
A E FALËNDERON ALLAHUN PËR SHIKIMIN TËND? (tregim urtësie)
Një djalë i verbër ishte ulur në shkallët e një ndërtese dhe kishte vënë një kapelë te këmbët e tij. Ai, në një letër, mbante një mbishkrim ku shkruhej:
“Unë jam i verbër, ju lutem më ndihmoni!”
Në kapelë kishte vetëm pak monedha. Pranë po ecte një burrë. Ai nxori ca monedha nga xhepi i tij dhe i lëshoi në kapelë. Pastaj, ai e mori shkresën nga dora e djalit, e rrotulloi dhe shkroi disa fjalë. E vendosi përsëri në vendin e vet, që të gjithë ata që kalonin t’i shihnin fjalët që shkroi. Së shpejti kapela filloj të mbushej. Shumë njerëz po i dhuronin para djalit të verbër. Atë pasdite njeriu që kishte ndryshuar mbishkrimin erdhi për të parë se çka po ndodhte. Djali i verbër i njohu hapat e tij dhe e pyeti:
“A ishit ju ai që e ndryshuat mbishkrimin tim këtë mëngjes? Çfarë keni shkruar?”
Njeriu tha:
“Unë shkrova vetëm të vërtetën. Kam thënë atë që duhet, por pak më ndryshe”.
Ai kishte shkruar këto fjalë:
“Sot është një ditë e bukur dhe unë nuk mund ta shoh atë”.
A mendoni se shkrimi i parë dhe shkrimi i dytë thanë të njëjtën gjë? Natyrisht të dy shkrimet u treguan njerëzve se djali ishte i verbër. Por, thjesht, në shkrimin e parë thuhej se djali ishte i verbër. Kurse shkrimi i dytë u thoshte njerëzve se ata ishin aq me fat se nuk ishin të verbër. Natyrisht se shkrimi i dytë ishte më efektiv.
“Është Ai i Cili ka krijuar për ju shqisat e të dëgjuarit (veshët), të pamurit (sytë) dhe të kuptuarit (zemrën)” (Surja el-Mu’minun, ajeti 78).
(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 9, nëntor/dhjetor 2013, fq. 49)