
EJANI TË SOLIDARIZOHEMI ME NDODHINË E DHIMBSHME TË QERBEAS
Allahu na shpërbleftë neve dhe juve me ringjalljen dhe përkujtimin e Imam Husejnit- paqja qoftë mbi të. I cili u vra i etur me padrejtësi.
Këto ditë të Ashuras që fillojnë sot nga ora 12 e mesnatës pra me 13 nëntor, janë ditët më të dhimbshme në islam dhe dita më e madhe në historinë e botës. Në ditën e dhjetë të muajit Muharrem, u krye masakra më e rreptë e cila nuk gjindet e ngjashme me të në histori.
Kjo është dita më e përgjakshme dhe më e lënduar në islam dhe për myslimanët. Kjo ditë i lotoi sytë dhe do ti lotoj në çdo kohë, në çdo shekull në çdo epokë. Po ashtu kjo ditë ka djegur zemrat me zjarrin e pashuar të hidhërimit.
***************************************************
Kush është Imama Husejni a.s.
Emri : Husejn
Epiteti: Ebu AbdilahSelam Ja Husejni, ja Shehide Qerbela, Ja sejjidel Enbija.
Babai: Ali Ibn Ebi Talibi –paqja qoftë mbi të
Nëna: Fatime Zehra –paqja qoftë mbi të.
Dita e lindjes: 3 Shaban i vitit të katërt Hixhri
Vendi i lindjes: Medine
Vendi i shehidllëkut: Qerbela – Irak.
Jetoi deri në moshën 57 vjeçare.
Vrasja e Imam Husejnit a.s. është fatkeqësi dhe humbje për gjithë ymetit musliman u kthye në torturë dhe dhimbje për ndërgjegjjen e umetit dhe hidhërimet e atyre që mbajnë në zemrat e tyre dashuri për Ehull Bejtitn a.s.
.
Muhamedi s.a.a. ka thënë: “ Husejni është fener ndriçues dhe anija e shpëtimit”
“ Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit”.
TESTAMENTI IMAM HUSEJNIT a.s.
“ Dëshmojë se kryengritja ime nuk është për post dhe shpagim, as për t’u vendosur në zjarrin e padrejtësisë unë nuk jam punëkeq, as dëmtues dhe as i lig, por u ngrita që të hap zinxhirin e mbyllur nga punë keqët dhe pengmarrësit.
Kryengritja ime synon të nxjerrë nga errësira, gabimet dhe padrejtësinë që po u bëhet ndjekësve të gjyshit tim, Muhamedit s.a.a., dhe të babait tim Aliut a.s. “ ( marrë nga Lisani arabi – Ibni menzur).
*****************************
Muhamedi –paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij ka thënë:
“Unë për ju kam lënë dy gjëra, nëse ju do të mbështeteni fort te këto dy gjëra nuk do të humbni kurrë, e para, Libri i Allahut Kurani dhe e dyta, Familja ime – Ehlul Bejti.”
Fjalët e Zejnebes a.s.( bija e Fatimes, motra e Imam Husejnit), drejtuar Jezidit birit të Muavis, fisit të Ebu Sufjanit, qofshin të mallkuar.
“ Gjërat e vetme për të cilat dini ju Kombi Jezidi, janë, zilija, urrejtja, lajkat dhe shpifjet, Me fjalët tuaja i keni lënduar zemrat tuaja..”
Naim Frashëri
QERBELAJA
Ah o mitë e zeza mitë,
Si i bëre gjithë Jezitë,
Njeri mik sot për sot s’mbeti
U harua Muhameti,
Aliu me Fatimen
E Hasani me Husejn,
Dhurat mendjeve
Imam Hysejni (a.s.)
