
Imami shqiptar mbajti konferencë në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut
“Ramazani është muaji i aktiviteteve dhe jo i fjalëve.
Zoti ju pranoftë agjërimin, lutjet dhe punët e mira.
Zoti e bekoftë Nju Jorkun dhe ShBA-të”.
Në Qendrën e Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, është mbajtur Konferenca Vjetore para Muajit të Ramazanit. Kjo ishte një konferencë që organizohet me qëllim të prezantimit të hapave konkret që policia parasheh t’i ndërmarrë me qëllim që Komuniteti Musliman Amerikan të kalojë muajin e Ramazanit në qetësi dhe siguri.
Në këtë konferencë vjetore të një rëndësie të veçantë, fjalimin e rastit e mbajti imami shqiptaro-amerikan i lindur në Kosovë, dr. Tahir Kukaj, që njëherësh është edhe udhëheqësi i Qendrës Islame Kulturore Shqiptare në Staten Island, Nju Jork.
Imami Kukaj, në fakt është edhe këshilltar i kryebashkiakut të Nju Jorkut, Bill De Blasio, për çështje fetare si dhe lider i komunitet amerikan – musliman në Nju Jork Siti.
Imami Kukaj gjatë konferencës mbajti një fjalim, ku ndër të tjera u shpreh:
“Muaji i Ramazanit vjen pas festës së pashkëve hebraike dhe pashkëve katolike. Kjo është një renditje jo aksidentale. Zoti xh.xh. nuk punon pa plan. Është një mesazh nga Allahu se hebrenjtë, të krishterët dhe muslimanët kanë shumë gjëra të përbashkëta. Pikërisht agjërimi është një adhurim fetar që i bashkon pjesëtarët e këtyre tri komuniteteve…”.
Imam Kukaj gjithashtu ceku edhe dhunën terroriste dhe në vijim shtoi se: “… Zoti i bashkoi besimtarët e gjeneratave të ndryshme në obligim, po ashtu ua bëri të ditur se edhe sfidat para tyre janë të njëjta dhe se duhet t’i bashkojnë përpjekjet kundër dhunës, terrorit dhe urrejtjes, si dhe çdo fobie që rrezikon jetën dhe dinjitetin e njeriut.
Shembulli i vrasjes së të krishterëve në Sri Lankë gjersa por festonin festën e tyre të Pashkëve, pastaj kohë më parë, rasti i vrasjes së muslimanëve në xhami kur po luteshin në Zelandën e Re, dhe kohë më parë, vrasja e hebrenjve në Sinagogën e tyre në Pittsburgh derisa po luteshin, është një mesazh se ata që urrejnë jetën e njeriut nuk zgjedhin viktimën, qoftë musliman, i krishterë, hebre apo i besimeve tjera.
Ramazani ka mesazhin se duhet të ngrihemi e lartësohemi në aspektin shpirtëror dhe të largohemi nga doket dhe veset e këqija që në të shumtën e rasteve janë rrezik për të gjithë.
Ramazani është muaji i aktiviteteve dhe jo i fjalëve.
Zoti ju pranoftë agjërimin, lutjet dhe punët e mira.
Zoti e bekoftë Nju Jorkun dhe ShBA-të”.