
Islami dhe toleranca ndërfetare
“Nuk ka tolerancë pa fe,
nuk ka tolerancë pa dialog ndërfetar
dhe nuk ka dialog ndërfetar pa edukatë fetare”
(Hans Küng, 1925, teolog zviceran)
Hyrje
Sot, bisedat dhe diskutimet e shumta mbi lirinë e shprehjes, të besimit dhe praktikimit të lirshëm të bindjeve të njeriut janë një realitet i pamohueshëm. Jo vetëm kaq, por tema mbi lirinë dhe tolerancën diskutohen edhe nëpër konferenca, simpoziume dhe tribuna të ndryshme anekënd botës por edhe te ne në Ballkan. Kur flasim për lirinë e njeriut jemi të vetëdijshëm se kjo është një shprehje me kuptim shumë të gjerë. Kjo shprehje në vete ngërthen lirinë e të shprehurit, lirinë e bindjes politike, lirinë e përcaktimit fetar etj.[1] Para se t’i qasemi çështjes në fjalë, të shohim se çfarë kuptojmë me shprehjen tolerancë?
Ç’dmth-në tolerancë?
Sipas kuptimit gjuhësor, termi tolerancë vjen nga fjala latine tolerantia që do të thotë: durim, zemërgjerësi, të epurit, të thyerit, të përkulurit, të përmbajturit.[2] Ndërsa në kuptimin fetar, ka kuptim më të gjerë. Tolerancë (lat. tolerantia) në përgjithësi do të thotë: durimi, qëndrimi zemërgjerë ndaj pikëpamjeve, zakoneve, sjelljeve, qëndrimeve, vlerësimeve etj. të tjetrit dhe të tjerëve, të cilët dallojnë nga pikëpamjet, zakonet, sjelljet, qëndrimet apo vlerësimet tona ose, për më tepër, janë të kundërta me to; pranimi dhe respektimi i të drejtës së tjetrit apo të tjerëve që të besojnë, të mendojnë, të sillen, të jetojnë etj. sipas bindjes së tyre, e cila nuk përputhet me bindjen tonë.[3] Disa dijetarë muslimanë, kur diskutojnë për tolerancë, thonë se kjo shprehje ka kuptimin që edhe në momentet kur diçka nuk të shkon për qejfi pse nuk të pëlqen, je i detyruar ta pranosh. Pra, kemi të bëjmë me një mundim që ia bëjmë vetes sonë. Ndërsa toleranca islame (arab. tesamuh, turq. hoşgörü) është diçka tjetër. Në tolerancën islame nuk ekziston ajo që njeriu të detyrojë vetveten, por, që njeriu të pranojë dhe të pajtohet me realitetin. Pra, në tolerancën islame nuk ka dhunë dhe shtrëngim (ikrah).[4]
Islami dhe toleranca
Toleranca e një feje është kriter i aftësisë së saj jetësore. Sa më fisnike të jenë dispozitat e një feje, aq më të mëdha do të jenë predispozitat e saj për t’u bërë fe universal, fe e gjinisë njerëzore. Të bërit fe botërore përsëri është ideali i çdo feje, e cila synon t’i japë bashkësisë njerëzore ngushëllim e paqe në këtë botë dhe lumturi të përjetshme në botën tjetër. Fjala e Zotit në Kuran, që iu drejtua Profetit Muhamed (s.a.a.): “Ne të kemi dërguar si mëshirë për të gjithë njerëzit”, tregon qartë synimin final të Islamit.[5]
Kurani – Libri i Allahut dhe Praktika e Profetit Muhamed (s.a.a.), janë burimet kryesore të fesë islame dhe që të dy me normat dhe rregullat e tyre e trajtojnë në mënyrë reale çështjen e tolerancës dhe të lirive fetare. Në fenë islame nuk mund të imagjinohet teoria pa praktikën në asnjë pikëpamje dhe meqë problematika që po trajtojmë është me rëndësi teorike dhe praktike, atëherë në vazhdim do të shohim tolerancën islame, si reflektim ideor dhe praktik.
