
KËSHILLA QË DUHEN NDJEKUR NGA BASHKËSHORTËT
Autor: Prof. Dr. Ibrahim EMINI
Në shumë familje ndodhin raste të këtilla. Atmosfera familjare shndërrohet në një vend pesimizmi, dyshimi e armiqësie. Fëmijët vuajnë, ndërsa pasojat psikike janë serioze. Kur çifti bashkëshortor vazhdon të jetojë në një situatë të këtillë, që të dy do të vuajnë, po sikur të mos i lëshojnë pé njëri-tjetrit, me siguri do të vijë situatë gjer te shkurorëzimi. Sikur të arrihej gjer te shkurorëzimi, të humbur do të ishin edhe mashkulli edhe femra, për shkak se në njërën anë, mashkulli nuk do të ishte në gjendje të gjejë grua tjetër, më të mirë se e para dhe në anën tjetër, fëmijët do të vuanin dhe nuk do të mund të jetonin një jetë të shëndoshë. Fëmijët, bile do të mund të ballafaqoheshin me probleme të reja për shkak të babait apo njerkës. Mashkulli mendon që pas ndarjes nga bashkëshortja e vet, do të mund të martohet me një grua “të përkryer”, grua e cila do t’i mundësojë të jetojë në qetësi.
Kjo nuk është gjë tjetër pos një ëndërr, ndërsa realizimi i saj është i pasigurt. Me shkurorëzimin nga gruaja e vet, ai me gruan e re mund të has në probleme të reja. Shkurorëzimi, gjithashtu për gruan nuk është rrugë e qetësimit dhe lumturisë. Edhe pse për shkak të hakmarrjes së vet mund të arrijë kënaqësi, rimartesa për të nuk do të ishte normale. Ajo, mbase do të detyrohej të jetojë e vetmuar gjer në fund të jetës së vet dhe, me siguri, bile nuk do të jetojë në shoqërimin e fëmijëve të saj. Madje edhe nëse martohet përsëri, nuk është e sigurt se burri i saj i ri do t’ia plotësojë dëshirat. Mbase ajo mund të detyrohet t’i rrisë fëmijët e atij burri, gruaja e të cilit ka vdekur. Andaj, as shkurorëzimi, as zënkat e qortimet nuk mund ta shpëtojnë çiftin. Por ekziston një mënyrë për shpëtim.
Qëndrimi më i mirë është që ëdhe burri edhe gruaja të heqin dorë nga qortimet dhe të mundohen të jenë të arsyeshëm. Meshkujt, në këtë situatë, kanë më tepër përgjegjësi, dhe në të vërtetë, zgjidhja e problemit është në duart e tyre. Meshkujt mund ta shpëtojnë veten nga pakënaqësitë me durim dhe tolerancë, gjithashtu mund të ndihmojnë në largimin e filleve të dyshimit të bashkëshorteve të tyre.
(Revista “Vlera”, nr. 7, nëntor 2011, fq. 35)