Hadithet e Imam Hysejnit (a.s.) për urtësinë, asketizmin, këshillat, devotshmërinë, urdhërin ndaj
veprave të mira dhe ndalimin e veprave të këqija
4.1 Urdhërimi për të mirën dhe ndalimi prej të keqes[1]
O njerëz! Merrni mësim prej qortimit drejtuar dijetarëve hebrenj nga ana e Allahut, kur deshi që të afërmit e Tij të marrin mësim nëpërmes kësaj. Allahu Teala thotë: “E pse paria fetare e tyre të mos i largojnë njerëzit e ndershëm dhe të dijshëm nga fjalët mëkatare dhe ushqimet e ndaluara?” (Maide, 63)
Në një vend tjetër Allahu thotë: “Janë mallkuar ata, nga izraelitët, të cilët me gjuhën e Davudit dhe të Isasë, të birit të Merjemes, kanë mohuar, për shkak se ishin të padëgjueshëm dhe gjithmonë e tepronin. Nuk e pengonin njëri-tjetrin nga të këqijat që i bënin. Vërtet vepronin shumë keq” (Maide, 78-79)
Qortimi i tyre bëhet për arsye se në mesin e tyre ekzistonin zullumqarët që kryenin vepra të këqija dhe paria fetare e tyre nuk i ndalonte ata në përvetësimin jo të lejuar të pasurisë dhe të pozitës, sepse paria fetare frikoheshin që të mos bëjnë ndonjë presion ndaj tyre ose të mos vijë deri të ndërprerja e marrëdhënieve në mes tyre. Ndërsa, Allahu Teala thotë: “Mos u frikësoni prej njerëzve, por frikësojuni prej Meje” (Maide, 44)
Në një vend tjetër ka thënë: “Kurse besimtarët, besimtaret janë miq të njëri-tjetrit: porosisin për vepra të mira dhe pengojnë nga veprat e këqija; edhe kryejnë namazin dhe japin zeqatën; edhe e nderojnë Allahun dhe Profetin e tij”. (Tevbe, 71)
Siç po vërejmë, duke i numëruar cilësitë e besimtarëve, më së pari Allahu cek urdhrin për vepra të mira dhe ndalimin e veprave të këqija (emri bil maruf ve nehji anil munker), sepse, Ai e di që nëse plotësohet ky obligim ashtu si duhet, atëherë të gjitha obligimet tjera do të plotësohen më lehtë, qofshin ato të lehta apo të vështira. Urdhri ndaj veprave të mira dhe ndalimi nga veprat e këqija siguron: dhënien e të drejtave të atyre ndaj të cilëve u është bërë padrejtësi; kundërshtimin e të padrejtëve; shpërndarjen e drejtë të ndihmave nga buxheti (bejt-ul mal) dhe të begative; marrjen e zeqatit nga vendi i duhur dhe shpërndarjen e duhur të tij dhe, kjo është një ftesë për vepra në Islam.
Pastaj, ju o popull që jeni të famshëm në dituri, të përmendur në të mbarë, të njohur me këshillat tuaja dhe që dukeni madhështorë në zemrat e njerëzve, dijeni që njerëzit e ndershëm ruhen prej jush, të dobëtit ju tregojnë respekt, ata që janë në nivelin tuaj dhe ndaj të cilëve nuk jeni gjendur në mirësi ju rekomandojnë për vete. Kur njerëzit nuk mund të përballen me nevojat e tyre, ata përballen me ndërmjetësimin tuaj. Rrugës ecni me krenarinë e të mëdhenjve dhe dinjitetin e sundimtarit. Athua, të gjitha këto nuk janë për hir të kryerjes së detyrave hyjnore që priten prej jush t’i kryeni (ashtu që e vërteta të jetë e qëndrueshme)? Por, shumica prej juve nuk i kryeni detyrat tuaja dhe gaboni. E nënçmoni të drejtën e Imamit dhe i cenoni të drejtat e të dobëtëve. Por, për vete kërkoni të drejtën që mendoni se ju takon. Ju nuk keni harxhuar asnjë pasuri në rrugën e Allahut, nuk keni rrezikuar shpirtin tuaj për hir të Tij dhe nuk u bëtë armik i ndonjë fisi (shoqërie) për hir të kënaqësisë së Tij. Dhe, krahas kësaj, ju dëshironi xhenetin e Allahut, fqinjësinë e të Dërguarit (s.a.a.) dhe shpëtimin prej dënimit.
O ju që pritni të mbarën prej Allahut pa kryer vepra! Frikohem prej hakmarrjes dhe ushtrimit të dënimit të Tij ndaj jush, sepse, ju keni fituar pozitë dhe epërsi si dhuratë prej Allahut dhe me emrin e Tij jeni të respektuar në sytë e njerëzve. Ndërsa, ju nuk jeni të respektuar prej atyre që janë të njohur me dëgjueshmëri ndaj Allahut.
Juve nuk ju shqetësoi prishja e marrëveshjeve me Allahun, të cilat i keni parë me sytë tuaj, ndërsa, shqetësoheni për cenimet e marrëveshjeve (amanetet dhe fjalët) të baballarëve tuaj. Marrëveshjet e të Dërguarit (s.a.a.) janë duke u nënçmuar; të verbrit, të pagjuhët dhe të paralizuarit kanë mbetur pa mbrojtje dhe pa kujdes nëpër qytete, nuk i dhimbsen askujt, ndërsa, ju nuk bëni asgjë për ata duke e shfrytëzuar pozitën tuaj dhe nuk u ndihmoni atyre që janë të pastrehuar. Në vend të kësaj, ju mundoheni ta përvetësoni sigurinë duke i bërë lajka të padrejtëve. Të gjitha këto jua ka ndaluar Allahu i lartësuar, ndërsa ju bëheni të pavetëdijshëm.
