
Këshilla për lumturinë bashkëshortore (1)
“Është prej argumenteve të Allahut krijimi nga vetë lloji juaj i palës tjetër, i grave, që ju të gjeni prehje tek ato. Në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Këtu ka argumente për njerëzit që mendojnë”. (Surja er-Rum, ajeti 21)
Shpresoj që shumë prej nesh ta kenë lexuar këtë ajet të bekuar ose mund ta kenë dëgjuar shpesh në çdo dasëm apo momente niqahi (kurorëzimi) nëpër dasmat muslimane. Mbase ne kemi medituar rreth kuptimit dhe komentimit të tij. Por fjala e Allahut të Madhëruar nuk mbaron kurrë. Ajo është aq e thellë sa nuk mund të preket. Kushdo që ka hyrë aty, ka nxjerrë dhe ka mësuar diçka të re. Nëse hedhim dritë në këtë ajet mbi fjalën “dashuri dhe mëshirë” do të gjejmë se ndërtimi i familjes sipas mënyrës që dëshiron Allahu i Lartësuar, duhet të mbështetet patjetër mbi këto dy shtylla të mëdha. Pa dyshim, çdo familje që e humbet thelbin e dashurisë, të respektit dhe thelbin e mëshirës, kërcënohet me shkatërrim dhe nuk qëndron më si e tillë. Ajo familje shndërrohet dhe karakterizohet vetëm nga një lidhje materiale ndërmjet dy bashkëshortëve ose nga një lidhje kontrolli e njërës palë ndaj tjetrës. Ndërkohë që ne themi se familja të rrethohet nga dashuria dhe respekti.
Bashkëshorti shpenzon gjënë më të shtrenjtë që ka për bashkëshorten e tij dhe nuk dëshiron asnjë shpërblim. Këtë ai e bën vetëm sepse ai e do atë. Kjo dashuri mund të shtohet më shumë gjatë marrëdhënieve intime. Me kalimin e kohës lidhja të bëhet lidhje e mëshirës dhe dashamirësisë dhe jo ashtu siç mendojnë disa se martesa është “varri i dashurisë”. Kurrsesi, martesa e ndërtuar në bazë të dashurisë dhe mëshirës nuk është varr i dashurisë. Martesë e shëndetshme është ajo martesë kur bashkëshorti arrin ta ndjejë shumë të nevojshme, sesa të mendojë se nuk mund të jetojë dot pa bashkëshorten e tij qoftë edhe për disa çaste pa atë.
Edhe nëse ndodh që për arsye dhe probleme të ndryshme njëri prej bashkëshortëve mund të sëmuret, martesa e ndëtuar mbi bazë të mëshirës, mbart ato vlera të cilat tregojnë besnikërinë e thellë mes bashkëshortëve dhe nuk ndodh që në përballje me fatkeqësi të tilla, njëri nga bashkëshortët të heq dorë nga bashkëshorti/ja i/e sëmurë, por i qëndron pranë dhe sillet me të me dashuri dhe mëshirë. Mëshira është shumë më e lartë dhe më e gjerë sesa nocioni i dashurisë.
Kështu e ka ndërtuar Islami lidhjen bashkëshortore dhe kështu e ka formuar familjen me qëllim që familjet tona të dashura të jenë bërthama e ngrohtë e shoqërisë, vatra që ndërton dhe rrit dashurinë, respektin dhe lumturinë.
Ne kemi zgjedhur këshillat më të rëndësishme për bashëkshortët para se të bëjnë lidhjen bashkëshortore me qëllim që të ndërtojnë jetën e tyre në bazë të ndërgjegjësimit shoqëror, të ndërtojnë folenë e re te familjes së shëndetshme. Përmes përcjelljes së këtyre këshillave ne synojmë të kontribuojmë në ndërtimin e një familjeje të lumtur dhe kështu të meritojmë edhe kënaqësinë e Krijuesit të kohës, të Allahut të Madhëruar.
Autor: Prof. Dr. Ali Khamenei
(Revista “Vlera”, nr. 26, maj/qershor 2018, fq. 44)