
GRATË MË TË FAMSHME NË FENË ISLAME
Hyrje
Tërë lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve, qofshin të bekuara zgjedhjet e Tij që ka emancipuar burrat dhe gratë nga zgjedha e shtypjes. Enesi rrëfen se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Në mesin e femrave që kanë arritur përsosmërinë dhe që ia vlenë për t’i pasuar ato janë: Merjemja e bija e Imranit, Hatixhja e bija e Khuvejlidit, Fatimja e bija e Profetit dhe Asija gruaja e Faraonit” (Transmeton Tirmidhiu).
Hadithi megjithatë referon se këto katër gra kanë arritur përsosmërinë në besim dhe karakter, nga virtyti i tyre, devotshmëria, durimi, mundi dhe morali. Jetët e tyre janë të ndriçuara me besim, devotshmëri, durim dhe mirënjohje. Jetët e tyre shërbejnë si fenerë të udhëzimit për të gjithë besimtarët, sidomos në kohën e mjerimit, vështirësisë dhe luftës.
Asija, gruaja e Faraonit
Ajeti kuranor thotë: “Dhe për ata që kanë besuar, Allahu ka përcaktuar një shëmbëlltyrë rreth tregimit për gruan e Faraonit, kur ajo u lut: ‘O Mbështetësi im! Ndërto për mua një shtëpi në Xhenet dhe më shpëto mua prej Faraonit dhe brutalitetit të tij dhe më shpëto nga të gjithë njerëzit që bëjnë të këqija’” (Surja et-Tahrim, ajeti 11).
Kurse historia islame tregon që: Kur magjistarët ranë në sexhde dhe deklaruan besimin e tyre në Allahun dhe pranuan Musanë (paqja qoftë mbi të) si profet të Allahut – gruaja e Faraonit gjithashtu deklaroi besimin e saj. Faraoni filloi dënimin e saj duke e tërhequr atë për toke dhe duke e ekspozuar atë në diell në mesin ditës. Kur ai largohej prej saj engjëjt vijnin dhe i bënin hije asaj me krahët e tyre. Faraoni pastaj i dha një zgjedhje asaj: “Ose heq dorë nga besimi juaj, ose të jeni të përgatitur se kam për t’iu shtypur me një gur të madh”. Kështu që ajo zgjodhi që të shtypej. Kur ajo u vendos në tokë, ajo ngriti sytë e saj kah qielli dhe e pa vendin e saj në xhenet dhe u lut. Pasi mbaroi lutjen, shpirti i saj u ngrit lart në qiell dhe guri i madh ra dhe shtypi trupin e saj të pajetë.
* * * * *
Merjemja, bija e Imranit (paqja qoftë mbi ta)
Merjemja, bija e Imranit (paqja qoftë mbi ta) i kaloi ditët e rinisë në izolimin total brenda kufijve të Bejtul-Makdisit. Ajo tërë jetën e saj ia ka kushtuar në lutjes dhe adhurim Zotit të Plotfuqishëm. Edhe pse e pamartuar ajo mrekullisht lindi Isain (paqja qoftë mbi të). Ajo u akuzua për tradhti jashtëmartesore dhe u dënua se e ka çnderuar emrin e familjes. Kush do të kishte besuar pafajësinë e saj, kur ajo erdhi tek njerëzit e saj si një grua e pamartuar me një fëmijë në dorë, dhe se si ajo mund të shkarkojë veten nga akuzat e tradhtisë bashkëshortore?
Vetëm se si mund një grua e pamartuar ta bind popullin e saj se kjo nuk ishte një lindje e zakonshme e as nuk ishte ky një fëmijë i zakonshëm? Kurani i Shenjtë thotë: “Kështu ajo erdhi tek njerëzit e saj dhe mbante fëmijën në duar, e ata thanë: ‘O Merjem! Ju keni bërë me të vërtetë një gjë të mahnitshme…’. Ajo vuri në dukje atë të birin e saj, e ata bërtitën: ‘Si t’i flasim ne atij që ëshë një foshnjë e porsalindur?’ Por ai (fëmija) tha: ‘Unë jam shërbëtor i Allahut i cili më ka dhënë mua Librin dhe më ka bërë Pejgamber’” (Surja Merjem, ajetet 27- 30).
Fëmija në gji foli dhe e mbrojti nënën e tij nga akuzat e të pabesëve. Kur ajo i dha tërë jetën e saj Allahut, kurse Allahu i dha asaj një fëmijë që e mbrojti integritetin e saj edhe derisa ai ishte në djep.
