
Martesa e Aishes me Profetin s.a.v.s. dhe mosha e saj
Logjika e dëshmive të hulumtuara rreth moshës së martesës së Aishes me të Dërguarin Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij)
Në librin “El-Bidāje ven-Nihāje (Fillimi dhe mbarimi)” të autorit Ibën Kethir, në të thuhet se Esma, vajza e Ebu Bekrit , ishte 10 vjet më e moshuar se motra e saj Aishja. Në të njëjtin libër thuhet se Esma, vajza e Ebu Bekrit kishte kaluar në botën tjetër kur kishte 100 vjet, gjegjësisht në vitin 73 hixhrij.
Në librin “El-A’lām” të Hajruddin ez-Zirikliut, si dhe në shumë libra të tjerë të historisë së Islamit, gjejmë një kronikë të ngjashme. Gjithashtu e dimë se i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ishte martuar me Aishen në vitin e dytë hixhrij. Në bazë të kronikave të përmendura përfundojmë si në vijim:
1. Nëse Esma ka vdekur në vitin 73 hixhrij, gjegjësisht në moshën 100 vjeçare, kuptojmë se para Hixhretit Esma i kishte 27 vjet (100 – 73 = 27).
2. Nëse e dimë se Esma ishte 10 vjet më e moshuar se Aishja, përfundojmë se Aishja para Hixhretit, dhe dy vite para se të martohej me të Dërguarin Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) kishte 17 vjet.
Në bazë të këtyre dëshmive të paraqitura mund të konkludohet se me rastin e lidhjes martesore me të Dërguarin Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), Aishja i kishte pasur 19 vjet, e jo 9 vjet sa thuhet në disa transmetime. E gjithë kjo, transmetuesi i ngjarjes, qoftë nga pakujdesia ose harresa, ka gabuar me 10 vite dallim në moshën e Aishes.
Si njëra nga dëshmitë mbi atë se sa vite njëmend kishte Aishja kur ishte martuar me të Dërguarin Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) gjendet në librin “El-Ma‘ārif” nga Ibën Kutejbe, në të cilin thuhet se Aishja ka vdekur në moshën 77 vjeçare, gjegjësisht në vitin 58 hixhrij. Matematikisht kjo duket kështu: 77 – 58 = 19.
Me daljen në dritë të këtyre fakteve, më në fund do t’ju mbyllet goja dashakeqëve të cilët lidhur me këtë martesë kanë bërë komente nga më të ndryshmet, të cilat ishin herë të turpshme e herë vetëm njollosëse, por për dallim nga rastet e tjera, për këtë rast si burim shërbente përmbledhja e transmetimeve të haditheve të shkruar nga Buhariu, libri i të cilit naivisht merret si shenjtëri e pakontestueshme.
Autor: Burim Moravica