
Fjalimi i Haxhit Lamtumirës
Fjalimi i Haxhit Lamtumirës
Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij, falje dhe ndihmë kërkojmë, dhe tek Ai do të kthehemi. Mbështetemi tek Allahu për mbrojtje (shmangie) nga sherri i epshit tonë dhe prej të këqijave të veprave tona. Atë që e drejton Allahu në rrugë të drejtë, askush më nuk mund ta devijojë, dhe atë që e devijon Allahu, askush më nuk mund ta udhëzojë në rrugën e drejtë. Deklaroj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, është tek dhe nuk ka ortak. Dhe, deklaroj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij.
O robërit e Allahut, ju lë porosi që të frikoheni nga Allahu. Ju bëj thirrje që t’i bindeni urdhrit të Tij dhe kërkoni ndihmën e Allahut për gjërat e mbara.
O ju njerëz, dëgjoni me vëmendje këto fjalë: Nuk jam i sigurt, por ndoshta vitin e ardhshëm nuk do të takohem edhe një herë me ju në këtë vend.
O ju njerëz, sikur që është i ndaluar për mua cenimi i shenjtërisë së këtyre ditëve (ditët e haxhit) dhe të këtij qyteti (Mekke), ashtu edhe për ju Myslimanët është i ndaluar gjaku dhe dinjiteti i njëri-tjetrit. (nuk keni të drejtë të derdhni gjakun e njëri-tjetrit dhe të ofendoni njëri-tjetrin). O ju Myslimanë, a ju komunikova këtë mesazh? (mbasi që mori përgjigjen pozitive vazhdoi). O Allah, bëhu dëshmitar!
Ai që ka pranë tij një amanet, le t’ia dorëzojë atë pronarit të vet. Të gjitha kamatat e kohës së xhahilijetit janë të pavlefshme. Kamata e parë që e shpalli të pavlefshme është kamata e axhës tim, Abbas ibni Abdylmutalib. Të gjitha paditë për gjak të kohës së xhahilijetit janë të përfunduara. Padia e parë e gjakut që e shpalli të pavlefshme është padia e gjakut të djalit të axhës, Amir Rabia ibni Haris ibni Abdylmutalib. Të gjitha adetet dhe traditat e xhahilijetit që kanë të bëjnë me haxhin janë të anuluara, përveç shërbimeve të Qabes dhe dhënies ujë haxhilerëve. Për vrasjen me qëllim, mund të kërkohet hakmarrja. Nëse ndokush bën vrasje pa dashje (nëse e godet me gur, shkop ose me diçka të ngjashëm dhe si pasojë e kësaj vdes), atëherë si dënim për të është dhënia e kundërshpërblimit -njëqind deve. Nëse kërkohet më shumë se kjo, atëherë kjo ka të bëjë me pasimin e traditave të xhahilijetit.
O ju njerëz, sot shejtani ka humbur shpresën e të adhuruarit të tij dhe është i kënaqur me atë që ju t’i bindeni atij në punët e imta.
O ju njerëz, ”Shtyrja (e një muaji në vend të një tjetri) nuk është tjetër vetëm se një rritje e mosbesimit, që me të edhe më shumë humbin ata që mohuan, pse në një vit e bëjnë të lejuar atë (muajin e shenjtë), e në një vit të ndaluar (të shenjtë), e për të përputhur numrin që Allahu i bëri të shenjtë dhe me atë e bëjnë të lejuar atë që Allahu e ndaloi” (Tevbe, 37). Si pasojë, data është kthyer në datën e kohës së krijimit të qiejve dhe të Tokës. “Tek Allahu, numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu siç është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë.” (Tevbe, 36). Tre prej tyre janë njëri pas tjetrit dhe ato janë Dhulkada, Dhulhixhe dhe Muharremi. Dhe, i katërti është në mes të Xhumadel Ahirit dhe Shabanit, e ai është muaji i Rexhebit. A ju komunikova këtë mesazh? O Allah, bëhu dëshmitar!
O ju njerëz, ju keni të drejta ndaj grave tuaja dhe gratë tuaja kanë të drejta ndaj jush. Të drejtat tuaja ndaj grave janë këto: Të mos pranojnë në shtratin e saj askënd përveç jush; mos ta pranojë pa leje në shtëpi personin që nuk e doni dhe, të mos u afrohen punëve të shëmtuara dhe prostitucionit. Nëse e bëjnë këtë, atëherë largojeni prej shtratit dhe përdoreni forcën në mënyrë të lehtë, duke mos e lënduar, për këtë keni leje nga Allahu. Nëse largohen prej atyre punëve dhe bëhen të dëgjueshme, atëherë ushqejini ato dhe jepuni veshmbathjet e tyre. Ato janë amanetet tuaja nga Allahu dhe sipas ligjit të librit të Allahut janë bërë hallall për ju. Keni frikën e Allahut për të drejtat ndaj grave dhe kërkoni të mirat për ato.
O ju njerëz, “besimtarët janë vëllezër” (Huxhurat, 10). Malli i asnjë besimtari nuk është hallall për vëllanë e tij, pa ia dhënë ky pëlqimin nga zemra. A ju komunikova këtë mesazh? O Allah, bëhu dëshmitar!
Ruajuni që pas meje të mos ktheheni në pabesim dhe të mos goditni qafat e njëri tjetrit.
Ç’është e vërteta, unë po ua lë juve një gjë të tillë, që nëse e përqafoni atë, nuk do të devijoni asnjëherë: Librin e Allahut (Kuranin) dhe familjen time Ehli Bejtin. A ju komunikova këtë mesazh? O Allah, bëhu dëshmitar!
O ju njerëz, Zoti juaj është një, edhe babai juaj është një; të gjithë e keni prejardhjen prej Ademit dhe Ademi është prej dheut. “Te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që është më i devotshëm” (Huxhurat ,13). Një arab mund të ketë përparësi ndaj një jo arabi vetëm në devotshmëri dhe në asgjë tjetër. A ju komunikova këtë mesazh? “Po”, thanë të gjithë të pranishmit. Atëherë, ata që janë prezentë, le t’u komunikojnë atyre që nuk janë prezentë.
O ju njerëz, Allahu ka caktuar hisen e çdonjërit në trashëgim. Asnjërit nuk i pranohet më shumë se një e treta e trashëgimisë sipas testamentit. Djali i takon gruas së burrit me të cilën është e lidhur sipas sheriatit. Personit që bën prostitucion i takon rexhm-i (mbytja duke e gjuajtur me gur). Mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i gjithë njerëzve do ta mbërrijë personin që pretendon se babai i tij është ndokush tjetër dhe skllavit që thotë se i takon pronarit tjetër. Allahu nuk i pranon pendimet e tyre as pagesën e tyre për të qenë të lirë. Selami dhe bereqeti i Allahut qoftë për ju!
Përgaditur nga Redaksia Vlera