
Dobitë e organizimit të tubimeve për të kujtuar Imam Husejnin (7)
Nëntë dobitë kryesore për organizimin e tubimeve për të kujtuar Imam Husejnin
Organizimi i tubimeve për kujtimin e Imam Hysejnit dhe të ndodhisë së Qerbelasë ka dobi të shumta. Prej tyre janë:
Së pari: Ne shprehim besnikërinë ndaj Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij). Sepse, vetë Profeti Muhamed është hidhëruar dhe ka lajmëruar vrasjen e Imam Husejnit në Qerbela.
Së dyti: Këto tubime janë shkollë islame, sepse ligjëruesit në këto tubime flasin rreth historisë islame, rreth dispozitave islame, rreth moralit islam. Ata komentojnë Kuranin, flasin për historitë e profetëve, për teuhidin, profetësinë, e të tjera çështje islame.
Së treti: Në këto tubime ne shprehim dashurinë, përkrahjen dhe vilajetin për Imam Husejnin (paqja qoftë mbi të), të birin e Fatime Zahras, i cili u martirizua për të mbrojtur mesazhin që solli gjyshi i tij, Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij).
Së katërti: Në këto tubime ne japim besën se do të jemi gjithmonë në rrugën e fesë së Allahut, në rrugën e Profetit Muhamed dhe në rrugën e Ehli Bejtit të tij të pastër. Kurrë nuk do ta braktisim këtë rrugë me çfarëdo pasojash që të përballemi.
Së pesti: Këto tubime sqarojnë se çfarë i ndodhi Imam Husejnit, familjes së tij dhe shokëve të tij besnikë, të cilët u përballën me krimin dhe masakrën më të ashpër në historinë e njerëzimit. Ky krim e kjo masakër janë në kundërshti të plotë me vlerat dhe me parimet njerëzore dhe fetare. Në këto tubime ne e kundështojmë bindshëm këtë krim e masakër.
Së gjashti: Në këto tubime ne kundërshtojmë nënshtrimin dhe poshtërimin para padrejtësisë dhe shtypjes, sado të mëdha të jenë.
Së shtati: Refuzojmë dhe demaskojmë padrejtësinë, devijimin, hipokrizinë, ashpërsinë dhe armiqësinë e dinastisë emevite dhe të atyre që ecin në rrugën e tyre, qëndrime negative që mbartin ndaj Profetit Muhamed dhe Ehli Bejtit, sepse ajo ishte një dinasti xhahile me petkun e Islamit.
Së teti: Në këto tubime i çirret maska kurtheve dhe intrigave të emevitëve kundër Islamit. Edhe pse sundimi i tyre shtrihet në dy kontinente – Azi dhe Afrikë, heroizmi i Imam Husejnit, i familjes së tij dhe i shokëve të tij në Kerbela, e tundi nga themelet atë dinasti të devijuar derisa u rrëzua.
Së nënti: Në këto tubime ne refuzojmë çdo lloj ngjyre të padrejtësisë, nëpërkëmbjes dhe poshtërimit dhe lutemi që paqja, dashuria, besimi dhe vëllazërimi të sundojnë në mbarë botën.
Lutje
O Allahu ynë! Na forco në Rrugën Tënde! Na mundëso të jemi në rrugën e të dashurve të Tu në këtë jetë dhe na bashko me ata në Jetën Tjetër!
Paqja qoftë mbi Husejnin!
Paqja qoftë mbi Aliun, i biri i Husejnit!
Paqja qoftë mbi fëmijët e Husejnit!
Paqja qoftë mbi shokët e Husejnit!
Shkrim i huazuar.