Sikur të ishit të vetëdijshëm, do të kishit kuptuar se ju jeni më të fatkeqit në mesin e njerëzve sepse qëndroni larg prej pozitës së vërtetë të dijetarit, sepse, zbatimi i gjykimeve, udhëheqja e punëve dhe të qenët i sigurt për të ndaluarën dhe të lejuarën e Allahut është në dorën e dijetarëve. Kjo pozitë është privuar prej jush. Arsyeja për këtë është se ju jeni përçarë në lidhje me të vërtetën dhe e keni kundërshtuar traditën mbasi që ju kanë ardhur argumentet e qarta.
Sikur të kishit duruar vuajtjet dhe të kishit duruar vështirësitë për hir të Allahut, çështjet hyjnore do të kishin dalë prej jush dhe do të ishin kthyer te ju. Por, duke jua lënë në dorën e të padrejtëve pozitën tuaj, jua keni dorëzuar atyre edhe çështjet hyjnore, ndërsa, ata veprojnë në bazë të dyshimeve dhe dorëzohen dëshirave të epshit. Ajo çka ka ndikuar te të padrejtët që ta përvetësojnë këtë pozitë ishte ikja e dijetarëve prej vdekjes dhe përqafimi i jetës së kësaj bote. Ju, dijetarët, jua keni dorëzuar atyre popullin e pafuqishëm. Disa prej tyre kanë rënë në pozitën e skllavit të shtypur dhe disa prej tyre janë dobësuar aq shumë sa që nuk mund të sigurojnë as jetesën. Të padrejtët bashkë me të këqijtë mundohen t’i kundërvihen Allahut dhe të përfitojnë prej atdheut të tyre ashtu siç dëshirojnë ata. Ata i drejtohen të gjitha të ligave duke shkuar mbas epsheve dhe pasioneve të tyre.
Në çdo qytet ekzistojnë oratorët që flasin. Çdo anë e atdheut është përkulur para tyre dhe ata e kanë vendosur dominimin në çdo vend të atdheut. Populli është bërë skllavi i tyre dhe nuk kanë fuqi për t’u mbrojtur prej tyre. Ata sundojnë mbi popullin; ata janë mizorë që sillen në mënyrë të vrazhdë dhe të pamëshirshëm ndaj njerëzve të dobët. Kompetent është ai që nuk i beson Allahut dhe ditës së gjykimit. Është për t’u çuditur! Si të mos çuditem, kur tokat Islame janë nën sundimin e mashtruesve dhe të mbledhësve mizorë të zeqatit, dhe besimtarët janë nën autoritetin e udhëheqësve të pamëshirshëm dhe të pabesueshëm. Në qoftë se paraqitet grindja ndërmjet nesh dhe jush, vetëm Allahu do të vendosë. Nëse vijmë në kundërshtim në lidhje me ndonjë çështje, Ai do të na gjykojë neve.
O Allah, ti e di se kryengritja jonë nuk do të ketë për qëllim garën për sundim apo arritjen e pasurisë së pavlefshme të kësaj bote. Ajo do të bëhet për shfaqjen e shenjave të fesë Sate, për vendosjen e punëve të qyteteve në binarë, për arritjen e sigurisë për robërit e pafuqishëm, për veprimin sipas rregullave Islame, traditës dhe gjykimeve të Hz Resulullahut (s.a.a.). Nëse ju nuk na ndihmoni dhe nëse nuk jeni të sinqertë për të drejtën tonë, të padrejtët do t’ju sundojnë juve dhe do të mundohen ta shuajnë dritën e të Dërguarit (s.a.a.).
Neve na mjafton Allahu. Atij i mbështetemi, Atij i drejtohemi dhe tek Ai do të kthehemi.
4.2 Këshilla
Ju këshilloj ta përqafoni devotshmërinë ndaj Allahut, ju frikoj përmes dënimit të Allahut dhe ju parashtroj para syve shenjat e Tij. Pak ka mbetur deri tek arritja e ditës frikësuese dhe tmerruese e vdekjes, e cila ditë nuk është e dashur dhe shija e së cilës është e hidhur. Ajo vdekje është e varur për shpirtin tuaj dhe ju ndan plotësisht nga të vepruarit. Atëherë, dijeni vdekjen si një cak të vështirësive të tij që vijnë befas, shëndetin tuaj dijeni si një begati dhe nxitoni në vepra të mira. Ajo vdekje ju merr nga sipërfaqja e tokës dhe ju fut nën tokë; ju rrëzon prej lartësisë dhe ju zbret në ultësi; ju ndan prej shoqërisë dhe shprehive tuaja dhe ju hedh në vetmi dhe egërsi; prej rehatisë e dritës ju shpie në errësirë e ngushtësi. Është një vend i tillë ku të afërmit dhe të sëmurët nuk vizitohen, dhe nuk mund t’i ndihmohet atij që kërkon ndihmë.
