
Kontributi i Abdurrahman el-Sufit (903-986) në shkencë (2)
Autor: M.Sc. Artan S. Mehmeti
Në librin “Kitab el-Kavakib el-Thabit el-Musavvar”, el-Sufi përfshiu edhe yllin që ne sot e njohim si “Theta Eridani”, i cili është njëri nga trembëdhjetë yjet më të shndritshëm të njohur në atë kohë. Astronomi musliman Ulug Begu, në vitin 1437 zbuloi se ajo ishte nga e para magnitudë në librin e tij të yjeve fikse. Edmond Halley gjatë udhëtimit të tij për në St. Helena në fillim të shekullit XVIII, e pa atë si yll të magnitudës së tretë. Po ashtu në këtë vepër el-Sufi, tregon se ngjyra e yllit “Sirms (alhpa canes majoris)” nuk ndryshon, gjë e cila është konfirmuar nga vëzhgimet e mëvonshme. Si për çudi, astronomi i quajtur Seneca nga vëzhgimet e tij të kryera në Romë raporton që ngjyrën e yllit “Sirms (alhpa canes majoris)” ta këtë parë të kuq, kurse Ptolomeu pas vëzhgimeve në Aleksandri më pak të kuq dhe Schmidt (1841) gjatë vëzhgimeve të tij në Athinë thekson se e ka parë me ngjyrë të bardhë dhe mbas disa ditësh e gjeti atë të verdhë. Supozohet që këto kontradikta të jenë si pasojë e ndryshimit të kohës në vende të ndryshme. El-Sufi gjithashtu vëzhgoi ngjyrën e yllit të quajtur “Algol beta Persei (arabisht El-Ghoul)”, ku sipas tij ky yll ka ngjyrë të kuqërremte. Gjithashtu në këtë libër, ai përshkruan eklipsin e Hënës dhe të Diellit.
El-sufi në librin “Kitab el-Kavakib el-Thabit el-Musavvar”, shkruan edhe për astrolabin, duke gjetur shumë përdorime shtesë për të. Ai përshkroi mbi 1000 përdorime të ndryshme të astrolabit, si në astronomi, astrologji, lundrim, caktimin e drejtimit të kiblës, kohët e namazit, etj.
Ndikimi i el-Sufit në astronomi ishte i konsiderueshëm. Raportohet që Sulltani Bavajh dhe Sherif el-Devleh, u interesuan për astronominë vetëm për shkak të ndikimit të el-Sufit. “Kitab el-Kavakib el-Thabit el-Musavvar” ishte kryevepër në fushën e astronomisë yjore. Libri gjendet në gjuhën e tij origjinale arabe, si dhe i përkthyer në gjuhën franceze nga autori Shjellepur. Ky edhe në kohët moderne konsiderohet si mjaft me rëndësi për studimin e lëvizjeve të përshtatshme dhe variabiles me periodë të gjatë.
Në vitin 1837 Beer dhe Madler në veprën e tyre të famshme “Der Mond”, përmendin një veçori sipërfaqësore të Hënës në mbështetje të el-Sufit. Është një rreth vigan 26 milje në diametër në seksionin nëntë të hartës lunare.
(Revista “Vlera”, nr. 23, korrik/gusht 2017, fq. 17)