
Edukimi gjatë gjithë jetës
Biseda me nefsin (egon)
Një dijetar pretendonte se kishte marrë mësime nga 70 mijë vetë. Sado që në pamje të parë kjo fjali duket pak e ekzagjeruar, nëse thellohemi në të, kuptojmë se pasqyron një realitet, pasi njeriu mund të marrë mësim nga çdo ngjarje që sheh dhe nga çdo njeri që takon. Më poshtë, ky dijetar e paraqet një debat ndërmjet tij dhe nefsit (egos) të tij:
“Një ditë e pyeta nefsin tim se përse ishte aq krenar, kur nuk zotëron asgjë. Ai tha se nuk kishte pasuri dhe nuk kishte çfarë të përfitonte. I thashë: “Shikoje pak këtë mizë! Me duart e saj aq të vogla, ajo fshin krahët, sytë dhe mbaron çdo punë”. Unë e binda se të paktën duhet t’i shërbejë trupit të tij. Falënderoj Zotin që veprimi i kësaj gjallese të vogël, më mësoi shumë gjëra dhe arrita ta bind nefsin tim”.
Kalliri bosh dhe kalliri plot
Tregohet se gjyshi me nipin e tij kishin dalë në livadh. Kur po kalonin pranë fushave me grurë, nipi e pyeti gjyshin e tij, se përse disa kallinj qëndronin përpjetë ndërsa disa të tjerë ishin përkulur. Gjyshi i përgjigjet nipit:
“Kallinjtë që qëndrojnë përpjetë janë bosh nga brenda, ndërsa ata që përkulen janë plot me kokrra gruri. Degët e pemëve, kur janë plot me fruta, përkulen, ndërsa kur në to s’ka asgjë, qëndrojnë lart. Njerëzit e padobishëm pëlqejnë të duken para të tjerëve, ndërsa njerëzit e pjekur shërbejnë me modesti”.
Në të njëjtën mënyrë, njeriu mund të mësojë gjëra edhe nga sendet dhe gjallesat që e rrethojnë.