Dëshiroj që Allahu të jetë ndihmësi ynë dhe juaji në atë ditë të tmerrshme dhe plot frikë, të na shpëtojë prej dënimit të asaj dite dhe të na dhurojë prej shpërblimit të Tij të pafundmë.
O robërit e Allahut! Sikur të kishte qenë qëllimi përfundimtar vdekja dhe varri, prapëseprapë për një njeriu të veprave do të mjaftonte mundi i tij për të shpëtuar nga vështirësitë e kësaj bote dhe të mendonte tërë kohën për të. Ndërsa, kjo (vdekja) është vetëm etapa e parë dhe mbas kësaj njeriu është penguar nga veprat e kryera dhe llogaritë e tyre. Nuk do të ketë ndihmës që do ta shpëtojë nga dënimi dhe nuk do të ketë një mbështetës që do ta mbrojë atë:
“Në ditën kur vijnë disa shenja të Zotit tënd, asnjë njeriu nuk i vlen besimi i Tij nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë në besimin e tij kurrfarë të mire. Thuaj: Pritni, edhe ne jemi duke pritur!” (Enam, 158)
O ju njerëz! Ju lë amanet të ruheni prej Allahut, sepse, Allahu ka garantuar që personin e devotshëm do ta shpëtojë prej gjendjes së pakëndshme dhe do ta shpjerë në një gjendje të këndshme, dhe do ta furnizojë prej një vendi që nuk shpreson. Atëherë, mos u bën ndër ata që i dhimbsen të tjerët për shkak të mëkateve që kanë bërë, ndërsa vetë është i sigurt prej dënimit të mëkatit të tij. Nuk mund të fitohet xheneti duke e mashtruar Allahun dhe nuk mund të arrihet në dhuntinë dhe sevapin e Tij veçse përmes nënshtrimit ndaj Tij.
4.3 Letra të cilën ua dërgoi banorëve të Kufes kur vërejti pabesinë e tyre, gjatë kohës kur ishte duke udhëtuar
për në Kufe
Mbas falënderimit për Allahun dhe përshëndetjeve dërguar të Dërguarit (s.a.a.): O xhemat! -Mos shpëtofshi prej brengës dhe pikëllimit! Kur na thirrët për t’ju ndihmuar, ne erdhën te ju duke vrapuar ndërsa, tani e keni kthyer shpatën kundër nesh. Zjarrin që e ndezëm me qëllim të djegies së armikut, e flakëruat kundër nesh. E formuat aleancën për t’i ndihmuar miqtë, pastaj e shfrytëzuat si mbështetje për armikun. Ndërsa, ata nuk kanë shpërndarë drejtësinë në mesin tuaj, nuk keni ndonjë shpresë për të ardhmen nga ana e tyre dhe nuk keni parë ndonjë gabim apo shpifje në anën tonë.
Turp të keni! Nuk na keni braktisur përderisa shpata ishte në këllëfin e tij, përderisa zemra ishte rehatuar dhe vendimi nuk ishte marrë. Erdhët si stuhia e karkalecave dhe u larguat si fluturat. O rebelët e ummetit, o ju që jeni jashtë të gjitha fraksioneve, që e keni gjuajtur Kuranin, pështymat e shejtanit, shtrembëruesit e fjalëve, fikësit e traditës, që e keni përzier prostitucionin në farefisin tuaj, që talleni me Kuranin dhe e copëtoni atë! Turp të keni! Betohem në Allahun, se kjo pabesi është një zakon i mirënjohur për ju; kjo ka hyrë në gjakun tuaj. Rrënjët tuaja janë forcuar përmes kësaj. Ju jeni fryti më i keq që i ka mbetur në fyt pronarit, por që është pre e ëmbël për plaçkitje. Mallkimi i Allahut qoftë për ata që e prishin marrëveshjen mbasi që ta arrijnë atë dhe që e pranojnë Allahun si garantues të marrëveshjes.
Dijeni që bastardi, i biri i bastardit, (Zijad ibni Ubejdullah) na ka shtrënguar që të zgjedhim njërën prej dy zgjidhjeve: Feja ose poshtërimi. Ndërsa, poshtërimi është larg prej nesh. Këtë nuk mund të pranojë as Allahu, as i Dërguari (s.a.a.), as besimtarët, as prehrit e pastër që na kanë edukuar neve, as të ndershmit që e preferojnë vdekjen me krenari kundrejt jetës së poshtëruar. Unë bashkë me familjen time të vogël do të shkojmë në drejtimin e tyre, përkundër numrit të madh të armiqve dhe të egërsisë së tyre, dhe përkundër ndërprerjes së ndihmës nga ndihmësit e mi. Dijeni që, mbas meje ky popull do të mbijetojë për aq sa kapedani qëndron mbi kalin e tij dhe pastaj mulliri i luftës do të kthehet kundër tyre dhe qafat e tyre do të jenë në vështirësi. Kjo është porosia që më ka përcjellë babai im. Merreni vendimin dhe zbatojeni planin tuaj para se të më jepet afati.