Toleranca në Kuranin Fisnik
Kurani Fisnik në mënyrë përfundimtare e ndalon dhunën, detyrimin, shtrëngimin dhe fanatizmin në fe, bindje dhe mendim, dhe si zgjidhje nxit tolerancën fetare, lirinë e besimit dhe mirëkuptimin me njerëzit. Muslimanët i zbatojnë urdhrat e Zotit dhe nuk e detyrojnë askënd që ta ndërrojë fenë. Kështu, ne vërejmë tolerancë të madhe të Kuranit dymbëdhjetë shekuj para se parimet e lirisë së ndërgjegjes të shpalleshin nga ana e Revolucionit Francez.[6] Në rreth pesëdhjetë versete kuranore[7] bëhet thirrje për tolerancë dhe liri të ndërgjegjes, dhe ndër më kryesorit është: “S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra”.[8]
Versetet tjera kuranore janë si plotësuese dhe sqaruese për këtë parim, si: “Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!”[9] Zgjedhja e besimit dhe e mendimit është çështje personale e njeriut: “Dhe thuaj: E vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë”.[10] Koncepti i tolerancës ndaj besimeve të tjera vjen nga parimi kuranor që duhet ta di çdo besimtar musliman: “Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time”.[11] Mënyra se si një besimtar musliman duhet të jetë tolerant, zemërgjerë, i mëshirshëm dhe komunikues me pjesëtarët e feve ose bindjeve të ndryshme, është porosia: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë”[12]. Duke e përmbledhur atë që u tha më lart, theksojmë se Kurani Fisnik me shprehjet më të shkëlqyera të mundshme, i bëri liritë fetare pjesë fundamentale të besimit islame.
Toleranca në jetëshkrimin e Profetit Muhamed (s.a.a.)
Profeti Muhamed (s.a.a.) si komentator legjitim i Kuranit Fisnik, i shpjegoi më gjerësisht parimet dhe idealet e larta kuranore, për tolerancën dhe lirinë e besimit dhe me shembullin e vet vuri në jetë dhe i bëri traditë praktike edhe për brezat e ardhshëm. Nga tradita dhe praktika tolerante e tij po shkëpusim disa thënie ose ngjarje të shkurtra.
Në Mekë dhe Medinë gjatë kohës sa jetoi, në mesin e tij jetonin edhe bashkësitë fetare hebreje dhe të krishtera. Profeti Muhamed (s.a.a.) i quante ata ‘dhimmij’ – ‘të mbrojtur’, që do të thotë: ata që shteti islam e ka për detyrë t’i mbrojë. Ai tha: “Kush torturon një dhimmij, unë jam armik i tij dhe atë armiqësi do ta shfaq edhe në Ditën e Gjykimit”.
Njëri nga historianët e hershëm muslimanë, Muhamed ibn Is’hak (704 – 767), në librin e tij “Siretu Resulullah (Jetëshkrimi i Pejgamberit)” e rrëfen këtë ngjarje: “Një delegacion i përbërë tërësisht nga të krishterë prej Naxhranit[13] kishte ardhur te Profeti në Medinë. Ata hynë në xhaminë e Profetit në kohën e lutjes së namazit të pasditës. Kur u afrua koha e namazit edhe ata u ngritën për t’u lutur (falur). Të pranishmit deshën t’i pengonin, mirëpo Profeti që nuk miratonte një akt të tillë tha: “Lërini!” në këtë mënyrë ata kryen lutjen në kthyer në drejtim në Bejtul-Makdisit (Jerusalemit). [14]
Një ditë, gjersa Profeti (s.a.a.) ishte në Medinë, kalonte një kortezh mortor pranë tij dhe ai u ngrit në këmbë në shenjë respekti. Kur i thanë se kortezhi ishte i një hebreu, ai u përgjigj: “A nuk ishte qenie njerëzore?”[15] Pra, ky ishte Profeti Muhamed (s.a.a.), gjithmonë në fjalë dhe në vepra tolerant dhe i mirëkuptueshëm me ata që nuk mendonin dhe nuk besonin si ai.