* * * * *
Hatixhja, gruaja e Profetit (paqja qoftë mbi ta)
Hatixhja ishte vajza e Huvejlidit. Ajo ishte jashtëzakonisht e mençur, inteligjente, e butë dhe me ndikim, u quajt edhe Tahira (e dëlirë dhe e pastër). Ajo ishte e pasur dhe një grua me një begati në tregti. Ajo u martua me Profetin e Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) në moshën dyzet vjeçare ndërsa ai ishte njëzet e pesë vjeçar. Ajo i siguroi mbështetjen morale, financiare dhe emocionale atëherë kur ai u bekua me profeci.
Kur Profeti i Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) kishte parë Xhebrailin (paqja qoftë mbi të) për herë të parë në shpellën Hira, ai ishte i trembur dhe i frikësuar për jetën e tij. Ai vrapoi poshtë malit duke u dridhur dhe duke qarë: “Më mbulo mua, më mbulo!” Ishte Hatixhja (Zoti qoftë i kënaqur me të), ajo e cila e ngushëlloi atë, ajo ishte shtylla e tij e mbështetjes; ajo besonte në të, kur të gjithë të tjerët dyshuan në atë. Ajo ka shërbyer si strehë e tij, e ngushëlloi atë, e mbështeti atë dhe kujdesej për atë kur ai ishte i vetëm, i hutuar dhe i trembur. Ajo qëndroi pran tij, kur të gjithë të tjerët i shmangeshin atij. Hatixhja (Zoti qoftë i kënaqur me të), iu përgjigj thirrjes së Islamit, ajo i dha një shtëpi Profetit të Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), ajo ishte shoku i parë i ngushtë i tij dhe kulla e fuqisë si dhe ia fali një vajzë, Fatimen, e cila do të jetë ndër gratë e para që do të hyj në Xhenet.
* * * * *
Fatimja, bija e Muhamedit (paqja qoftë mbi ta)
Fatimja ishte e bija e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij). Ai shpesh thoshte: “Fatimja është prej mishit tim, ai që zemëron atë më ka zemëruar mua” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi). Fatimja (paqja qoftë mbi të), ishte fëmija më i vogël i Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe i vetmi fëmijë që i ka mbijetuar atij. Ajo kalonte një jetë të varfër dhe në sakrificë.
Një ditë kur ajo ishte dhjetë vjeçare e shoqëroi babai e saj deri tek Qabja. Ai qëndroi në një vend i njohur si El-Hixhr në drejtim të Qabes dhe filloi të lutej. Fatimja qëndroi në anën e tij. Një grup nga fisi kurejsh u mblodhen rreth tij. Aty u përfshinë edhe Ebu Xhehl ibn Hisham që ishte daja i Profetit, Ukbe ibn Ebi Muajt, Umejjeh ibn Halef dhe Shejbe ibn Utbeh. Ebu Xhehli si kryetar, i kërkoi atyre: “Cili prej jush mund të sjellë zorrët e një kafshe të therur dhe të hedhin atë mbi Muhamedin?” Ukbe ibn Ebi Muajti, një njeri i ndyrë, doli vullnetar dhe nxitoi jashtë. Ai u kthye me një ndyrësi që kundërmonte një erë të padurueshme dhe e hodhi mbi shpatullat e Pejgamberit, ndërsa ai ishte ende në sexhde. Imagjinoni ndjenjat e Fatimesë kur ajo e pa babain e saj duke e poshtëruar në këtë mënyrë. Ajo shkoi te babai i saj që t’ia heqë shëmtirat dhe pastaj u ndal në mënyrë të vendosur dhe me zemërim përpara këtij grupi huliganësh kurejshit dhe u turrë kundër tyre. Skena të tilla të këqia dhe ngacmimet kundër babait të saj dhe myslimanëve të hershëm , ishin pothuajse skena të përditshme të Fatimesë si një vajz e re. Ajo nuk qëndrojë mënjanë, por u bashkua në luftën, në mbrojtje të babait të saj dhe misionin e tij fisnik.
* * * * *
Këto katër gra kanë ndryshuar gjërat në historinë njerëzore, nëpërmjet këmbëngulësisë së tyre, besimit dhe guximit. Jeta e Merjemes (paqja qoftë mbi të), ishte e karakterizuar nga besimi më i thellë, dëlirësia dhe ndershmëria. Hatixhja (paqja qoftë mbi të) asnjëherë nuk iu është nënshtruar pasurisë, fuqisë dhe famës. Fatimja (paqja qoftë mbi të) çdo herë bënte durim në vuatjet e pafundme dhe është graduar si udhëheqësja e të gjitha grave të xhenetit, ndërsa gruaja e Faraonit zgjodhi besimin mbi mbretërinë. Këto ishin gratë e dalluara për nga durimi që e gjetën miqësinë e vërtetë të Allahut, përmes durimit të tyre të pashtershëm duke u ballafaquar me flijime të rënda. Allahu na dhuroftë fuqinë të imitojmë sjelljen e bukur e këtyre grave me virtyte, përulësi dhe guximi, amin!
(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 9, nëntor/dhjetor 2013, fq. 18-19)