
Ji i lumtur…
Hyrje
- Çdo gjë që mbjell edhe korrë.
- Çdo gjë që jep edhe e merr.
- Çdo gjë që u bën të tjerëve ia bën vetvetes.
Ky fenomen është i këtillë, asnjëri nuk mund të shpëtojë nga ligji universal. Gjithmonë jam përpjekur të jem i mirë, por jeta më ka takuar me persona egoistë, e që hiqen si viktima. Kjo nuk është korrja ime, thjesht, janë njerëz shfrytëzues të rrethanave të ndryshme.
Duhet të mbjellësh farë të mirë për të pasur korrje të mirë. Duhet të jetojmë me kuptimin e përbashkët, të konvertohemi në qenie humane të njerëzishme, që aktualisht i mungojnë botës.
Nuk duhet të paragjykojmë. Zoti është Ai që gjykon. Është e rëndësishme të vendosemi në këpucët e të tjerëve. Në këtë mënyrë do të mundemi t’i kuptojmë më mirë të tjerët si dhe jetën. Thjesht, mos i bëj diçka një personi tjetër atë që nuk do të doje të tjerët ta bënin ty.
Jeta është e shkurtër për t’u interesuar për atë ç’thonë të tjerët për ty. Ji i lumtur, e le të thonë ç’të duan, fundja, ti nuk jeton nga opinionet e të tjerëve. Thjeshtësia të bën të ndjehesh i madh.
Duke qenë të thjeshtë na çon në një gjendje qetësie, shoqërore, sigurie dhe është një lidhje e bukur, e sinqertë me të gjithë neve. Thjeshtësia është një virtyt i mrekullueshëm që e kundërshton krenarinë, arrogancën, nuk është dobësi. Gjithashtu, duhet të jemi të thjeshtë në komunikim që të mirëkuptohemi. Humaniteti, ndjeshmëria, thjeshtësia janë virtyte të njerëzve të mëdhenj.
Më në fund e kuptova se…
Më në fund e kuptova se nuk mund t’i pëlqej gjithë botës, e zbulova sa e bukur është t’i pëlqej veten sime. Njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm me atë se çfarë është e si mendon. Përpjekja e tij për të kënaqur gjithë botën është një marrëzi, një ide e gabuar. Së pari duhet ta pëlqejmë vetveten, sepse nuk mund të jetojmë duke menduar për atë që njerëzit e mendojnë, e thonë. Të duash veten është lumturi, pa e kaluar vijën e egoizmit. Nëse nuk e do veten, si pret të të duan të tjerët!
Kujt i intereson ajo çfarë bëj, ajo çfarë them. Unë jam kështu, kështu do të vazhdoj të jem, nuk do të ndryshoj kurrë për të keqe, por do të hapëroj shkallëve të përsosmërisë njerëzore. Nëse të pëlqej – mirë, nëse nuk të pëlqej është zgjidhja jote. Nuk e jetoj atë jetë që njerëzit duan ta jetoj. Dhe, e vetmja mënyrë që të jetosh i qetë e pa zhgënjime është që të mos presësh asgjë nga të tjerët.
Autor: Ardian Rama
(Revista “Vlera”, nr. 16, shtator/tetor 2015, fq. 50)