“Unë iu kam mbështetur Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj, pse nuk ka asnjë nga gjallesat, e që Ai të mos e ketë nën sundim, vërtet Zoti im është i drejtë” (Hud, 56)
4.4 Përgjigjja dhënë pyetjeve të sundimtarit bizantin
Sundimtari i bizantinëve kishte dërguar një përfaqësues të tij tek Imam Hysejni (a.s.) për të parashtruar këtë pyetje: “Cilat janë ato shtatë gjëra të cilat i krijoi Allahu, para se ta krijojë Rrugën e Qumështit dhe para se të vijnë në mitrën e nënës?”. Imami (a.s.) qeshi kur e dëgjoi pyetjen. Ambasadori e pyeti për arsyen e të qeshurit, ndërsa Imami (a.s.) iu përgjigj: “Sepse, si qëllimin përfundimtar të diturisë ti po më pyet për gjërat që i përngjajnë plehrave që ndodhen në mes të detit. Rruga e Qumështit është shigjeta e Allahut. Shtatë gjërat që janë krijuar pa ardhur në mitrën e nënës janë: Gjëja e parë, Ademi është i pari; pastaj Hava; pastaj sorra që është dërguar nga ana e Allahut; dashi i Ibrahimit (a.s.); deveja e Allahut që ia dërgoi Salihut (a.s.); shtaga e Hz Musës (a.s.) dhe zogu i Hz Isës (a.s.)”.
Mandej, përfaqësuesi pyeti për furnizimin e robërve, ndërkaq Imami (a.s.) u përgjigj në këtë mënyrë: “Furnizimi i robërve është në qiellin e katërtë. Allahu e dërgon atë furnizim në sasi të vogël apo të madhe”. Më tej, ambasadori e pyeti: “Ku gjenden shpirtrat e besimtarëve?” – Imami (a.s.) u përgjigj: “Netëve të Premte tubohen nën gurin e madh të Bejt-ul Makdisit[2]. Sepse, ajo është froni (arsh) më i ulët i Allahut. Prej këtij vendi Allahu e zgjeroi sipërfaqen e tokës, prej nga është drejtuar kah krijimi i qiejve dhe prej këtij vendi do të fillojë mbështjellja e qiejve. Ndërsa, shpirtrat e jobesimtarëve mblidhen në këtë botë, mbrapa Jemenit te shkretëtira e ashtuquajtur “Hadremut”. Pastaj, Allahu u dërgon një zjarr prej Lindjes dhe një tjetër prej Perëndimit. Në mes tyre ekzistojnë dy erëra; të gjithë njerëzit mblidhen në afërsi të gurit të Bejt-ul Makdisit. Pastaj, këta burgosen në anën e djathtë të këtij guri. Xheneti u afrohet të devotshmëve ndërsa xhehenemi gjendet në anën e majtë të këtij guri me kufijtë e tij tokësor. Aty është “Felak”-u (emri i njërit prej vendeve tmerruese të xhehenemit) dhe “Sixh-xhin”-i. Të gjithë njerëzit do të ndahen prej atij guri: Banorët e xhenetit do të hyjnë në xhenet duke kaluar afër atij guri dhe banorët e xhehenemit do të hyjnë në xhehenem duke kaluar afër atij guri”.
4.5 Pjesët e xhihadit
E pyetën Imamin (a.s.): “A është xhihadi sunnet (vepër e preferuar) apo farz (detyrim)?” Imami (a.s.) u përgjigj: “Xhihadi përbëhet prej katër pjesëve: Dy prej tyre janë farz, e treta është sunnet që kryhet bashkë me farzin dhe e katërta është sunnet. Njëra prej farzeve është mbrojtja e epshit prej mëkateve dhe ky është xhihadi më i madh. Farzi i dytë është lufta me jobesimtarët.
Syneti që kryhet bashkë me farzin është ky: Xhihadi kundër armikut është farz për tërë ummetin. Nëse nuk e bëjnë këtë, do të arrijë dënimi i Allahut; sigurisht që dënimi do t’i vijë popullit dhe jo Imamit. Dhe, ky xhihad është sunnet për Imamin (pra, xhihadi nuk është farz vetëm i Imamit por bëhet farz vetëm kur populli gjendet bashkë me Imamin). Dhe, vënia në praktikë bëhet kur Imami bashkë me popullin shkojnë në luftë dhe e luftojnë armikun.