Toleranca nga historia islame
Aspekte të ndryshme të tolerancës ndërfetare kishte edhe në historinë e muslimanëve gjatë gjithë shekujve. Një ngjarje interesante tregohet edhe për sjelljen tolerante të Imam Aliut (a.s.) kur ishte kryetar i shtetit të atëhershëm. Në atë kohë, qyteti i Kufes ishte qendra e pushtetit islamik. Në të gjithë hapësirën e gjerë të shtetit islamik, e veçanërisht në pjesën e Sirisë, ato ditë njerëzit pritnin vendimet dhe urdhrat e reja që do të jepeshin nga ky qytet. Jashtë rrethinave të qytetit, dy veta, njëri musliman dhe tjetri i një feje tjetër (hebre, i krishterë apo zoroastrian) ishin takuar gjatë rrugës. Pyetën njëri-tjetrin se për ku ishin nisur dhe doli që muslimani ishte nisur për në Kufe, ndërsa ai tjetri diku aty pranë këtij qyteti. Atëherë, meqë e panë që rrugën e kishin deri diku të njëjtë, vendosën që ta bënin bashkë, kështu që të kishin mundësi që të shkëmbenin edhe nja dy fjalë së bashku. Rruga e përbashkët kaloi më së miri në saje të bisedës së sinqertë dhe shkëmbimit të mendimeve. Kur mbërritën pranë qytetit të Kufes, ai që nuk ishte musliman, vuri re me plot habi që muslimani nuk u kthye nga ishte rruga e qytetit por hyri rrugës së bashkudhëtarit. I habitur nga muslimani, e pyeti atë: “Po ti a nuk më the që ishe nisur për në Kufe?” “Po”, iu përgjigj muslimani”. “Po, atëherë përse iu fute kësaj rruge. Rruga për në qytetin e Kufes është ajo tjetra”. “E di”, iu përgjigj muslimani, “por dua të të përcjell pakëz. Profeti ynë ka thënë: “Sa herë që dy veta marrin një rrugë bashkë dhe bëjnë muhabet, kanë një të drejtë mbi njëri-tjetrin”. Kështu dhe ti e ke një të drejtë mbi mua dhe unë për hatër të saj dua që të të përcjell disa hapa dhe pastaj do t’i kthehem rrugës sime”. Burri tjetër, i mahnitur iu përgjigj: “Oh, Profeti juaj që ka gjetur kaq mbështetje dhe përkrahje në mesin e njerëzve dhe me atë shpejtësi që është përhapur feja e tij në botë, patjetër te kjo sjellje e te ky moral duhet ta ketë forcën e vet”. Por habia dhe mahnitja e besimtarit arriti kulmin kur ai mësoi se bashkudhëtari i tij musliman ishte Kalifi (kryetar) i muslimanëve, Ali ibn Ebu Talibi (a.s). Nuk zgjati shumë dhe vetë ai u kthye më pas në musliman duke u bërë pjesë e besimtarëve dhe shokëve të devotshëm të Aliut (a.s).[16]
Toleranca ndërfetare te shqiptarët
Tolerancë dmth-në të mos përndjekim pjesëtarët e besimeve tjera për shkak të besimeve apo bindjeve të tyre, që t’i detyrojmë të heqin dorë nga besimet dhe bindjet e tyre, por ata persona t’i lëmë të qetë të jetojnë dhe t’i durojmë.[17] Sipas pedagogjisë, arsimi i njerëzve është pikë kryesore dhe me interes për kultivimin e marrëdhënieve të barabarta, midis popujve dhe vendeve në botë, dhe si rrjedhojë, zhvillon veprimtari në frymën e paqes dhe tolerancës.[18] Vetëm në kohën moderne mund të vërehet ideja e tolerancës fetare e bazuar në qytetërimin perëndimor. Kthesë vendimtare në këtë drejtim shënon Revolucioni Borgjez Frëng (1789), ku liria e besimit ngrihet në kushtetutë.[19]
