FakteIslamologji

Ligjet njerëzore dhe hyjnore

Njëri nga përbërësit më të rëndësishëm që i krijon shoqëritë e civilizuara dhe që i vendos ato në mesin e shoqërive të përparuara të botës, të cilat e respektojnë njeriun dhe i japin vlerë atij, është, pa dyshim, ekzistenca e një sistemi të mirëfilltë, që është i mbrojtur nga gabimet dhe mangësitë. Përveç kësaj, duhet të ekzistojë një prijës që e udhëzon shoqërinë drejt përmbushjes dhe realizimit të sistemit në fjalë, duke qenë vetë shembull i gjallë i sistemit, që fillimisht e jetëson tek vetja e tij, tek familja e tij dhe tek rrethi i tij, duke lëvizur dalëngadalë drejt një qarku më të gjerë.

Është një fakt i gjithëpranuar se duhet të ekzistojë një sistem i ndjekur nga e gjithë shoqëria. Në histori kanë ekzistuar dy lloje sistemesh. Lloji i parë është:

  1. Sistemi legjislativ njerëzor,
  2. Sistemi hyjnor

Sistemi legjislativ njerëzor, është prodhimi i mendjes njerëzore dhe buron ose nga një njeri i vetëm ose nga një grup mendimtarësh. Në rastin e parë, sistemi korrigjohet nga mendjet e njerëzve të tjerë që vijnë pas tij. Këto mendje do t’i korrigjojnë pikat e dobëta dhe do t’i shtojnë rastet e paparashikuara nga mendja e krijuesit të sistemit. Në rastin e dytë, ky sistem mund të jetë prodhimi i një grupi intelektualësh, të cilët në mënyrë kolektive pajtohen të pranojnë një sistem të tillë, qoftë një ligj ose kod shoqëror. Kjo është qasja e parë kundrejt krijimit të sistemit shoqëror. Kjo qasje është materialiste për nga natyra dhe ka shumë mangësi. Disa prej tyre janë si vijon:

– Sado që të jetë e zhvilluar aftësia mendore e njeriut, ajo prapëseprapë nuk mund t’i arrijë rezultatet e dëshiruara, sepse mendja njerëzore nuk mund ta zbulojë të padukshmen dhe as ta dijë me siguri gjendjen e ardhshme të shoqërisë.

– Mendja njerëzore nuk mund të jetë e paanshme në rast të prirjeve personale ose të interesave private, madje përkundrazi, mbështetet pikërisht në këta dy faktorë. Kjo është e njohur për gjithkënd që ka njohuri mbi qytetërimin njerëzor. Në çdo rrëfim historik do të hasim domosdo në shumë raste ku në sistemet e krijuara nga dora njerëzore dominojnë interesat dhe dëshirat.

– Mendja njerëzore nuk është e aftë t’i rishikojë dhe vlerësojë të gjitha përvojat e njerëzimit, nga fillimi i krijimit deri në fund të universit. Si pasojë, mendja është e paaftë për të ditur se çfarë ka qenë gjëja më e dobishme për gjeneratat e kaluara dhe çfarë mund të jetë gjëja më e dobishme për të ardhmen, qoftë në aspektin shoqëror ose moral. Si pasojë, kurdoherë që të shfaqet një problem shoqëror ose një nevojë e caktuar, njeriu do t’i drejtohet kreativitetit të tij dhe shpikjes. Siç thuhet shpesh, nevoja është shkaku i çdo shpikjeje.

Këto ishin vetëm disa nga pasojat negative që burojnë nga sistemet materialiste shoqërore, të cilat krijohen pa u mbështetur në ndonjë ligj hyjnor.

Sistemi hyjnor është i ndryshëm nga i pari, është sistemi hyjnor, i cili i dërgohet njerëzimit për lumturinë dhe sigurinë e tij, si një mjet që çon drejt përsosurisë njerëzore dhe drejt adhurimit të Zotit, që është vetë lumturia e përjetshme. Kjo rrugë përbëhet nga ndjekja e profetëve dhe e pasardhësve të tyre, të cilët sjellin mësime dhe sigurojnë vazhdimësi të sistemit hyjnor.

Si rezultat i kësaj, shohim se roli më i rëndësishëm i pejgambereve dhe imamëve (paqja qoftë mbi ta) ishte i ndërlidhur me krijimin e një shoqërie të pajisur me etikë dhe sjellje të mirë. Fjalët e tija ishin të përqendruar në shpjegimin e rolit që shoqëria duhej ta merrte përsipër dhe ta ndiqte. Duke gjurmuar në trashëgiminë e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) që i kishte si trashëgimtarë dymbëdhjetë imamët, vërejmë se ai punoi për ta rrënjosur këtë mësim në shoqërinë islame dhe në veçanti në mesin e ndjekësve të tij.

(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 12, tetor 2014, fq. 42)

Të ngjashme

Back to top button