Xhihadi sunnet është ky: Mbajtja në këmbë e një tradite, zbatimi dhe ringjallja e saj. Mundi i dhënë në këtë rrugë është ndër veprat më fisnike, sepse në këtë mënyrë do të ringjallet një traditë e bukur. Hz Resulullahu (s.a.a.) ka thënë: “Kush e ringjall një traditë të bukur, do të fitojë sevape deri në ditën e Kiametit për aq sa fitojnë sevape të tjerët që veprojnë me atë traditë. Pra, sevapin e njëjtë do ta fitojnë edhe ata që e zbatojnë edhe ai që e ka ringjallur atë traditë”.
4.6 Tevhidi (Njësia e Zotit)
O ju njerëz! Rrini larg prej “marikinëve” (njerëzve që kanë dalë nga feja) që Allahun ia përngjajnë vetes. Fjalët e tyre i përngjajnë fjalëve të jobesimtarëve të Ehli Kitabit (të krishterëve dhe hebrenjve). Jo, Allahu nuk ka të ngjashëm dhe ortak. Ai dëgjon dhe sheh; sytë nuk e shohin Atë, por Ai i sheh sytë. Ai është i depërtueshëm dhe i informuar për çdo gjë. Njësinë dhe shenjtërinë e ka përshkruar vetëm për Veten. Fuqinë, vullnetin, aftësinë dhe diturinë ua ka dhënë të gjitha krijesave. Në asnjë çështje nuk ekziston ndonjë kundërshtar që mund ta kundërshtojë Atë, që mund të bëhet baraspeshë për Të, një kontradiktë që mund t’i përballet Atij, një gjë identike që i përngjan dhe që i përshtatet Atij. Ndodhitë nuk ia ndryshojnë gjendjen e Tij; gjendjet nuk vlejnë për Të; dukuritë nuk shfaqen në esencën e Tij; asnjë lavdërues nuk mund ta arrijë esencën e shenjtërisë së Tij dhe madhështia e Tij nuk mund të vendoset në asnjë zemër. Nuk ka gjësend që i përngjan Atij dhe dijetarët dhe mendimtarët nuk mund ta perceptojnë Esencën e Tij përmes forcës së mendjes. Atë mund ta kuptojnë vetëm ata që dëshmojnë me zemër dhe që e besojnë të fshehtën. Ai nuk mund të përshkruhet me asnjë cilësi apo kualitet të krijesave. Ai është tek dhe nuk ndien nevojë për asgjë. Ai dallohet prej të gjitha mendimeve që mund të paramendohen. Zoti nuk është diçka që mund të arrihet përmes mendimeve (nuk është hyjni ajo që arrihet përmes mendimeve) apo diçka që gjendet përmes ngjashmërive.
Ai është prezent në çdo gjë, por jo si një qenie e kufizuar apo e fshehur brenda saj. Është i ndarë prej të gjitha gjërave, por jo i largët dhe i painformuar prej tyre, sepse, nuk është e vlefshme ajo që e ka të kundërtën apo të ngjashmen e saj. Të amshueshmen nuk e ka prej kohës dhe nuk e ka anën e përparme të drejtuar në ndonjë drejtim. Është i fshehur si prej syve ashtu edhe prej mendjeve. Është i fshehur edhe prej atyre që janë mbi sipërfaqen e Tokës, edhe prej atyre që gjenden në qiej. Afërsia e Tij nuk ia shton vlerën dhe largësia e Tij nuk e nënçmon Atë. Nuk e kufizojnë as hapësira as koha dhe nuk mund të kushtëzohet me nëse. Lartësimi i Tij nuk është përmes ngritjes në lartësi dhe ardhja e Tij nuk ka të bëjë me ndërrimin e vendit. Qenien e shndërron në joqenie dhe joqenien në qenie. Këto dy atribute nuk mund të gjenden te ndonjëri tjetër në asnjë kohë. Mendimi mund të arrijë vetëm tek ekzistenca e Tij dhe mund t’i besojë Atij por është i privuar prej cilësisë së Tij. Atributet bëhen atribute vetëm përmes Tij; Ai nuk përfiton atribute përmes atributeve. Përshkrimet përshkruhen përmes Tij; Ai nuk mund të përshkruhet përmes përshkrimeve. I tillë është Allahu, që emrin e Tij nuk mund ta bartë askush; është i pastër, asgjë nuk është sikur Ai.
4.7 Fjalët e shkurtra
- Duke shkuar për në Kerbela, ka thënë: Në të vërtetë, kjo botë është ndryshuar, është bërë e panjohur dhe ia ka kthyer shpinën të gjitha të mirave. Në të është bërë aq e poshtëruar jeta e kullotës në një vend me ajër të rëndë dhe e ujit që ka mbetur në fundin e enës.
A nuk po vëreni se nuk po veprohet sipas së vërtetës dhe nuk po largohet nga e pavërteta? Në një gjendje të tillë, është i drejtë kërkimi i vdekjes nga ana e besimtarit. Unë këtë vdekje e pranoj si lumturi ndërsa këtë jetë me mizorët e pranoj si poshtërim.
