IslamologjiKëshille e PytjeMësime IslamePër jetë

Mbulesa islame – Hixhabi

Ajeti kuranor mbi mbulesën islame – hixhabin thotë: “Thuaju edhe besimtareve le t’i ulin kokat dhe le të kujdesen për pjesët e turpshme të trupit të vet, dhe të mos i ekspozojnë stolitë e tyre, përveç asaj që edhe ashtu është e jashtme (duket). Le t’i mbulojnë kraharorët e tyre me mbulesa dhe të mos ua tregojnë zbukurimet e tyre askujt, përveç bashkëshortëve…” (Surja en-Nur, ajeti 31).

Meshkujt dhe femrat edhe pse kanë shumë gjëra të përbashkëta, gjithashtu kanë edhe disa veti të njëjta. Njëra nga ato karakteristika është se gratë janë qenie e butë, e bukur dhe e dashur. Ato janë tërheqëse e simpatike, ndërkaq meshkujt janë tërheqës, atraktivë dhe të dashuruar në vetitë e grave.

Kur mashkulli martohet, dëshiron që e gjithë bukuria e gruas të jetë e rezervuar për të. Ai dëshiron të jetë i vetmi që do të shfrytëzojë sharmin e saj, ëmbëlsinë shpirtërore, pispillosjen, bukurinë, prirjen për humor etj., dhe që rreptësisht t’u largohet meshkujve.

Mashkulli, nga vetë natyra, është i papërmbajtur dhe jotolerant ndaj mashkullit tjetër, qoftë ai t’ia shikojë gruan apo të ketë ndonjë lidhje me të. Lidhjen në mes gruas së vet dhe mashkullit të huaj, ai do ta konsiderojë si lëndim i të drejtës së tij legjitime. Ai pret nga bashkëshortja e vet t’i përmbahet mbulesës islame – hixhabit (veshje islame sipas parimeve islame), ndërsa ajo, duke iu përshtatur sjelljes dhe moralit islam, do të ndihmojë në ruajtjen e të drejtave të tij ligjore.

Këtë do ta dëshironte çdo mashkull besnik e i flaktë. Sjellja shoqërore e gruas që është e bazuar në moralin islam, do ta qetësonte shpirtin e burrit të vet. Atëherë ai do të punonte me gjithë shpirt për ta siguruar familjen, ndërkaq respekti i tij ndaj bashkëshortes do të shtohej. Mashkullin e tillë nuk mund ta tërheq grua tjetër. Në të kundërtën, burri, bashkëshortja e të cilit nuk i përmbahet mbulesës islame – hixhabit dhe e ekspozon bukurinë e vet para meshkujve tjerë ose shoqërohet me ta, seriozisht do të shqetësohet. Ai e konsideron gruan përgjegjëse për shkeljen e të drejtave të saj. Bashkëshorti i këtillë gjithnjë do të vuajë nga brenga dhe pesimizmi, ndërkaq dashuria e tij ndaj familjes gradualisht do të zbehet.

Mu për këtë në dobi të shoqërisë dhe të grave është që ato të vishen në atë mënyrë që të mos bien në sy dhe të sillen me nder e të dalin në shesh duke mos u lyer e përlyer dhe të kenë kujdes që bukurinë e vet mos t’ua ekspozojnë të tjerëve. Veshja e hixhabit është obligim islam.

Ajeti kuranor mbi obligueshmërinë e veshjes islame tek femrat

Allahu i Gjithëfuqishëm në Kuran thotë: “Thuaju edhe besimtareve le t’i ulin kokat dhe le të kujdesen për pjesët e turpshme të trupit të vet, dhe të mos i ekspozojnë stolitë e tyre, përveç asaj që edhe ashtu është e jashtme (duket). Le t’i mbulojnë kraharorët e tyre me mbulesa dhe të mos ua tregojnë zbukurimet e tyre askujt, përveç bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre; baballarëve të burrave të tyre, djemve të tyre ose djemve të burrave të tyre; vëllezërve të tyre ose djemve të vëllezërve të tyre apo djemve të motrave të tyre; ose grave (shoqeve) të tyre, robëreshave të tyre, shërbëtorëve të cilët nuk ndjejnë nevojë për femra, ose fëmijëve të cilët ende nuk dinë se çka janë pjesët e turpshme të trupit të femrës; le të mos kërcasin me këmbët e tyre për të shfaqur fshehtësinë e stolive të tyre. Dhe të gjithë pendohuni tek Allahu, o besimtarë, mbase do të shpëtoni” (Surja en-Nur, ajeti 31).

Islami është i vetëdijshëm për natyrën specifike të qenies së gruas dhe e konsideron si themel shumë i rëndësishëm i shoqërisë, me përgjegjësitë që ka ndaj tij. Ai prej saj kërkon të sakrifikojë gjatë kryerjes së detyrave të veta duke iu përmbajtur hixhabit islam i cili si kundërvlerë do ta ruajë përdhosjen dhe devijimin social e në planin afatgjatë do të krijojë stabilitet, siguri dhe autoritet të popullit të saj. Por, përfundimisht për kryerjen e detyrave të saj fetare, shpërblimi më i madh është prej Allahut të Plotfuqishëm.

(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 15, qershor/korrik 2015, fq. 34-35)

Të ngjashme

Back to top button