
Këshilla nga Imam Rida (a.s.)
Këshilla të ndryshme nga Hazret Imam Rida (a.s.)
Tri tradita të nevojshme
“Nuk mund të thuhet për ndonjërin besimtar përderisa t’i zotërojë këto tri tradita: një traditë prej Zotit; një traditë prej të Dërguarit dhe një traditë prej Imamit. Tradita e Zotit është të mbajturit e fshehtësisë. Tradita e të Dërguarit është të kaluarit e mirë me popullin dhe tradita e Imamëve është të qenët i durueshëm gjatë vështirësive”.
Rehatia e familjes
“Kush zotëron një dhunti, duhet të sigurojë rehatinë e familjes”.
Ç’është adhurimi?
“Ibadet (adhurim) nuk është falja e shumë namazeve të preferuara dhe agjërimi i shumë ditëve të preferuara. Ibadet është të menduarit e shumtë në lidhje me të vërtetën e punëve të Zotit (sepse, vetëm në këtë mënyrë njeriu mund ta njohë Allahun dhe t’i bëjë ibadet me sinqeritet)”.
Pastërtia
“Njëra prej cilësive të pejgamberëve është pastërtia”.
Punët e kota
“Punët e kota kanë nevojë për fjalë të kota”.
Besimi dhe tradhtia
“Njeriu i besueshëm, nuk të ka tradhtuar, por ti je mbështetur te tradhtari (kjo vlen për njeriun e pabesë. Qëllimi është ky: mos supozo keq për njerëzit e besueshëm dhe mos e konsidero çdonjërin si të besueshëm)”.
Vullneti i Zotit
“Kur dëshiron Allahu ta zbatojë vullnetin e Tij, ia merr mendjet e robërve; në këtë mënyrë e realizon urdhrin e Tij dhe vullneti i Tij realizohet. Mbas realizimit të urdhrit të Tij, ia kthen mendjet e robërve. Pastaj, çdokush habitet dhe thotë: Si u bë dhe prej nga na doli kjo punë?”
Heshtja
“Heshtja është njëra prej dyerve të urtësisë. Heshtja (në vend të të folurit të kotë) është mjeti i fitimit të dashurisë dhe prijësi kah e mbara”.
Njeriu i thjeshtë
E pyetën Imam Ridanë (a.s.): “Kush është njeriu i thjeshtë?” – ai u përgjigj: “Është ai që zotëron ndonjë gjë, që është shkaktar i largimit të tij nga Allahu (bëhet i pavëmendshëm për Të)”.
Imam Rida (a.s.) dhe shkrimi
Imam Rida (a.s.) e hidhte dheun përmbi letrën e shkruar, për ta terur ngjyrën e shkrimit, dhe thoshte: “Kjo është e lejuar”. Kur dëshironte për të shënuar diçka, së pari shkruante: “bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim, insha’Allah nuk e harroj” dhe pastaj shkruante atë që dëshironte.
Mbështetja në Allahun
Një person e pyeti për kuptimin e ajetit “Kush mbështetet në Allahun, Ai i mjafton atij”, dhe Imam Rida (a.s.) u përgjigj: “Mbështetja i ka shkallët e veta. Shkalla e parë është mbështetja tek Ai për të gjitha punët; të qenët i kënaqur me të gjitha punët e Tij, të pranosh se nuk ka bënë padrejtësi ndaj teje në asnjë çështje apo mirësi dhe se gjykimi është në dorën e Tij. Atëherë, mbështetu dhe trego kënaqësi ndaj Tij në të gjitha punët. Shkalla tjetër është kjo: të besosh në të padukshmen hyjnore, të cilën dituria jote nuk mund ta përfshijë; diturinë e të padukshmes duhet t’ia lësh Allahut dhe urdhrave të Tij; duhet të mbështetesh tek Allahu në çdo të dukshme dhe të padukshme”.
Kush e zë vendin e babës?
“Vëllai më i madh e zë vendin e babës”.
Njohja e Allahut
Imam Rida (a.s.) u pyet nëse njohja e Allahut (marifet) është diçka që mund të arrihet, ai u përgjigj: “Jo, Allahu ia jep njohjen atij që dëshiron. Disa i bën të qëndrueshëm dhe disave u jep amanet. Ajo që është e qëndrueshme, Allahu më nuk e merr mbrapa, ndërsa, ajo që jepet si amanet, do të merret mbrapa”.
(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 23, korrik/gusht 2017, fq. 21-22)