Njerëzit janë robërit e kësaj bote, ndërsa feja është një govatë për gjuhët e tyre. Përderisa e sigurojnë jetesën përmes fesë dhe e mbrojnë atë, por kur të sprovohen me vështirësi, zvogëlohet numri i njerëzve fetar[3].
- Një ditë afër Imamit (a.s.) ndodhej një person që e përgojonte një person tjetër. Imami (a.s.) i tha atij: “O njeri! Ruaju nga përgojimi, sepse përgojimi është ushqimi i qenve të xhehenemit”.
- Një person që ndodhej afër Imamit (a.s.) i tha: “Nëse i bën bamirësi një personi që nuk e meriton atë, do të bëhet i humbur”. Imami (a.s.) iu përgjigj: “Jo, nuk është ashtu. Bamirësia është sikur shiu që bie mbi të mirët dhe të këqijtë”.
- Kur Allahu ia merr fuqinë e ndonjërit, nuk do të kërkojë prej tij bindje dhe njëkohësisht do ta largojë edhe barrën e sjelljes së vendimeve prej tij.
- Disa e adhurojnë Allahun duke shpresuar ndonjë gjë prej Allahut, ky është adhurimi i tregtarëve. Disa të tjerë prej frikës, ky është adhurimi i skllevërve. Dhe, disa të tjerë e adhurojnë për të falënderuar Allahun, ky është adhurimi i njerëzve të lirë dhe ky është adhurimi më i virtytshëm.
- Një person erdhi tek Imami (a.s.) dhe pa e përshëndetur, i tha: “Si jeni? Allahu ju bëftë mirë!”. Imami (a.s.) iu përgjigj: “Së pari përshëndetja (selam) dhe pastaj fjala (kelam). Edhe ty të bëftë mirë Allahu!” Dhe pastaj shtoi: “Mos i jepni askujt leje për të folur pa ju përshëndetur”.
- Kur Allahu dëshiron ta bëjë të pavetëdijshëm robin e vet, i jep shumë dhunti dhe pastaj robi nuk arrin ta falënderojë Atë (do të jetë i zënë me dhuntitë dhe do të harrojë ta përmendë Atë).
- Kur Abdulla ibni Zubejri[4] e internoi Abdulla ibni Abbasin për në Jemen, Imami (a.s.) i shkroi një letër Abdulla ibni Abbasit: “Mbas falënderimit të Allahut dhe përshëndetjes për të Dërguarin (s.a.a.): Më erdhi lajmi i internimit tënd për në Taife nga ana e ibni Zubejrit. Nëpërmes kësaj Allahu të ka lartësuar emrin tënd dhe të ka falur mëkatin. Padyshim që njerëzit e sinqertë përfshihen nga vështirësitë dhe fatkeqësitë. Sikur të kishte shpërblyer Allahu vetëm për veprat e mira, sevapi yt do të ishte i vogël. Allahu na mundësoftë të durojmë gjatë fatkeqësive dhe të falënderojmë gjatë dhuntive, dhe mos e gëzoftë armikun për shkak të fatkeqësive që na kaplojnë.
- Një njeri erdhi për të kërkuar ndihmë prej Imamit (a.s.) dhe ai i tha: “Nuk është e drejtë hapja e gojës përveç nëse ke ndonjë borxh të rëndë, ndonjë kompensim të rëndë që e tejkalon fuqinë tënde ose je nën varfërinë poshtëruese”. Ky njeri i tha: “Gjendja ime është njëra prej këtyre”. Atëherë Imami (a.s.) ia dha njëqind dinarë.
- Imami (a.s.) i tha djalit të tij Sexhadit: “O biri im! – Ruaju nga të bërit padrejtësi atij që nuk ka ndihmës tjetër përveç Allahut”.
- E pyeti njëri për komentimin e ajetit “Por për dhuntitë e Zotit tënd prediko pandërprerë” (Duha, 11), dhe Imami (a.s.) iu përgjigj: “Allahu ka urdhëruar të Dërguarin që të predikojë pandërprerë për dhuntitë e Allahut që ia ka dhënë të Dërguarit (s.a.a.) në lidhje me fenë”.
