
Çka mendon bota feministe?
Çka mendon bota feministe?
Gratë dhe burrat duhet të jenë të barabartë, por jo në mënyrën se si e përcaktojnë feministët e sotshëm. Domethënë, ata besojnë se gratë duhet të kryejnë të njëjtat punë dhe të kenë të njëjtat pozita pune si meshkujt, qoftë edhe nëse femrave nuk u pëlqen. Ata bëjnë protesta të ndryshme për arsye se një grua është e përjashtuar nga puna, duke i fajësuar meshkujt për pabarazi gjinore, madje besojnë se Zoti nuk duhet të jetë i gjinisë mashkullore. Zoti, në fakt, nuk është as mashkull as femër, Ai nuk ka gjini, Zoti nuk është si ne dhe nuk mund të krahasohen me njerëz dhe të peshohet me kriteret e njeriut.
Feja islame konsideron se gratë dhe burrat duhet të jenë të barabartë, por nuk përpiqet të na bind se ata janë të krijuar si të barabartë. Ata janë cilësisht të ndryshëm. Në fakt, gratë mund të lindin fëmijë dhe t’i japin qumështin nga gjiri i saj, ndërsa një burrë nuk mundet. Mashkulli është fizikisht më i fortë se femra, por femrat fiziologjikisht janë më të forta se meshkujt, sepse mund ta përballojnë një shkallë më të lartë të dhimbjes. Për shkak të konstruktit të tij mendor, mashkulli nuk do të ishte në gjendje të përballojë problemet që sjell cikli mujor, ndërsa dhimbjet e lindjes as që do të mundte t’i paramendonte.
Ç’thotë shkrimtari arab për femrat?
Një shkrimtar arab Emin Ma’luf ka thënë: “Femrat gjatë goditjes së problemeve jetësore lakohen apo përkulen, ndërsa meshkujt thyhen dhe shkatërrohen”. Për të gjitha këto arsye, gratë dhe burrat e kanë një rol të ndryshëm në shoqëri, sepse gratë nuk mund të përvetësojnë apo të gjenden në botën e mashkullit, ndërsa një burrë e ka shumë vështirë të hyjë në botën e femrës. Prandaj feja islame në shumë raste ka predikuar ligje të ndryshme për meshkujt dhe për femrat, sepse u orientua nga ajo se mashkulli dhe femra nga natyra janë të ndryshëm dhe ndiejnë kënaqësinë natyrore të këtyre diversiteteve në gjini.
Autore: Ikballe Berisha Huduti
(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 13, janar 2015, fq. 14)