
KURANI NUK I DENIGRON GRATË
Autore: Mimoza SINANI
Në mesin e errësirës që e kishte gllabëruar botën, zbulimi hyjnor kumboi në shkretëtirën e Arabisë me freski dhe madhështi si mesazh universal për njerëzimin:
“O ju njerëz, kini frikë Zotin tuaj, që ju ka krijuar prej një vete, dhe nga ajo krijoi palën e saj dhe prej atyre të dyve u shtuan shumë burra e gra” (Kurani, surja en-Nisa, ajeti 1).
Një studiues duke analizuar këto vargje thotë:
“Është e besueshme se nuk ka tekst tjetër, të vjetër apo të ri, që ta trajtojë me kaq humanizëm gruan në të gjitha aspektet, kaq shkurt, kaq thellë, me kaq elokuencë dhe me kaq origjinalitet se sa ky dekret hyjnor”.
Islami i sheh si mashkullin edhe femrën me të drejtat dhe detyrat e veta, pasi secili janë degë të një trungu, që e kanë zanafillën nga një baba, Ademi dhe nga një nënë Hava. Në pajtim me Kuranin, të dy gjinitë ndajnë besimin e përbashkët, të dy janë subjekte në kushte të njëjta ekzistenciale, me mundësi të njëjta dhe qëllim të njëjtë për ekzistim.
Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) thoshte: “Gratë janë gjysma tjetër e burrave”.
Njësia themelore e njerëzimit nuk është as burri, as gruaja. Është burri dhe gruaja, të bashkuar përmes martesës që i bën ata familje. Statusi i gruas në fenë islame është diçka unike, diçka që nuk ka kurrfarë ngjashmërie në cilindo sistem tjetër.
(Revista “Vlera”, nr. 7, nëntor 2011, fq. 12-13)