- Njëri prej Ensarëve erdhi te Imami (a.s.) për të kërkuar ndihmë në lidhje me problemin e tij. Imami (a.s.) iu përgjigj: “O vëllai im Ensar! – Mos e humb respektin tënd. Kërkesën tënde shkruaje në një letër dhe unë do të të bëj një gjë që do të të gëzojë ty”. Ensari shkroi në këtë mënyrë: “Ja Eba Abdillah! – unë i kam borxh njërit 500 dinarë dhe po më shtrëngon për të bërë pagesën; bisedo me të për shtyrjen e borxhit përderisa të më rregullohet gjendja”. Imami (a.s.) e lexoi letrën dhe pastaj shkoi në shtëpi për të marrë 1000 dinarë, dhe i tha: “Me këto 500 dinarë paguaje borxhin tënd, ndërsa me 500 të tjera siguroje jetesën tënde. Mos ia hap gojën askujt, përveç njeriut fetar, të fuqishmit dhe atij që i takon fisit të njohur, sepse, njeriu fetar të ndihmon për të mbrojtur fenë e tij, të fuqishmit i vjen turp nga fuqia e tij për të të mos plotësuar nevojën tënde dhe ai që është prej fisit të njohur nuk do të të kthejë duarzbrazët sepse do të mbrojë dinjitetin e tij”.
- Ekzistojnë katër lloje të vëllezërve: I pari, që ka dobi për ty dhe për vete; i dyti, që ka dobi për ty; i treti, që është në dëmin tënd dhe, i katërti, që nuk ka dobi as për ty as për vete.
E pyetën për kuptimin e tyre, ai u përgjigj: “Vëllai që ka dobi për ty dhe për vete është vëllai që mundohet për të vazhduar vëllazërinë përmes sjelljeve të mira dhe tenton që të mos përfundojë ajo. Këtu ka dobi për të dytë, sepse nëse vazhdon një vëllazëri e tillë do të ëmbëlsohet jeta e të dyve; nëse prishet vëllazëria e tillë atëherë, të dytë do të dëmtohen. Vëllai që është i dobishëm për ty është vëllai që e ka larguar veten prej koprracisë dhe tregon intereson për ty vetëm për hir të vëllazërisë dhe pa pasur ndonjë interes botëror prej teje. Vëllai i tillë është plotësisht në dobinë tënde. Vëllai që është në dëmin tënd është ai vëlla që pret rënien tënde në fatkeqësi apo brengë, që i hap sekretet e tua, që shpif për ty gënjeshtrat në mesin e fiseve dhe që të shikon në fytyrë si njeri xheloz. Mallkimi i Allahut qoftë për këtë vëlla! Vëllai që nuk ka dobi për ty dhe për vete është vëllai që Allahu ia ka mbushur trupin me pamendësi dhe që e ka larguar prej mëshirës së Tij. Një njeri i tillë do të afrohet te ti dhe do të shikojë me syrin e koprracisë.
- Njëra prej shenjave të pranimit është të ndenjurit me njerëzit e diturisë. Argumentimi me të tjerët, pos jobesimtarëve, është njëra prej shenjave të paditurisë. Njëra prej shenjave të dijetarit është të qenët i informuar për komentet ndaj fjalëve të tij dhe për të vërtetën e pikëpamjeve të kundërta.
- Vendstrehimi i besimtarit është Allahu, ndërsa fjalën e Tij e bën pasqyre për vete. Besimtari ndonjëherë vështron vetitë e besimtarëve dhe ndonjëherë vetitë e njerëzve të vrazhdë; i analizon vetitë e tyre dhe si rezultat i kësaj analize arrin ta njohë vetveten më mirë, arrin shkallën e bindjes së sigurt përmes inteligjencës së lartë dhe bëhet më i fuqishëm duke e pastruar epshin e tij.
- Ruaju nga veprimi që përfundon me kërkimin e faljes, sepse, besimtari nuk kryen krime dhe nuk e bie veten në situatë për të kërkuar falje; dyfytyrëshi kryen krime çdo ditë dhe kërkon falje.
- Përshëndetja (selami) i ka shtatëdhjetë sevape: – gjashtëdhjetë e nëntë i takojnë atij që përshëndet (që e jep selamin) dhe njëri shkon tek ai që e pranon përshëndetjen.
- Koprraci i vërtetë është ai që bën koprraci në dhënien e përshëndetjes.
- Ai që pretendon për të arritur diçka duke i bërë padrejtësi Allahut, do të largohet nga ajo që shpreson dhe do t’i afrohet asaj që i frikohet.
[1] Ky fjalim është transmetuar edhe nga ana e Imam Aliut (a.s.)
[2] Ose Mesxhidul Aksa, gjendet në Jerusalem dhe ishte Kibleja e parë e myslimanëve. (shën. përkth.)
[3] Këtë fjalim të shkurtrër e mbajti rrugës për në Kerbela
[4] Abdulla ibni Zubejri e arriti kalifatin në vitin 65 H, d.m.th 5 vjet mbas ngjarjes së Kerbelasë. Kështu që, gjasa e shkrimit të kësaj letre nga ana e Imam Hysejnit është e vogël. Më shumë është e mundshme që letra është shkruar nga ana e Imam Sexhadit (a.s.). Vendi i internimit të Abdulla ibn Abbasit ishte Taifi dhe jo Jemeni. Kjo është regjistruar në librat e historisë dhe është përkrahur përmes hadithit të lartpërmendur.