Populli shqiptar kryesisht i takon besimi dhe fesë islame, ortodokse dhe asaj katolike. Këto besime fetare në masat e gjera popullore e kanë pasur gjithmonë kuptimin e nocioneve sa të shenjta e hyjnore, po aq edhe njerëzore e kombëtare. Ato si të tilla populli shqiptar i pranon edhe si simbole të përpjekjeve shpirtërore dhe progresive për harmoni, tolerancë dhe bashkëpunim ndërnjerëzor në drejtim të realizimit të mirëqenies individuale, familjare dhe asaj të përgjithshme shoqërore e kombëtare.[20]
Bashkëjetesa paqësore dhe toleranca në marrëdhëniet ndërfetare si një vlerë e spikatur dhe e qëndrushme e popullit shqiptar ka gjetur shprehje të qartë në veprën e njohur “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, e rilindasit shqiptar Pashko Vasë Shkodranit, ku në një varg thotë: “Myslimanët e Shqipërisë janë shqiptarë, si dhe të krishterët, flasin po atë gjuhë, kanë po ato zakone, vazhdojnë po ato doke dhe po ato tradita. Në mes atyre dhe të krishterëve kurrë s’ka pasur smira të rrënjosura as dhe armiqësira shekullore. Ndryshimi i fesë kurrë s’ka qenë një shkak për t’i shtyrë në një përçarje sistematike; myslimanët dhe të krishterët, me pak përjashtime, gjithmonë kanë jetuar në një shkallë barazie, që gëzojnë po ato të drejta dhe përmbushin ato detyra”.[21]
Toleranca fetare e popullit shqiptar mbështetet në vetëdijen kombëtare, në faktin se të gjithë shqiptarët të të gjitha besimeve janë të një gjaku dhe të një gjuhe, kanë origjinë, historinë, truallin dhe traditën e përbashkët, janë pra një vëllazëri e gjerë, një popull. Kjo vetëdije ka ndikuar fuqimisht në kohezionin kombëtar në përmasa më të gjera, dhe e ka mobilizuar popullin shqiptar gjatë historisë për t’u bërë rezistencë përpjekjeve të vazhdueshme të të huajve që ta përçajnë dhe që ta sundojnë. Pra, shqiptari para së gjithash dhe mbi të gjitha, më parë e di veten për shqiptar, pjesëtar i një kolektivi të gjerë, i lidhur për të me lidhje gjaku e gjuhe, dhe më pastaj musliman, katolik ose ortodoks. Këtë të vërtetë e kanë vërejtur shumë autorë të huaj dhe në veprat e tyre e kanë theksuar si dukuri të përgjithshme të popullit shqiptar.[22]
Sesa e madhe është toleranca fetare mes shqiptarëve në Kosovë, tregon një dukuri e rrallë dhe e pashoqe në Ballkan. Fjala është për familjet e përziera për nga besimi, një pjesë e saj janë muslimanë e pjesa tjetër katolikë. Tolerancën fetare ndër ne më së miri e ilustron shembulli i dy vëllezërve në fshatin Zhegër (Gjilan) nga të cilët njëri është shkolluar për prift e tjetri për hoxhë.[23]
Shkruan: Besmir Yvejsi
(Revista “Vlera”, nr. 27, tetor-nëntor 2018, fq. 13-15)
_______________________
[1] Mr. Qani Nesimi, “Islami dhe toleranca”, revista “Ditura Islame”, nr. 134-135, Prishtinë, gusht-shtator 2001, fq. 16.
[2] Grup autorësh, “Fjalor i fjalëve të huaja”, boton: “Instituti Albanologjik i Prishtinës”, shtypi “Rilindja”, Prishtinë 1988, zëri: toleránc/ë, ~a, fq. 620.
[3] Akademik Ekrem Murtezai, “Fjalor i terminologjisë fetare”, boton: “Kryesia e B.I.K.”, Prishtinë 2007, zëri: tolerancë-a, fq. 626.
