Tregime Urtesie

GJERDANI I BEKUAR

GJERDANI I BEKUAR

Një plak i pluhurosur dhe i zverdhur hyri në xhami. Ishte i veshur i tëri me lecka. Iu afrua Pejgamberit s. a. a. dhe me tri fjali të shkurta ia sqaroi gjendjen e tij.
“O i Dërguar i Allahut! Jam i uritur, më jep të ha. Jam i zhveshur, me jep rroba. Jam pa të holla, më ndihmo.”
-Pejgamberi s.a.a. i tha: “Nuk kam asgjë me vete. Shko në shtëpinë e vajzës sime. Ajo do të ndihmojë.”
Shtëpia e Hazreti Fatimes ishte afër xhamisë. Plaku shkoi dhe trokiti në derë.
“Kush është? – pyeti Fatimja s.a.
“Unë jam një njeri i uritur, pa rroba dhe pa para. Bëhuni e mirë dhe bujare ndaj meje, kurse Zoti do të jetë i mirë dhe bujar ndaj jush.”
-Hazreti Fatimja r. a. mori gjerdanin e vet, që e kishte dhuratë të dasmës nga kushërinjtë e saj dhe ia dha plakut, duke i thënë:
-“Shiteni këtë gjerdan dhe përdorini paratë. Inshallah, në të ardhmen nuk do të keni varfëri.”

Plaku i varfër u kthye i kënaqur. Pejgamberi s. a. v. s. ishte akoma ne xhami. Plaku e tregoi gjerdanin dhe tha: “O Pejgamber i Allahut. Vajza jote, Fatimja, më dha gjerdanin e vet për ta shitur.”
Njëri ndër miqtë e Pejgamberit s. a. v. s., Amr Ibn Jasiri, pasi dëgjoi çka tha plaku, e pyeti sa ishte çmimi i tij.
Plaku iu përgjigj se do ta jepte për ushqim, që do t’i mjaftonte ta shuante urinë, për veshmbathje, që do të ishte e mjaftueshme për t’u veshur dhe për para, sa do të ishin të mjaftueshme për të shkuar në shtëpi.
Amri i tha: “Do të blej gjerdanin nga ti për:
-një racion bukë me mish,
-rroba prej pëlhure nga Jemeni,
-një kafshë që do të shpie në shtëpi,
-tetë dinarë ar si shtesë.
Amri pastaj e mori plakun për në shtëpi dhe ia pagoi çmimin e gjerdanit.
Plaku hëngri, veshi rroba të reja dhe shkoi rrugës së tij i lumtur dhe i kënaqur.
Pastaj Amr Ibn Jasiri, vuri parfum në gjerdan, e mbështolli me një copë pëlhure dhe e urdhëroi shërbëtorin: “Shko te pejgamberi i Zotit, thuaj se ty dhe këtë gjerdan ia kam dhuruar atij.”
Shërbëtori shkoi te Pejgamberi s. a. v. s. dhe ia transmetoi porosinë.
Pejgamberi s. a. v. s. e shikoi gjerdanin dhe tha: “Ndërsa unë ty dhe gjerdanin ia dhuroj vajzës sime.”
Shërbëtori shkoi te Hazreti Fatimja r. a., i tha se çka i kishte porositur babai i saj dhe ia dorëzoi gjerdanin. Fatimja r. a. e falënderoi dhe i tha:
“ Unë të liroj ty në rrugën e Zotit. Ti nuk je më skllav.”
Shërbëtori u gëzua shumë dhe i lumtur e i hutuar tha:
“ Çfarë gjerdani i bekuar!”
-Shoi urinë,
-Veshi trupin,
-Dhuroi para në vend të mospërkrahjes,
-Vendosi këmbësorin në shalë,
-Liroi një skllav dhe
-Në fund u kthye te pronari

Përgatiti : Ikballe berisha Huduti

Të ngjashme

Back to top button