
Krahasimi i Ehli-bejtit me varkën e Nuhut, a.s.,dhe Portë e pendesës të bijve të Israilit
Krahasimi i Ehli-bejtit me varkën e Nuhut, a.s.,dhe Portë e pendesës të bijve të Israilit
“Dije o Ebu Dherr, që Allahu, xh.sh., Ehli-bejtin tim në ummetin tim e ka vendosur në pozitë të varkës së Nuhut; kush hyp në të, është i shpëtuar, e kush ia kthen shpinën asaj, do të fundoset. Gjithashtu, e ka edhe pozitën e Portës së pendesës (hitta) te bijtë e Israilit; kush kalon nëpër të, do të jetë i sigurt nga ndëshkimi i Allahut.”
Theksimi i dashurisë ndaj Ehli –bejtit nga ana e Pejgamberit dhe krahasimi i tij me varkën e shpëtimit dhe Portën e pendesës te bijtë e Israilit nuk është çështje emocionale, që dikush të mendoj se dashuria e lindur dhe besnikëria e Pejgamberit Muhammed, s.a.v.a., ndaj familjes së tij është shkak i porosisë të dashurisë dhe besnikërisë ndaj tyre. Në fakt, kjo porosi është mbi dashurinë instinktive dhe besnikërinë. prandaj Pejgamberi e paraqet Ehli-bejtin si varkë të shpëtimit për ummetin dhe beson që secili që ka humbur rrugën apo ka devijuar nëse hyp në të, do të shpëtoj nga fundosja në detin e trazuar të shthurjeve dhe bredhjeve, sepse edhe populli i Nuhut, paqja e Allahut qoftë mbi te, duke hyrë në varkën e tij kishte shpëtuar nga dënimi i Allahut, derisa ata që munguan dhe u kreshpëruan — mes tyre edhe biri i Nuhut, paqja e Allahut qoftë mbi te, u shkatërruan.
Që në fillim të thirrjes islame, derisa ende nuk kishte asnjë shenjë dhe as lajm për përçarjen dhe mospajtimet, Pejgamberi, paqja e Allahut qoftë me të dhe familjen e tij të ndershme, e përmend Ebu Dherrin: Ehli-bejti im është sikur varka e Nuhut; nëse dikush nuk është i lidhur me të dhe nuk e pason, do të shkatërrohet sikur populli i Nuhut. Kjo në të vërtetë është rikujtim dhe paralajmërim në lidhje me kohën e paraqitjes së shthurjeve, njëanësisë dhe hipokrizisë të cilat do të ndodhin pas shpërnguljes së Pejgamberit Muhammed, paqja e Allahut qoftë me të dhe familjen e tij të ndershme.
Tutje, Pejgamberi Muhammedi, s.a.a., Ehlin-Bejtin e tij e krahason me portën e pendesës së bijve të Israilit (këto dy krahasime janë transmetuar nga Pejgamberi në shumë transmetime shiite dhe sunite dhe ato kanë arriturën shkallën tevaturit). Kur bijtë e Israilit, për shkak të padrejtësive të tepruara dhe mëkateve, u bënë objekt i zemërimit të Zotit dhe u dënuan që dyzet vjet të bredhin nëpër shkretëtirën Tijje, për shkak të pendimit të tyre dhe kthimit të sinqertë tek Ai, Allahu, xh.sh., edhe një herë tregoi mëshirë për ta dhe ua hapi Portën e pendesës (që quhet Hitta). Për këtë ngjarje në Kur’an thuhet:
Dhe kur thamë: “Në këtë qytet hyni dhe hani në te çka të dëshironi e sa të dëshiron! Në dyer hyni kokulur dhe thoni: “Na ndjeni!” Ne do t’ua falim mëkatet tuaja, duke u dhënë bamirësve edhe më shumë! (El-Bekare, 58)
Secili që kalonte nëpër Portën e pendesës, përveç nderit dhe respektit që merrnin u faleshin edhe mëkatet. Duke cituar këtë krahasim, Pejgamberi kishte për qëllim të shpjegonte si vijon: Ashtu siç besimtarët e Beni Israilit duke kaluar nëpër Portën e pendesës ia kishin dalur ta siguronin për vete lumturinë e të dy botëve, edhe myslimanët do të ecin rrugës së tyre dhe do ta sigurojnë lumturinë e kësaj dhe Botës tjetër.
Fjala hitta do të thotë “derdhje” apo “shkatërrim”. Duke shqiptuar këtë fjalë bijtë e Israilit kishin kërkuar nga Zoti falje dhe shlyerje të mëkateve të tyre. Allahu këtë e bëri mjet të faljes për ta. Ndërsa ata që nuk besonin nga mesi i tyre, fjalën e Allahut e përqeshën, dhe sipas asaj që thuhet në disa transmetime, në vend të fjalës hitta (na fal), qëllimisht e kishin shqiptuar fjalën hinta (grurë). Allahu i Lartëmadhërishëm, për shkak të vesit të tyre dhe refuzimit të pendesës dhe kërkimfaljes, kishte lëshuar dënimin nga qielli:
Pastaj keqbërësit zëvendësuan Fjalën e thënë me një fjalë tjetër, andaj mbi ata që kryen mëkate nga qielli lëshuam ndëshkim, për shkak të asaj që mëkatuan. (El-Bekare, 59)
Edhe një nga porositë e kësaj pjese është që shkalla themelore e robërimit ndaj Allahut përfshin punët e zemrës dhe veprimet e brendshme. Pra, ata që nuk posedojnë njohjen, besimin në Allahun dhe Pejgamberin e Tij, si dhe dashurinë ndaj Ehli-bejtit nuk mund të realizojnë dobi të mjaftueshme nga robërimi Allahut, që do të thotë që ai nuk është i kufizuar në gjërat e jashtme dhe veprimet e dukshme, por që themelin e tij dhe rrënjët përbëhen nga mëtimet e zemrës dhe që çdo robërim i vërtetë ndaj Allahut rrjedh nga zemra.