet e shquara botërore, në Lindje apo në Perëndim, të cilët flasin me admirim e respekt të madh për këtë betejë dhe për personalitetin e lartë të Imam Hysenit (Paqja qoftë mbi të!).

Mahatma Gandi (1869-1948), udhëheqësi politik dhe shpirtëror i Indisë, ka thënë: “E kam studiuar me detaje jetën dhe veprën e dëshmorit të madh islam, Imam Hysenit. Pas një leximi të kujdesshëm, beteja e Kerbelasë, më mësoi se, nëse India dëshiron të arrijë fitoren, duhet të ndjekë rrugën dhe shembullin e Hysenit…

” Kryengritja e Imam Hysenit (Paqja qoftë mbi të!) është një epope humane dhe shpirtërore, e cila, pavarësisht shekujve që kanë kaluar, ende vazhdon të shpërthejë emocione dhe të ndezë ndjenja. Ai, së bashku me shokët dhe familjen e tij, duruan dhimbjet dhe torturat më të tmerrshme.

Imam Hyseni (Paqja qoftë mbi të!), me gjithë mundësitë e tij të kufizuara dhe mungesës së përkrahësve, qëndroi i palëkundur dhe dha mësimin më të mrekullueshëm të sakrificës dhe të flijimit. Revolucionarët u frymëzuan nga shpirti i qëndrueshmërisë dhe i guximit të Imam Hysenit ( pqmt) gjatë gjithë kohëve. Kryengritja e Imam Hysenit ( pqmt) kishte dimension politik. Ai është një revolucion kundër tiranisë, padrejtësisë dhe shthurjes.

Imam Hyseni (Paqja qoftë mbi të!) ngriti parullën e reformës. Ai bëri thirrje për liri dhe refuzoi poshtërimin dhe nënshtrimin.  Imam Hyseni (Paqja qoftë mbi të!) nuk kërkon dikë që të qajë për të, por dëshiron që dikush të ndjekë rrugën e tij në forcimin e marrëdhënieve me Allahun dhe respektimin e të drejtave të robëve të Tij.

Paqja qoftë mbi Imam Hysenin (Paqja qoftë mbi të!) dhe dëshmorët e Kerbelasë!

Mallkimi i Allahut qoftë mbi vrasësit e Imam Hysenit ( pqmt)!

 

PIKËNISJA E REVOLUCIONIT TË IMAM HYSENIT (Paqja qoftë mbi të!)

 

Në suren “Ali Imran”, në ajetin 104, thuhet:

“Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.”

Kjo ishte pikënisja e Revolucionit të Imam Hysenit (pqmt). Ai u ngrit që të mbrojë mesazhin e Profetit Muhamed ( pqmtft), pasi ai mesazh u përball me egoistët dhe të

eturit për pushtet dhe me shtypësit e njerëzve. Ai u ngrit për t’u shërbyer interesave të mesazhit islam dhe nuk u ngrit për interesat e tij vetjake. Revolucioni i Imam Hysenit (Paqja qoftë mbi të!) u bë për të ruajtur minberin e të Dërguarit të Allahut ( pqmtft), mbi të cilin vazhdojnë të mbahen leksione e hytbe të ndryshme.

Revolucioni i Imam Hysenit ( pqmt) bazohet te sinqeriteti. Në atë revolucion të begatë, myslimani ndien frymën  e besimit të vërtetë, krenarinë e shpirtrave dhe dinjitetin e umetit, që është një aspekt i rëndësishëm iarsyeve të revolucionit të Imam Hysenit (Paqja qoftë mbi të!).

 

Marrë nga libri:  Ashurja, mesazh për reformimin dhe unitetin

 

Të ngjashme

Back to top button