[4] Ilber Ortaylı, “Tolerans ve Tesamuh, Osmanlı’da hoşgörü”, Stamboll 2000, fq. 21.
[5] Muhidin Ahmeti, “Toleranca fetare në Islam”, revista “Ditura Islame”, nr. 104, Prishtinë, korrik-shtator 1998, fq. 21.
[6] Dr. Ahmed Mohammad el-Hofy, “La tolérance de l’Islam (Toleranca islame)”, përktheu në shqip: Mehmet Zhinipotoku, shtypi “NGB Interpress”, Prishtinë 1993, fq. 13.
[7] Për të gjitha këto ajete kuranore, shiko artikullin e autorit Osman Nuri Haxhiq, “Toleranca dhe fanatizmi fetar”, përktheu në shqip: Naxhi Ibrahimi, revista “Ditura Islame”, nr. 25, Prishtinë, maj 1991, fq. 45-46.
[8] Kaptina el-Bekare, citati 256. Të gjitha ajetet kuranore janë të nxjerrura nga përkthimi i kuptimeve të Kuranit të Madhërishëm të bëra nga: Prof. Hasan I. Nahi, “Kurani i Madhërishëm”, boton: “Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam”, botimi i katërt, shtypi “Mileniumi i Ri”, Tiranë 2006.
[9] Kaptina Junus, citati 99.
[10] Kaptina el-Kehf, citati 29.
[11] Kaptina el-Kafirun, citati 6.
[12] Kaptina en-Nahl, citati 125.
[13] Nexhran është qytet në kufi me shtetin e Jemenit.
[14] Cituar sipas: Ekmeleddin İhsanoğlu: “A culture of Peaceful Coexistence (Kultura e bashkëjetesës)”, përktheu në shqip: Musli Ymeri, shtypi: “Dukagjini”, Pejë 2007, fq. 36-37.
[15] William Stoddart, “What do the religions say about each other? (Ç’thonë fetë për njëra-tjetrën?)”, përktheu në shqip: Artan Sadiku, boton: “Logos-A”, Shkup-Prishtinë-Tiranë 2010, fq. 76.
[16] Murteda Mutahhari, “Tregime për njerëzit e vërtetë”, përktheu në shqip: Skerdi Mahmutaj, boton: “Shoqata Flladi”, Tiranë 2007, fq. 29-30.
[17] Hans Vöcking, “Toleranca dhe tradita paqësore në fenë islame”, përktheu: Arif Emini, revista “Edukata Islame”, nr. 58-59, Prishtinë 1996, fq. 37-38.
[18] Akademik Jashar Rexhepagiq, “Arsimi për paqe, tolerancë dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, revista “Edukata Islame”, nr. 66, Prishtinë 2002, fq. 20.
[19] Menduh Bamja, “Ideja e tolerancës fetare dhe ndikimi i saj në shoqëri”, revista “Edukata Islame”, nr. 74, Prishtinë 2004, fq. 193.
[20] Mr. Kolë Krasniqi, “Roli i fesë në ruajtjen e identitetit dhe të harmonisë kombëtare te shqiptarët”, shtypi: “Drita”, Krushë e Madhe, Vjenë 1996, fq. 10.
[21] Dr. Ferid Dyka, “Rrënjët historike të tolerancës fetare në Shqipëri”, revista “Edukata Islame”, nr. 70, Prishtinë 2003, fq. 118-119.
[22] Akademik Mark Krasniqi, “Toleranca fetare mes myslimanëve dhe katolikëve në Kosovë”, Simpoziumi Ndërkombëtar: “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (15-17 tetor 1992)”, boton: “Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës”, Prishtinë 1995, fq. 207.
[23] Mark Krasniqi, “Lugu i Baranit, monografi etno-gjeografike”, boton: “Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës”, Prishtinë 1984, fq. 71.
____________________
*Fotoja në postim është fotografuar nga:
Fotografi Shkëlqen Rexha, Gjakovë.